Lajme Zone
“Tmerri” i Europës: Dubai ‘i dorëzon’ Belgjikës trafikantin famëkeq, Eldi Dizdari
BotëJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

“Tmerri” i Europës: Dubai ‘i dorëzon’ Belgjikës trafikantin famëkeq, Eldi Dizdari

Pas vitesh kërkimesh nga autoritetet europiane, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vendosur ekstradimin drejt Belgjikës të Denis Matoshit, i njohur në Shqipëri si Eldi Dizdari. 37-vjeçari konsiderohet nga autoritetet belge si një prej emrave të lidhur me drejtimin e organizatës kriminale shqiptare “Kompania Bello”.

Pas vitesh kërkimesh nga autoritetet europiane, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vendosur ekstradimin drejt Belgjikës të Denis Matoshit, i njohur në Shqipëri si Eldi Dizdari. 37-vjeçari konsiderohet nga autoritetet belge si një prej emrave të lidhur me drejtimin e organizatës kriminale shqiptare “Kompania Bello”.

Vendimi është konfirmuar më 25 shtator nga mediat belge, të cilat raportojnë se ekstradimi vjen pas një procedure të gjatë. Prokuroria belge ka bërë me dije se Emiratet kanë pranuar dorëzimin e Matoshit, i cili në Antwerp njihet edhe me pseudonimet “Alduth” dhe “De Lange Albanees (shqiptari i gjatë)”.

Matoshi është dënuar nga drejtësia belge me 10 vite burg, ndërsa vendimi i Emirateve i hap rrugën transferimit të tij drejt Belgjikës për vuajtjen e dënimit.

Emri i tij prej vitesh është në vëmendjen e autoriteteve të disa vendeve europiane. Sipas mediave belge, policitë e Belgjikës, Italisë, Holandës dhe Shqipërisë e kanë konsideruar Matoshin si një nga figurat e rëndësishme të “Kompania Bello”, një rrjet i përbërë nga grupe kriminale shqiptare, i dyshuar për trafikimin në shkallë të gjerë të kokainës nga Ekuadori drejt porteve europiane.

Sipas dosjeve belge, Matoshi dyshohet se ka organizuar dërgimin e sasive të mëdha të kokainës drejt porteve të Antwerp-it dhe Rotterdam-it. Hetuesit belgë e kanë lidhur gjithashtu me grupin e Bayram Y., i cili dyshohet se kishte siguruar akses në port përmes lidhjeve me një punonjës të kompanisë që administronte terminalet e kontejnerëve.

Për Matoshin, Dubai nuk është një emër i panjohur. Në vitin 2020, ai u arrestua në Emirate pas një kërkese të drejtësisë italiane, në kuadër të operacionit kundër “Kompania Bello”. Megjithatë, në atë kohë ai nuk u ekstradua dhe u la i lirë.

Që prej asaj periudhe, Emiratet u kthyen në bazën e qëndrimit të tij, ndërsa mediat belge kanë raportuar edhe për investime të konsiderueshme të Matoshit në pasuri të paluajtshme në Dubai.

Emri i tij është përmendur gjithashtu në proceset gjyqësore në Belgjikë që lidhen me të ashtuquajturin “Klani Y.”. Në fillim të vitit 2025, Prokuroria belge kërkoi 8 vite burg për Matoshin, duke e konsideruar drejtues të dyshuar të “Kompania Bello”. Procesi përfi me dënimin e tij me 10 vite burg.

Vendimi i fundit nga Emiratet shënon një zhvillim të rëndësishëm pas vitesh kërkesash për dorëzimin e tij. Megjithatë, deri në këtë fazë, bëhet fjalë për vendimin për ekstradim dhe jo për mbërritjen e tij në Belgjikë.

Eldi Dizdari është përmendur edhe në hetimet e SPAK në Shqipëri, ku emri i tij shfaqet në dosje që lidhen me trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe rrjete shqiptare të dyshuara për transportin e drogës nga Amerika Latine drejt Europës.

Tashmë, pas vendimit të Emirateve, pritet që Matoshi të dorëzohet te autoritetet belge, ku e pret dënimi prej 10 vitesh burg të dhënë nga drejtësia e këtij vendi.