Protesta e zhvilluar këtë të enjte, 8 tetor, para Kuvendit kundër Reformës Administrativo-Territoriale u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit. Tubimi nisi me protestuesit që u mblodhën përpara Parlamentit, ndërsa në terren ishte vendosur një perimetër i gjerë sigurie dhe barriera metalike për të mbajtur turmën larg godinës së Kuvendit. Situata u tensionua teksa protestuesit tentuan të afroheshin drejt Parlamentit dhe të çanin kordonin e policisë. Në disa momente pati përplasje mes qytetarëve dhe efektivëve, ndërsa policia përdori spraj lotsjellës për shpërndarjen e turmës. Pamjet nga protesta tregojnë qytetarë të prekur nga gazi, ndërsa disa prej tyre u detyruan të largoheshin nga zona e protestës për shkak të vështirësive në frymëmarrje. Tensionet u shoqëruan edhe me hedhje vezësh dhe objektesh në drejtim të policisë, ndërsa efektivët vijuan të qëndronin pas barrierave të vendosura përpara Kuvendit. Një nga momentet më të pazakonta të protestës ishte edhe shfaqja e një pule mes protestuesve, duke tërhequr vëmendjen e kamerave dhe fotoreporterëve. Gjatë protestës pati disa momente përplasjeje pranë gardhit metalik, ndërsa situata ndryshoi disa herë nga tensionet te qetësimi i përkohshëm dhe anasjelltas.
Protesta u zhvillua në një kohë kur brenda Kuvendit po diskutohej dhe votohej Reforma Administrativo-Territoriale, një prej çështjeve më të debatuara nga opozita. Opozita e ka kundërshtuar draftin e mazhorancës, ndërsa protesta jashtë Parlamentit u thirr pikërisht në shenjë kundërshtimi ndaj hartës së re territoriale.
Nga pankartat dhe thirrjet politike, te përplasjet me policinë, gazi lotsjellës dhe skenat e pazakonta, protesta e 8 tetorit prodhoi një sërë momentesh që u fiksuan në foto dhe video. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

