Një tornado e fuqishme ka përfshirë bregdetin perëndimor të Siçilisë, në Itali, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke lënë disa persona të plagosur, mes tyre edhe fëmijë. Fenomeni ekstrem goditi zonën e Marsalës, ku erërat e forta përmbysën automjete, dëmtuan ndërtesa dhe shkaktuan kaos në rrugë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një kolonë gjigante pluhuri dhe mbeturinash që përshkon vijën bregdetare, ndërsa erërat e fuqishme ngrenë objekte në ajër dhe përmbysin makina.
Sipas raportimeve të mediave lokale, dy persona u plagosën rëndë pasi automjeti me të cilin udhëtonin u përmbys në një përrua nga forca e erës. Shkalla e saktë e dëmtimeve të tyre nuk është bërë ende e qartë.
Stuhia goditi gjithashtu shkollën Alcide De Gasperi në zonën e Strasattit, ku disa fëmijë mbetën të plagosur gjatë orës së mësimit, pasi një vorbull e dyfishtë ere përfshiu ndërtesën. Sipas gazetës La Sicilia, raftet e librave u përmbysën dhe dritaret u thyen nga fuqia e erës, duke shkaktuar panik mes nxënësve dhe stafit të shkollës. Shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve. Asnjë nga lëndimet e raportuara në shkollë nuk besohet të jetë kërcënuese për jetën, megjithatë një djalë u transportua me urgjencë në spital. Dëme u raportuan edhe në ndërtesa të tjera, ku erërat e forta shkatërruan çati dhe shpërndanë mbeturina nëpër rrugë. Fotot e publikuara tregojnë automjete të përmbysura plotësisht dhe re të dendura pluhuri që mbuluan zonën bregdetare.
Stuhitë dhe shirat e rrëmbyeshëm kanë përfshirë rajonin për disa orë, veçanërisht zonën e Trapanit dhe bregdetin e Tirrenit, duke përkeqësuar kushtet atmosferike.
Autoritetet po vlerësojnë pasojat e motit ekstrem, ndërsa pamjet nga Marsala tregojnë shkallën e dëmeve të shkaktuara nga fenomeni i pazakontë atmosferik. Top Channel

