Thatësira e zgjatur dhe temperaturat ekstreme që kanë përfshirë Evropën kanë ulur ndjeshëm nivelin e ujërave të Danubit, duke krijuar situata të pazakonta në Serbi dhe Kroaci. Në shumë zona, lumi është tërhequr me qindra metra, duke lënë pas brigje të gjera me rërë, llum dhe duke nxjerrë në sipërfaqe anije të fsura prej dekadash.
Në marinën e Novi Sadit, dhjetëra anije kanë mbetur të bllokuara mbi një shtresë të trashë llumi të gjelbër, pasi uji është tërhequr ndjeshëm. Ndërkohë, këtë javë Danubi arriti nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë në Serbi dhe Kroaci.
Në Kroaci, rënia e nivelit të lumit zbuloi një anije mallrash të fsur që nga viti 1937. Ndërsa në lindje të Serbisë kanë dalë mbi sipërfaqe mbetjet e ndryshkura të një konvoji gjerman të fsur në vitin 1944, të cilat tashmë konsiderohen rrezik për lundrimin.
Pamjet e krijuara nga tërheqja e ujit janë bërë simbol i situatës së pazakontë. Në Beograd, një pronar restoranti vendosi tavolina dhe karrige mbi një grumbull gurësh që u shfaq në mes të lumit, një zonë që deri pak javë më parë ishte e mbuluar plotësisht nga uji.
Pasojat po ndihen edhe në ekonomi. Ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Djedović-Handanović, bëri të ditur se importet e karburantit përmes Danubit kanë rënë në vetëm 25% të objektivit mujor për korrikun, pasi anijet cisternë janë detyruar të lundrojnë me vetëm 30 deri në 40% të kapacitetit të tyre për shkak të thellësisë së pamjaftueshme të lumit.
Nivelet e ulëta të ujit kanë goditur gjithashtu sektorin e peshkimit dhe turizmit në Serbi, ndërsa specialistët paralajmërojnë se thatësira mund të ketë pasoja afatgjata edhe për ekosistemin dhe faunën e Danubit.
Sipas Shërbimit Hidrometeorologjik të Serbisë, reshjet e pritshme në rrjedhën e sipërme të lumit mund të sjellin një rritje të lehtë të nivelit të ujit në ditët në vijim, por jo të mjaftueshme për të rikthyer situatën në normalitet.

