Një operacion i koduar “Hallkat” është finalizuar nga Policia e Durrësit, duke çuar në arrestimin e dy personave të dyshuar për trafikim armësh zjarri nga Kosova drejt Shqipërisë.
Në pranga ka rënë Muhedin Bajraktari, 34 vjeç, banues në Kukës, i cili, sipas policisë, u kap në flagrancë në Maminas teksa transportonte armët me automjet.
Gjatë kontrollit të automjetit ku ai udhëtonte, policia sekuestroi 3 pistoleta dhe 34 fishekë luftarakë, të cilat dyshohet se ishin trafikuar nga Kosova me qëllim shitjen te persona të përfshirë në grupe kriminale. Në kuadër të operacionit u arrestua edhe një 39-vjeçare, banuese në Prizren, e dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e Bajraktarit, ku efektivët gjetën dhe sekuestruan një armë të ftohtë, një dorezë hekuri.
Sipas autoriteteve, operacioni është zhvilluar pas një hetimi disa-javor me qëllim parandalimin e trafikimit të armëve të zjarrit dhe identifikimin e personave që mund të furnizojnë grupe kriminale në qytete të ndryshme të vendit.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë rrjetin e dyshuar të trafikimit dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet
