Lajme Zone
Tirana u shkrumbua, Anuela Ristani “ndez” tenderin 313,000€ për një zjarrfikëse!
PolitikëJOQ Albania

Tirana u shkrumbua, Anuela Ristani “ndez” tenderin 313,000€ për një zjarrfikëse!

Kur pemët bëhen shkrumb e hi dhe tymi mbyt rrethinat e kryeqytetit, zyrat e Bashkisë së Tiranës gëlojnë nga llogaritë e tenderëve. Një zjarrfikëse e re ‘për terrene të vështira’ fshihet pas procedurave të ftohta burokratike, ndërsa pyjet e Dajtit dhe Priskës digjeshin nën sytë e një pushteti që reagon vetëm pasi dëmi është bërë.

Anuela Ristani ka zgjedhur kornizën e rehatshme të zyrave për të lëshuar një tender me vlerë 313 mijë euro.

Ndërsa flakët përpinë pa mëshirë pyjet e Priskës së Madhe, Dajtit, mbi tunelet e Qafë-Mollës, e deri në aksin Gurrë–Farkë–Lundër, institucioni që drejton kryeqytetin u “kujtua” të hapë qesen vetëm kur tymi kishte mbuluar çdo cep të Tiranës. Ky nuk është thjesht një reagim i vonuar, është një tallje e hapur me djersën, pasurinë natyrore dhe sigurinë e qytetarëve, të cilët mbeten të pambrojtur përballë çdo emergjence.

Ajo që bie në sy dhe lë hapësirë për dyshime të forta është rrjeta e ngushtë e kritereve teknike dhe ekonomike të vendosura në këtë procedurë prokurimi.

Kompanitë konkurruese duhet të provojnë një xhiro prej të paktën 40% të fondit limit, ose rreth 116 milionë lekë vetëm për një vit gjatë tre viteve të fundit. Kushti për të zotëruar ose marrë me qira një hapësirë brenda territorit të Bashkisë së Tiranës dhe inxhinierë mekanikë e xhenerikë, e redukton ndjeshëm hartën e operatorëve që mund t'i përgjigjen thirrjes.

Ndërsa mjeti kërkohet të jetë për tregun e BE-së me garanci 3 deri në 5 vjet, ironia qëndron tek fakti se standardet e reaktivitetit institucional të Bashkisë së Tiranës duket se kanë mbetur shumë larg çdo standardi të mbrojtjes civile europiane.

Qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të pyesin: Ku ishte kjo vëmendje, ky alarm dhe ky mjet “për terrene të vështira” kur kodrat e Dajtit dhe Priskës kërkonin ndihmë të dëshpëruar?

Përse tenderët për pajisje jetike hapen gjithmonë pas rënies së këmbanave të alarmit dhe kur dëmi ekologjik është i pariparueshëm?