Lajme Zone
Tragjedia në Athinë: Dy çiftet kishin shkuar për muaj mjalti, njëri ishte në pritje të një fëmije
SportJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

Tragjedia në Athinë: Dy çiftet kishin shkuar për muaj mjalti, njëri ishte në pritje të një fëmije

Një shpërthim i fuqishëm që shembi një godinë trekatëshe në zemër të Athinës është kthyer në një tragjedi të rëndë, me gjashtë viktima, mes tyre katër persona me origjinë shqiptare.

Një shpërthim i fuqishëm që shembi një godinë trekatëshe në zemër të Athinës është kthyer në një tragjedi të rëndë, me gjashtë viktima, mes tyre katër persona me origjinë shqiptare.

Florin Hoxha, motra e tij Florida Hoxha dhe Eris Cani, bashkëshortja e Florinit, janë mes viktimave të nxjerra nga rrënojat. Florida kishte udhëtuar drejt Greqisë së bashku me bashkëshortin e saj, Ian Alexander Kirkpatrick, i cili gjithashtu humbi jetën në shpërthim.

Sipas të dhënave të bëra publike nga familjarët, Florida dhe Iani ndodheshin në Athinë për muajin e mjaltit. Dyshimet për fatin e tyre nisën pasi pasaportat me emrat e çiftit u gjetën mes rrënojave të godinës.

Një i afërm i tyre kishte bërë më herët apel për informacion, duke shkruar se Florida dhe Iani besohej se ndodheshin në ndërtesën që u shemb në zonën e Plakës.

Ndërkohë, një tjetër detaj prekës është zbuluar për Florin Hoxhën dhe bashkëshorten e tij, Eris Canin. Sipas informacioneve të publikuara, çifti po priste një fëmijë.

Në mesin e viktimave janë edhe Edmond Hings dhe Athina Papapresku, pronarët e ndërtesës ku ndodhi shpërthimi.

Forca e shpërthimit ishte e tillë sa godina trekatëshe u shemb plotësisht, ndërsa ndërtesat përreth pësuan dëmtime. Mbeturinat u shpërndanë në rrugët pranë zonës, ndërsa disa persona u lënduan dhe disa godina u evakuuan.

Dyshimet paraprake janë për një rrjedhje gazi, por shkaku i saktë i shpërthimit ende nuk është përcaktuar dhe hetimet vijojnë.

Ekipet e shpëtimit përdorën mjete të rënda dhe kamera termike gjatë kërkimeve nën rrënoja, në përpjekje për të gjetur persona të bllokuar.

Ngjarja ndodhi në një prej zonave më të frekuentuara të Athinës, në një rrugicë mes Akropolit dhe Tempullit të Zeusit Olimpik.

Një udhëtim që për Floridën dhe Ianin duhej të ishte muaji i tyre i mjaltit, u kthye në një tragjedi të pakthyeshme, ndërsa për Florin dhe Erisin, një tjetër ëndërr familjare u ndërpre në mënyrë tragjike.