Boksi shqiptar është gati të përjetojë një moment historik. Mbrëmjen e sotme, për herë të parë, një boksier shqiptar do të ngjitet në ring për t’u përballur me një nga emrat më të mëdhenj të peshave të rënda dhe një prej figurave më të spikatura të boksit botëror.
Në Xhedah të Arabisë Saudite, duke nisur nga ora 22:00, Kristian Prenga do të masë forcat me ish-kampionin e dyfishtë të botës, Anthony Joshua. Edhe pse britaniku hyn në këtë duel si favorit, prania e një shqiptari në një skenë kaq prestigjioze përbën një arritje të jashtëzakonshme për sportin kuqezi.
Asnjë boksier shqiptar nuk ka pasur më parë mundësinë të përballet me një kampion olimpik dhe ish-kampion të unifikuar të botës në kategorinë e peshave të rënda. Për Prengën, kjo është sfida më e rëndësishme e karrierës, ndërsa për Shqipërinë një moment që mbush me krenari sportdashësit.
I lindur në Orosh të Mirditës, Kristian Prenga e nisi rrugëtimin në boks si amator, përpara se të kalonte në arenën profesioniste në vitin 2016, me debutimin e tij në Mynih. Më pas ai ndërtoi karrierën në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara, ku zhvilloi pjesën më të madhe të ndeshjeve dhe stërvitjeve në New Jersey dhe Filadelfia.
Prenga ka fituar reputacion si një nga goditësit më të fortë të kategorisë së tij. Ai numëron 20 fitore, të gjitha të arritura me nokaut, një statistikë mbresëlënëse që e rendit mes boksierëve me efikasitetin më të lartë në mbylljen e dueleve para limitit. Humbjen e vetme në karrierë e ka pësuar në vitin 2017 ndaj holandezit Giovanni Auriemma, ndërsa vitet e fundit ka shënuar një rritje të vazhdueshme në renditjet ndërkombëtare.
Në këndin tjetër të ringut do të jetë një emër që nuk ka nevojë për shumë prezantim. Anthony Joshua fitoi medaljen e artë olimpike në Londër 2012 dhe më pas u shndërrua në një nga dominuesit e peshave të rënda, duke mbajtur titujt botërorë WBA (Super), IBF dhe WBO.
Gjatë karrierës së tij, Joshua ka triumfuar ndaj emrave të mëdhenj si Wladimir Klitschko, Joseph Parker, Alexander Povetkin dhe Dillian Whyte. Edhe pse ka njohur humbje ndaj Andy Ruiz Jr., Oleksandr Usyk dhe Daniel Dubois, ai vazhdon të konsiderohet një nga boksierët më të respektuar dhe më të ndjekur në planet.
Një fitore do ta afronte Joshua-n edhe më shumë me superduelin e shumëpritur ndaj Tyson Fury. Ndërsa për Kristian Prengën, një sukses sonte do të kishte një peshë shumë më të madhe se çdo titull personal: ai do të hynte në histori si shqiptari i parë që mposht një ish-kampion të unifikuar të botës në peshat e rënda, duke e vendosur boksin shqiptar në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Sonte në Xhedah nuk ngjitet në ring vetëm Kristian Prenga. Bashkë me të ngjiten edhe ëndrrat, shpresa dhe krenaria e të gjithë shqiptarëve.
