Një revoltë ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në burgun “Don Bosco” në Pisa, ku situata raportohet e tensionuar. Protesta ka nisur rreth orës 18:00 dhe, sipas informacioneve të para, është përhapur edhe në seksione të tjera të institucionit.
Një grup prej rreth 40 të burgosurish është barrikaduar brenda një prej seksioneve dhe ka bllokuar hyrjen duke përdorur dyshekë dhe materiale të tjera. Raportohet gjithashtu për hedhje objektesh dhe uji në drejtim të forcave të policisë penitenciare.
Të burgosurit kanë kërkuar të takohen me komandantin e policisë penitenciare dhe drejtoreshën e burgut, ndërsa në vendngjarje janë mobilizuar forca të shumta për të rikthyer situatën nën kontroll. Përforcime të policisë penitenciare janë nisur edhe nga Firence.
Situata është transmetuar drejtpërdrejt në TikTok nga një i burgosur shqiptar, i cili ka treguar barrikadat e ngritura nga të burgosurit, ndërsa efektivë të policisë penitenciare shfaqen të pajisur me mburoja dhe shkopinj, në gatishmëri për ndërhyrje.
Në video shfaqen edhe disa pajisje elektronike përgjimu, të cilat i burgosuri pretendon se janë gjetur brenda disa qelive dhe se zbulimi i tyre ka shkaktuar revoltën.
Gjatë transmetimit dëgjohen gjithashtu thirrje për mjek dhe ambulancë, ndërsa sipas raportimeve disa të burgosur kanë kërkuar ndërhyrje mjekësore. Raportohet se, gjatë përpjekjes për të rikthyer qetësinë, mund të jenë përdorur edhe gazra lotsjellës, megjithëse ky informacion mbetet për t’u konfirmuar zyrtarisht.
Revolta vjen në një kohë kur prej muajsh janë ngritur shqetësime për kushtet në burgun “Don Bosco”. Dhoma Penale e Pisës, organizatat e vullnetarëve dhe garantuesja për personat e privuar nga liria kanë denoncuar mbipopullimin e burgut, ku ndodhen më shumë se 300 të burgosur, si dhe probleme të kushteve higjienike. Sipas këtyre denoncimeve, në institucion janë raportuar probleme me insektet në shtretër dhe mungesë të dusheve, ndërsa numri i të burgosurve është rritur edhe pas transferimeve nga burgu i Sollicciano-s.
Situata në burgun “Don Bosco” vijon të jetë në zhvillim, ndërsa autoritetet po përpiqen të rikthejnë kontrollin në të gjitha seksionet e prekura nga revolta.

