Situata në protestën e sotme vijon të jetë e tensionuar, me përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë. Sipas pamjeve nga terreni, një grup protestuesish kanë shtyrë një automjet drejt kordonit policor, përballë ndërtesës së Kryeministrisë, me qëllim çarjen e kordonit, ku më pas, automjetit i kanë vënë flakën. Sipas raportimeve nga terreni, bëhet e ditur se një grup protestuesish këtë automjet e kanë marrë të parkuar në një shesh pushimi pas Kullave Binjake dhe e kanë nxjerrë deri në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku edhe i kanë vënë flakën. Përplasjet kanë vijuar me hedhjen e gurëve në drejtim të efektivëve të policisë, të cilët janë detyruar të tërhiqen disa metra pas. Përballë kësaj situate dhe hedhjes së vazhdueshme të gurëve dhe vendosjes së flakëve të makinës, forcat e policisë janë kundërpërgjigjur duke hedhur një sasi të madhe gazi lotsjellës, me qëllim shpërndarjen e turmës.
