Një tentativë për trafikimin e rreth 91 kilogramëve kanabis drejt Greqisë është goditur në pikën kufitare të Kakavijës. Shtetasit Klejdi Agalliu dhe Bukurije Agalliu, bashkëshortë, janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Risku 1”.
Kontrollet e shtuara të Policisë Kufitare, bazuar në analizën e riskut, çuan në kalimin e një furgoni në kontroll të detajuar me skaner dhe më pas në vijën e dytë.
Gjatë kontrollit, policia zbuloi rreth 88 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis, të fshehura në vende të krijuara posaçërisht në dyshemenë e furgonit. Sasia totale e drogës ishte rreth 91 kilogramë.
Në pranga u vunë drejtuesi i mjetit, K. A., 28 vjeç, dhe pasagjerja B. A., 25 vjeçe, të dy banues në Tiranë dhe bashkëshortë.
Njoftimi:
PKK Kakavijë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Risku 1”.
Falë kontrolleve të shtuara nga Policia Kufitare bazuar në analizën e riskut, parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për trafikimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë.
Gjatë kontrolleve intensive, me përdorimin e mjeteve logjistike bashkëkohore, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në brendësi të një furgoni rreth 88 pako me lëndë narkotike të dyshuar cannabis, me peshë totale rreth 91 kilogramë.
Vihet në pranga drejtuesi i furgonit dhe pasagjerja, bashkëshortë me njëri-tjetrin.
Shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve të imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe i intensifikimit të kontrolleve bazuar në analizën e riskut në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, kaluan për kontroll të detajuar në skaner dhe më pas në vijën e dytë, në dalje të RSh-së, furgonin që drejtohej nga shtetasi K. A..
Nga kontrolli i imtësishëm, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura, në vende të krijuara posaçërisht në dyshemenë e furgonit, poshtë shtresës së saj, rreth 88 pako, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar cannabis, me peshë totale rreth 91 kilogramë.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit K. A., 28 vjeç, dhe B. A., 25 vjeçe, të dy banues në Tiranë, bashkëshortë me njëri-tjetrin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 91 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis dhe furgoni.
Strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me DVP-të e tjera, nën drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Top Channel

