Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 21:00 janë regjistruar 26 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive, 4 nën mbikëqyrje dhe 1 nën kontroll.
Për përballimin e situatës vijon angazhimi i koordinuar i strukturave vendore dhe qendrore, të mbështetura nga 270 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Gojan–Gjegjan, Pukë, vijon puna intensive për shuarjen dhe izolimin e vatrave në një terren të vështirë. Janë angazhuar 6 automjete zjarrfikëse me 29 efektivë MZSH, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 50 forca bashkiake, 50 vullnetarë dhe 40 efektivë të FA-së, të mbështetur nga 1 automjet zjarrfikës dhe 2 helikopterë të FA-së. Forcat dhe mjetet janë pozicionuar në pikat me rrezik për ndërhyrje të menjëhershme. Falë ndërhyrjes janë shpëtuar 2 banesa të banuara, ndërsa janë marrë masa edhe për evakuimin e disa banorëve. Në Shtanë, Mirditë, vijon angazhimi për mbrojtjen e zonës së banuar me 40 forca bashkiake, të mbështetura nga 30 efektivë të FA-së, 2 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Policia e Shtetit ka evakuuar banorët e rrezikuar, ndërsa në zonë është dislokuar edhe një ambulancë.
Në Dukat, Vlorë, është përforcuar ndjeshëm angazhimi. Në terren operojnë 2 automjete zjarrfikëse me 9 efektivë, 8 punonjës të pyjores, 12 forca të Njësisë Administrative Orikum dhe 100 efektivë të FA-së, ndërsa nga ajri operacioni është mbështetur nga 2 avionë Air Tractor.
Pavarësisht shtrirjes së vatrës në drejtim të malit, nuk rrezikohen banesa.
Në Dajt, Tiranë, vijon puna për izolimin e vatrave të mbetura me 30 efektivë të FA-së, 13 efektivë MZSH, 9 forca të AZM-së dhe 1 helikopter të FA-së. Një pjesë e vatrave janë izoluar plotësisht dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Bërshi, Klos, janë angazhuar 5 efektivë zjarrfikës, 10 forca bashkiake dhe 30 efektivë të FA-së. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, ndërhyrjet e deritanishme kanë sjellë përmirësim në disa zona: Farka është nën kontroll, ndërsa Mal Miloti, Lufaj, Kalivaç dhe mali i Çikës mbahen nën mbikëqyrje. Në Mal Milot zjarri është shuar pas ndërhyrjes së strukturave vendore dhe FA-së. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet Ministria e Mbrojtjeszjarr

