Teuta ka regjistruar një tjetër fitore të rëndësishme në kampionat, duke mposhtur Dinamon me rezultatin e pastër 2-0 në duelin e vlefshëm për javën e shtatë të Superiores.
Skuadra durrsake e nisi ndeshjen në "Elbasan Arena" me ritëm të lartë dhe arriti të zhbllokojë sfidën në minutën e 31-të falë një devijimi të saktë të sulmuesit Pedro pas një harkimi të bukur nga Mala.
Pjesa e parë u mbyll me këtë avantazh minimal, ndërkohë që durrsakët patën edhe mundësi të tjera shënimi me anë të Kallakut, por u ndalën nga reflekset e portierit Teqja.
Edhe fraksioni i dytë foli për miqtë, të cilët vulosën fatin e këtij takimi në minutën e 62-të, kur Arifi shfrytëzoi në maksimum një top nga Fangaj për të dyfishuar shifrat.
Pavarësisht përpjekjeve të kryeqytetasve dhe lëvizjeve nga pankina për të ndryshuar lojën me zëvendësime, mbrojtja bregdetare u shfaq e pakalueshme duke mos lejuar hapësira të rrezikshme. Në minutat e mbetura, Teuta administroi me qetësi avantazhin, madje rrezikoi sërish me Dacin i cili goditi shtyllën, ndonëse aksioni u ndal për pozicion jashtë loje.
Me këtë sukses bindës, durrsakët konfirmojnë marshimin e tyre absolut në krye të renditjes, duke grumbulluar 19 pikë pas gjashtë fitoreve dhe një barazimi në shtatë javët e para.
Nga ana tjetër, ky rezultat thellon momentin negativ të Dinamos, e cila pëson disfatën e dytë radhazi por mbetet momentalisht në vendin e tretë me 12 pikë. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

