Fshati Vidhishtë i bashkisë Roskovec u zgjua sot nën hijen e një zie të rëndë, pas krimit makabër që u mori jetën dy bashkëshortëve të familjes Plaka. Banorët e zonës kanë lënë mënjanë rutinën e përditshme për të mbledhur pranë banesës së viktimave, ku janë hapur dyert e mortit.
Mes lotëve dhe tronditjes, fqinjët, miqtë dhe të afërmit i kujtojnë dy të ndjerët si njerëz të urtë, punëtorë dhe mjaft të respektuar në të gjithë komunitetin.
Përcjellja për në banesën e fundit e dy bashkëshortëve u zhvillua sot në orën 11:00 në varrezat e fshatit Vidhishtë. Qindra banorë e familjarë morën pjesë në ceremoni për t'i dhënë nderimet e fundit çiftit të ndjerë.
Për sa i përket autorit të ngjarjes (ish-dhëndrit të familjes), ceremonia e tij mortore është caktuar të zhvillohet paraditen e së dielës. Ky vendim është marrë nga familjarët dhe autoritetet vendore për të shmangur çdo përplasje apo tension të mundshëm, pasi të dyja familjet jetojnë në të njëjtën zonë dhe do të përdorin të njëjtat varreza fshati.
Edhe pse kanë kaluar pak orë nga ngjarja tragjike, dhimbja në komunitet mbetet e madhe. Banorët e Vidhishtës shprehen se ky krim ka lënë një plagë të thellë sociale dhe se kjo ditë do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre si një nga momentet më të rënda që ka përjetuar fshati.

