Rreth 91 kilogramë kanabis janë sekuestruar në pikën kufitare të Kakavijës, ndërsa në pranga kanë rënë dy bashkëshortë nga Tirana, të dyshuar për trafikimin e lëndës narkotike drejt Greqisë. Gjatë kontrollit të një furgoni që po dilte nga Shqipëria, shërbimet e Policisë zbuluan rreth 88 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Pakot ishin fshehur në vende të krijuara posaçërisht në dyshemenë e mjetit, poshtë shtresës së saj. Në vijim të operacionit u arrestuan në flagrancë drejtuesi i furgonit, K. A., 28 vjeç, dhe pasagjerja B. A., 25 vjeçe, bashkëshortë me njëri-tjetrin dhe banues në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 91 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis, si dhe furgoni. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

