Lajme Zone
Transporti publik i kërkon Ramës heqjen e taksave dhe uljen e TVSH-së
EkonomiJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Transporti publik i kërkon Ramës heqjen e taksave dhe uljen e TVSH-së

Operatorët e transportit publik qytetas i kërkojnë qeverisë të ndërhyjë për të ulur barrën fiskale mbi sektorin, duke propozuar pesë masa konkrete që synojnë të përfshihen në Paketën Fiskale 2027.

Operatorët e transportit publik qytetas i kërkojnë qeverisë të ndërhyjë për të ulur barrën fiskale mbi sektorin, duke propozuar pesë masa konkrete që synojnë të përfshihen në Paketën Fiskale 2027.

Përmes një shkrese të datës 29 tetor, të firmosur nga kryetari Kostandin Foni, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i është drejtuar kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar rishikimin e disa detyrimeve tatimore, të cilat, sipas operatorëve, po rëndojnë ndjeshëm aktivitetin e tyre.

Në dokument theksohet se kostot e karburantit, pagat e punonjësve, mirëmbajtja e autobusëve, siguracionet dhe taksat përbëjnë një barrë të konsiderueshme financiare. Ndërkohë, çmimi i biletave është i rregulluar dhe kompanitë nuk kanë liri të plotë për ta ndryshuar atë në përputhje me rritjen e shpenzimeve.

Një nga kërkesat kryesore është përjashtimi i autobusëve të licencuar nga taksa e qarkullimit, e cila, sipas shoqatës, aplikohet në masën 32 lekë për litër karburant, pa përfshirë TVSH-në.

Operatorët kërkojnë gjithashtu heqjen e akcizës për naftën që përdoret në transportin publik. Nëse kjo masë nuk miratohet, ata propozojnë krijimin e një skeme rimbursimi mujor ose tremujor, bazuar në sasinë e karburantit të konsumuar dhe të dokumentuar.

Një tjetër propozim është vendosja e TVSH-së së reduktuar në masën 6% për transportin publik qytetas, si dhe lehtësira fiskale për karburantin, pjesët e këmbimit, mirëmbajtjen dhe investimet në autobusë.

Sipas shoqatës, këto ndryshime duhet të zbatohen pa sjellë rritje automatike të çmimit të biletave për qytetarët dhe pa cenuar kontratat ekzistuese të shërbimit.

Përfaqësuesit e sektorit ngrenë gjithashtu shqetësimin për vonesat në disbursimin e subvencioneve dhe kompensimeve. Ata kërkojnë që të vlerësohen kostot e transportit falas ose me tarifa të reduktuara për kategori të caktuara qytetarësh, si dhe të sigurohet mbështetje për rinovimin e flotës së autobusëve.

Në kërkesën drejtuar qeverisë, shoqata propozon edhe një analizë të posaçme mbi kostot reale të funksionimit të sektorit dhe ndikimin që lehtësirat e kërkuara do të kishin në buxhetin qendror dhe atë vendor.