Një samit i përbashkët mes Vladimir Putin, Donald Trump dhe Xi Jinping mund të jetë në tryezën e diplomacisë ndërkombëtare. Kremlini ka konfirmuar se mundësia e zhvillimit të një takimi trepalësh mes presidentëve të Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është diskutuar dhe mund të marrë formë në muajt e ardhshëm, shkruajnë mediat.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se kjo çështje ishte një nga temat kryesore pas bisedës telefonike të zhvilluar të martën, më 8 shtator, mes Vladimir Putin dhe Donald Trump.
Sipas Kremlinit, dy presidentët diskutuan mundësinë e zhvillimit të një takimi të përbashkët me presidentin kinez Xi Jinping në kuadër të samiti të APEC-ut, i cili është planifikuar të zhvillohet më 18 dhe 19 nëntor në Kinë.
Nëse realizohet, një takim i tillë do të ishte një ngjarje me peshë të jashtëzakonshme diplomatike, duke vendosur në të njëjtën tryezë liderët e tre fuqive të mëdha globale.
Mundësinë e një samiti trepalësh e kishte përmendur edhe këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov.
Sipas tij, Putin dhe Xi Jinping e kanë diskutuar më herët këtë ide, gjatë takimit të tyre të 31 gushtit në Bishkek.
Ushakov theksoi se organizimi i një takimi të tillë do të varej në masë të madhe nga vendi pritës dhe nga përgatitjet diplomatike.
“Sa i përket mbajtjes së një takimi trepalësh, kjo është kryesisht një çështje e vendit pritës. Nëse ata janë në gjendje të organizojnë një takim të tillë, i cili kërkon disa përgatitje diplomatike, besoj se ky takim mund të zhvillohet dhe, me shumë mundësi, nuk do të jetë i kotë”, deklaroi ai. Top Channel

