Prishtina është bërë sot pikëtakimi i tifogrupeve shqiptare, të cilat janë mbledhur në një protestë të përbashkët në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pak kohë pas dënimit të tyre në Hagë.
Tifozë të ardhur nga qytete të ndryshme shqiptare kanë marshuar në sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të Kosovës, duke mbajtur flamujt kombëtarë dhe atë të Kosovës. Gjatë protestës janë dëgjuar thirrje në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së, ndërsa pjesëmarrësit kanë përcjellë mesazhe kundër zhvillimeve të fundit në procesin gjyqësor.
Ajo që e veçon protestën është pjesëmarrja e gjerë e grupeve të tifozëve nga trevat shqiptare, të cilat për këtë tubim kanë lënë mënjanë rivalitetet sportive dhe janë shfaqur së bashku në Prishtinë.
Atmosfera është shoqëruar edhe me ndezjen e flakadanëve të zinj, të përdorur nga tifozët si simbol proteste dhe kundërshtimi. Pamjet nga tubimi kanë përcjellë një mesazh të qartë për bashkimin e tifozëve rreth kauzës së tyre.
“UÇK-ja nderohet kur shqiptaria bashkohet” ishte një nga mesazhet që shoqëroi protestën, e cila mblodhi tifozë nga disa prej grupeve më të njohura shqiptare.
Një tubim që, përtej rivaliteteve në tribuna, solli në të njëjtin shesh tifozë nga qytete të ndryshme shqiptare.

