Akademikë nga diaspora dhe Shqipëria, drejtues universitetesh, profesionistë, sipërmarrës, studentë, institucione publike dhe partnerë ndërkombëtarë do të bëhen bashkë në konferencën Diaspora4Innovation që do të zhvillohet më 10 dhe 11 shtator, tek Piramida e Tiranës. Në këtë konferencë dy ditore do të prezantohen rezultatet e nismës Diaspora4Innovation, e cila gjatë dy viteve të fundit ka angazhuar ekspertizën e diasporës shqiptare në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, sipërmarrjen dhe inovacionin në Shqipëri. Në kuadër të nismës, GIZ Albania, GERMIN dhe 11 universitete shqiptare nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të krijuar bashkëpunim të qëndrueshëm mes Diasporës Akademike Shqiptare dhe arsimit të lartë në Shqipëri. Gjatë zbatimit të projektit janë angazhuar 11 akademikë nga diaspora dhe 15 akademikë nga 11 universitete në Shqipëri, ndërsa 22 ekspertë të tjerë të diasporës kanë mbështetur programe për startupe dhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të arsimit të lartë për aplikime në programe evropiane. Në kuadër të nismës, 71 startupe shqiptare, prej të cilave 44 të themeluara nga gra, kanë përfituar nga mentorimi dhe ekspertiza e diasporës, ndërsa 14 kurse universitare me 554 studentë janë zhvilluar dhe pasuruar përmes përfshirjes së akademikëve nga diaspora. Konferenca do të fokusohet në rezultatet dhe mësimet e nxjerra nga projekti, bashkëpunimin mes diasporës dhe universiteteve, edukimin për sipërmarrjen dhe krijimin e mekanizmave më të qëndrueshëm për angazhimin e ekspertizës së diasporës në Shqipëri. Në program do të marrin pjesë gjithashtu ekspertë ndërkombëtarë nga Armenia, Britania e Madhe, Australia, Danimarka, Franca, Gjermania, Norvegjia dhe vende të tjera, të cilët do të sjellin perspektiva dhe modele ndërkombëtare mbi angazhimin e diasporës, arsimin dhe inovacionin. GERMIN është një organizatë që lidh dhe fuqizon shqiptarët në mbarë botën, duke mobilizuar njohuritë, përvojën dhe rrjetet e diasporës në mbështetje të zhvillimit demokratik, ekonomik dhe shoqëror të vendeve të origjinës. Përmes inovacionit, teknologjisë, sipërmarrjes dhe krijimit të partneriteteve strategjike, GERMIN ndërton ura të qëndrueshme ndërmjet diasporës dhe komuniteteve vendore, duke nxitur bashkëpunimin, udhëheqjen dhe ndryshimet me ndikim afatgjatë. EU4Innovation është një projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), si dhe Sida. Projekti zbatohet nga GIZ Shqipëri si organizatë kryesuese në zbatim dhe Sida si përgjegjëse për Challenge Fund. Projekti mbështet Qeverinë e Shqipërisë në arritjen e objektivave kryesorë në fushën e zhvillimit ekonomik, përmes përshpejtimit dhe transformimit në një ekonomi të nxitur nga inovacioni dhe të bazuar në njohuri, duke i dhënë hov kapitalit të saj njerëzor, potencialit sipërmarrës si dhe të kërkimit, dhe duke rritur kështu konkurrueshmërinë. Objektivi specifik i projektit është rritja e pjekurisë dhe ekspozimit të ekosistemit shqiptar të start-up-it dhe novacionit dhe anëtarëve të tij.
