Pas rastit të gjashtë fëmijëve të një kopshti në Korçë, të cilët u dërguan në spital me simptoma gastrointestinale, situata duket se është më e gjerë. Burime bëjnë me dije se edhe disa fëmijë të tjerë kanë shfaqur simptoma të ngjashme, por nuk janë paraqitur në spital.
Sipas prindërve, shqetësimet shëndetësore janë shfaqur pas konsumimit të drekës në kopsht. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së fëmijëve.
Ndërkohë, lidhur me ngjarjen është proceduar penalisht në gjendje të lirë një mjeke në Pediatrinë e Spitalit Rajonal të Korçës dhe drejtoresha e kopshtit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas hetimeve, mjekja dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin për të njoftuar policinë për rastet e fëmijëve të paraqitur në spital, ndërsa drejtoresha dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimet lidhur me kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.
Pavarësisht dyshimeve për ushqimin, ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse simptomat janë shkaktuar nga ushqimi i konsumuar në kopsht. Analizat laboratorike pritet të përcaktojnë shkakun e saktë.

