Drejtoria Rajonale e IKMT Dibër ka bllokuar mbrëmjen e kaluar dy raste të transportit të lëndëve drusore. Sipas njoftimit, ndërhyrja e parë u krye gjatë kontrolleve në aksin Muhur-Selishtë ndërsa e dyta në aksin që lidh Burrelin me Urakën. Gjatë verifikimit të kryer nga punonjësit e IKMT u konstatua se transportimi i lëndës drusore bëhej pa dokumentacionin ligjor. Bëhet e ditur gjithashtu, se në të dy rastet lënda drusore u sekuestrua duke ju vënë në dispozicion njësisë vendore ndërsa ndaj drejtuesve të mjeteve u vendosën masat administrative në përputhje me përcaktimet ligjore. Kontrollet për parandalimin dhe ndëshkimin e ndërhyrjeve të paligjshme në zonat pyjore vazhdojnë në të gjithë territorin e vendit.
