Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, i ftuar në studion e News24, deklaroi se protestat e zhvilluara së fundmi kanë tronditur pushtetin e kryeministrit Edi Rama. Gjatë intervistës, ai u ndal edhe te situata brenda PD-së, akuzat ndaj opozitës dhe thirrjet e një pjese të protestuesve për largimin e klasës së vjetër politike. Gjekmarkaj theksoi se Partia Demokratike përfaqëson një pjesë të shqiptarëve, bazuar në raportin e saj me votën, ndërsa protestat e studentëve dhe ato të zhvilluara më herët i sheh si pjesë të njëra-tjetrës dhe jo si lëvizje antagoniste. Sipas tij, PD nuk kërkon të marrë meritat për protestat dhe as të vendosë monopol mbi to, por siç tha ai, ka ngritur vazhdimisht kauza kundër korrupsionit, skandaleve, kapjes së shtetit dhe dobësimit të debatit parlamentar. I pyetur për të ardhmen e Sali Berishës në drejtimin e Partisë Demokratike dhe thirrjet për largimin e klasës së vjetër politike, Gjekmarkaj deklaroi se fati politik i kryetarit të PD-së përcaktohet nga raporti i tij me demokratët dhe nga vota e anëtarësisë. “PD-ja përfaqëson një pjesë të shqiptarëve dhe këtë e ka përcaktuar raporti me votën. Që kur filluan protestat e flakadanëve dhe të studentëve, nuk i kam parë kurrë me qëndrime antagoniste, por si vijim të njëra-tjetrës. PD-ja nuk kërkon monopolin në këto protesta dhe nuk kërkon të marrë merita. Ajo ka ngritur kauza dhe ka protestuar si askund tjetër, në raport me korrupsionin, skandalet, kapjen e shtetit, zhdukjen e debatit parlamentar. E ka çuar rininë shqiptare në këtë shpërthim. Fati i zotit Berisha përcaktohet nga vetë Berisha dhe raporti që ka me demokratët. Një partie politike, opozitës së Shqipërisë, PD-së, askush nuk mund t’ia përcaktojë kryetarin përveçse vota e demokratëve që bashkëndajnë të njëjtën ide. E provoi edhe zoti Blinken për ta larguar zotin Berisha nga skena; e provuan edhe grupe të infiltruara në këtë protestë, sepse edhe qeveria fut njerëzit e saj.
PD-së i bën mirë çdo gjë që duan anëtarët e saj. Ajo që duan demokratët është e mira për PD-në. Qytetarët kanë zërin e tyre, qytetarë janë edhe demokratët. Sali Berisha është zgjedhur në mënyrë referendare nga demokratët dhe ka mbështetjen e tyre.
Në bulevard është një grup që thërret atë parullë. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë grupe të infiltruarish për ta ulur frymën e kësaj proteste. PD-ja ka vetëm një qëllim: ta mbështesë dhe t’i ruajë protestuesit dhe pedagogët, të cilët, sipas tij, i kërcënon kryeministri. Pedagogët janë investim i Shqipërisë.
Studentët e kanë kuptuar se u duhet mbështetja jo vetëm e PD-së, por e çdo partie që është kundër këtij establishmenti. Ne jemi aty për t’i mbështetur, pa kërkuar asnjë monopol dhe pa u diktuar asnjë linjë politike, si dhe për t’i mbrojtur nga dhuna e policisë në komisariate. Sepse mbi ta po ushtrohet terror dhe dhunë fizike, si në burgjet e Pinochetit”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: agron gjekmarkaj
