Një 14-vjeçar është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Krujës, pasi dyshohet se ka tentuar të vjedhë me thyerje një market në pedonalen e qytetit. Policia bën me dije se i mituri u identifikua dhe u shoqërua pak orë pas kryerjes së veprës penale, ndërsa u sekuestruan sendi i fortë (çekiç), me të cilin dyshohet se ka thyer xhamat e subjektit, si dhe veshjet që mbante në momentin e ngjarjes. “Menjëherë pas njoftimit për një tentativë për vjedhje me thyerje, në orët e para të mëngjesit të sotëm, në një market në pedonalen e qytetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë kryen veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për kapjen e autorit”, njofton policia. Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikua dhe u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë, pak orë pas ngjarjes, autori i dyshuar, një 14-vjeçar. Me të miturin vijojnë të kryhen veprime procedurale, me asistencën e prindërve, mbrojtësit ligjor dhe psikologut. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

