Lajme Zone
"Tre AirTag në rroba", media franceze: Ermal Beqiraj mund të kontrollohej nga një tjetër person
BotëPolitiko
Ky artikull është pjesë e një historie me 9 burime — Krahaso mbulimin →

"Tre AirTag në rroba", media franceze: Ermal Beqiraj mund të kontrollohej nga një tjetër person

Mediat franceze kanë zbardhur detaje të reja nga arrestimi i Ermal Beqirajt, të shumëkërkuarit për aferën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Sipas “Le Journal du Dimanche”, shqiptari, ndaj të cilit ekziston një urdhër kërkimi në Shqipëri, u arrestua pas një fluturimi të pazakontë mbi centralin bërthamor të Penly në Francë në departamentin Seine-Maritime të Francës, të sht

Mediat franceze kanë zbardhur detaje të reja nga arrestimi i Ermal Beqirajt, të shumëkërkuarit për aferën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Sipas “Le Journal du Dimanche”, shqiptari, ndaj të cilit ekziston një urdhër kërkimi në Shqipëri, u arrestua pas një fluturimi të pazakontë mbi centralin bërthamor të Penly në Francë në departamentin Seine-Maritime të Francës, të shtunën pasdite.

Sipas informacioneve të publikuara nga “Le Journal du Dimanche” (JDD), avioni po fluturonte në një lartësi prej rreth 3,700 këmbësh, ose rreth 1,200 metra, kur piloti papritur e uli në 3,500 këmbë, nën kufirin e lejuar për fluturimet mbi një zonë të ndjeshme.

Pas njoftimit për incidentin, Forcat Ajrore Franceze dërguan një avion për ta shoqëruar mjetin fluturues drejt aeroportit të Albertit, në departamentin Somme.

Pas uljes, piloti u prit nga policia, e cila e arrestoi menjëherë dhe e vendosi në masën e ndalimit policor.

Profili i shqiptarit ngre dyshimeSipas JDD-së, Beqiraj rezulton i njohur më parë për drejtësinë franceze dhe shqiptare për çështje që lidhen me mashtrimin financiar, mashtrimin në grup të organizuar, si dhe aktivitete të ndryshme të paligjshme të lidhura me piraterinë informatike.

Por ajo që ka tërhequr veçanërisht vëmendjen e hetuesve është ajo që u gjet gjatë kontrollit fizik. Në rrobat e shqiptarit u zbuluan tre pajisje AirTag, të fshehura.

AirTag janë pajisje të vogla të prodhuara nga Apple, të përdorura për të lokalizuar dhe gjurmuar objekte apo persona që i mbajnë me vete.

Sipas informacioneve të JDD-së, ky detaj ka orientuar hetuesit drejt një piste tjetër: piloti mund të ketë vepruar nën presionin ose kontrollin e një personi tjetër, të cilin media franceze e përshkruan si një “klient”.

“Gabova lartësinë dhe po flisja me nënën”Përgjigjet e Ermal Beqiraj gjatë marrjes në pyetje janë konsideruar të paqarta nga hetuesit. Sipas burimeve të JDD-së, shqiptari ka deklaruar se kishte gabuar në përcaktimin e lartësisë së fluturimit.

Ai u ka thënë gjithashtu hetuesve se në momentin kur kaloi mbi centralin bërthamor ishte duke folur në telefon me nënën e tij. Por versioni i tij ka ngritur dyshime. Në pikëpyetje është vendosur edhe itinerari i fluturimit.

Avioni ishte nisur nga qyteti i vogël i Albertit, kishte fluturuar drejt Calais, më pas kishte kaluar mbi Bretanjë dhe në fund kishte përfunduar mbi centralin bërthamor të Penly.

Për hetuesit, ky itinerar, së bashku me profilin e pilotit dhe praninë e tre AirTag-ve, ka bërë që ngjarja të trajtohet me vëmendje të veçantë.

7 mijë euro gjobë dhe procedurat për ekstradimSipas JDD-së, shtetasi shqiptar është dënuar me një gjobë prej 7 mijë eurosh në një procedurë të përshpejtuar, për fluturim të ndaluar.

Pas kësaj, ai i është dorëzuar Zyrës Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO). Sipas medias franceze, pritet që më pas ai të ekstradohet drejt Shqipërisë.

Centrali ku po ndërtohen reaktorët e rinjRasti ka marrë një rëndësi të veçantë edhe për shkak të objektivit mbi të cilin u krye fluturimi. Centrali bërthamor i Penly konsiderohet një objekt me rëndësi të madhe, ndërsa aty po ndërtohen edhe reaktorët e rinj bërthamorë EPR-2, një projekt që po ndiqet me interes ndërkombëtar.

Incidenti rikthen në vëmendje edhe raste të tjera të fluturimeve të dyshimta mbi objektet bërthamore në Francë.

Në vitin 2014, disa centrale bërthamore franceze u mbikaluan nga dronë. Ndërsa në muajt e fundit, disa dronë të paidentifikuar kanë fluturuar sërish mbi objekte të ndjeshme ose ushtarake.

Sipas JDD-së, bëhet fjalë për një seri fluturimesh të organizuara me kujdes, të cilat autoritetet franceze nuk ia kanë atribuar zyrtarisht deri tani asnjë shteti të huaj.

Në këtë kontekst, rasti i pilotit shqiptar po hetohet me vëmendje të veçantë, ndërsa pritet që procedurat e mëtejshme të përcaktojnë nëse fluturimi mbi centralin bërthamor ishte thjesht një shkelje e rregullave të aviacionit apo pjesë e një veprimi të organizuar./Politiko.al/ Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm