Tiranë – Një shpërthim me lëndë plasëse në derën e një banese private në lagjen “Tufinë” është zbardhur nga Policia e Tiranës, ndërsa tre vëllezër janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të ngjarjes.
Ngjarja ndodhi rreth orës 00:30, më 8 gusht në banesën e shtetasit J. M., 72 vjeç. Sipas Policisë, shpërthimi shkaktoi dëme të pakta materiale.
Në kuadër të operacionit të koduar “Motivi”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kryen veprimet hetimore dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke bërë të mundur identifikimin e tre personave të dyshuar. Në kërkim janë shpallur shtetasit 39 vjeç, 43 vjeç dhe 41 vjeç, të tre vëllezër dhe me precedentë të mëparshëm penalë. Ata dyshohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dhe informacionet e siguruara në rrugë operative, policia dyshon se tre vëllezërit kanë vendosur dhe shpërthyer lëndën plasëse në derën e banesës së 72-vjeçarit, për motive të dobëta.
Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tre personave të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet policiaTiranë

