Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u ka bërë të ditur ditët e fundit disa homologëve të tij të huaj se, për momentin, Shtetet e Bashkuara nuk planifikojnë të ndërmarrin sulme të reja ndaj Iranit. Sipas raportimeve të Axios, Rubio ka shpjeguar se Uashingtoni po përqendrohet aktualisht në forma të tjera presioni ndaj Teheranit, përfshirë nismën e re për sanksione të njoftuar këtë javë.
Një burim i cituar nga Axios tha se Rubio ka bërë të qartë se SHBA-ja nuk po planifikon rikthimin në operacione të gjera luftarake kundër Iranit. Megjithatë, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e sulmeve në rast se Irani ndërmerr një sulm i pari.
Ndërkohë, një tjetër zyrtar amerikan e ka cilësuar si një moment kyç në konflikt operacionin e Marinës amerikane për çminimin e Ngushticës së Hormuzit.
Sipas zyrtarit, heqja e minave ka neutralizuar në masë të madhe një prej mjeteve kryesore të presionit që Irani mund të përdorte në këtë zonë strategjike.
Situata mes Uashingtonit dhe Teheranit mbetet e tensionuar, ndërsa SHBA-ja duket se po i jep përparësi presionit ekonomik dhe diplomatik, duke lënë të hapur mundësinë e një reagimi ushtarak nëse Irani ndërmerr veprime të reja kundër forcave amerikane. Top Channel

