Dokumenti “BESA” që kreu i qeverisë Edi Rama dorëzoi dje në mbledhjen e kabinetit dhe grupit parlamentar socialist, parashikon krijimin e strukturave dhe instrumenteve të reja për qeverisjen. Dokumenti strategjik “BESA”, parashikon ngritjen e disa strukturave dhe mekanizmave të rinj që synojnë të ndryshojnë mënyrën e funksionimit të qeverisë dhe administratës publike.
Në këtë dokument që Top Channel e disponon, specifikohet se një prej tyre është Njësia BESA, e cila do të funksionojë pranë strukturës ekzistuese të planifikimit strategjik në Kryeministri. Sipas dokumentit, njësia do të ketë rol koordinues në zbatimin e metodës BESA, duke lidhur standardet, të dhënat dhe raportimin mes institucioneve, pa marrë kompetencat e ministrive apo të institucioneve të tjera.
Dokumenti parashikon gjithashtu krijimin e platformës publike “Flamingo Mirror”, (pasqyra e flamingove) e cila do të shërbejë si një ndërfaqe dixhitale dygjuhëshe për publikimin e dokumenteve, konsultimeve, evidencave, afateve, zotimeve dhe rezultateve të vendimeve me interes të lartë publik. Platforma synon të rrisë transparencën dhe të kundërshtojë dezinformimin përmes publikimit të të dhënave dhe dokumentacionit përkatës.
Një tjetër mekanizëm i propozuar është Barometri Kombëtar i Besimit, i cili përshkruhet si një instrument i pavarur për matjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve. Sipas dokumentit, rezultatet e tij do të përdoren si tregues i performancës institucionale, ndërsa metodologjia dhe të dhënat e agreguara do të bëhen publike.
Po ashtu, dokumenti propozon ngritjen e Laboratorit të Politikave Publike, një mekanizëm që do të përdoret për testimin e reformave në shkallë të kufizuar përpara zbatimit të tyre në nivel kombëtar. Sipas dokumentit, laboratori nuk do të jetë një institucion i ri, por një mënyrë për të pilotuar politika publike dhe për të vlerësuar efektet e tyre përpara marrjes së vendimeve përfundimtare. Top Channel

