Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka nisur zyrtarisht detyrën e tij në Tiranë, pasi i ka dorëzuar letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj.
Takimi mes tyre është bërë publik edhe nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, e cila përmes një reagimi në rrjetet sociale ka zbardhur temat e diskutuara gjatë takimit.
Sipas ambasadës, Wendt dhe Begaj riafirmuan partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ndërsa diskutuan edhe për prioritetet e administratës së Presidentit Donald Trump.
Në fokus të bisedimeve ishin bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, rritja ekonomike dhe lufta kundër grupeve kriminale transnacionale. “Ambasadori Wendt dhe Presidenti Begaj riafirmuan partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutuan për çuarjen përpara të përparësive të administratës së Presidentit Donald J. Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së. Wendt është ambasadori i ri amerikan në Shqipëri dhe pas paraqitjes së kredencialeve te Presidenti Begaj pritet të vijojë angazhimet e tij diplomatike në vend.

