Temperaturat e larta ndikojnë drejtpërdrejt te personat që vuajnë nga ankthi dhe stresi, duke përkeqësuar simptomat e tyre. Sipas specialistëve të fushës, ditët e nxehta ndikojnë në ritmin normal të jetës dhe, te një pjesë e qytetarëve, mund të shkaktojnë edhe probleme shëndetësore. Psikologët në Elbasan thonë se një nga faktorët kryesorë që ndikon në përkeqësimin e gjendjes së personave që vuajnë nga stresi dhe ankthi gjatë periudhës së verës lidhet me dehidratimin dhe çrregullimet e gjumit. Rënia e cilësisë së gjumit, e shoqëruar edhe me vështirësi në përditshmëri, mund të rëndojë gjendjen psikologjike të këtyre personave.Lexo edhe:Pa ujë për vaditje, fermerët e Kukësit detyrohen të presin misrin e tharë: 820 hektarë tokë mbeten të papunuar Sipas psikologes, grupmoshat që e kanë më të vështirë të përballojnë nga ana psikologjike ndryshimet ekstreme të temperaturave janë të moshuarit dhe personat me sëmundje shoqëruese. Probleme të tjera, sipas saj, vërehen edhe te konsumuesit e pijeve energjike. Në anën tjetër, temperaturat e larta ndikojnë edhe te fëmijët. Sipas specialistëve, të vegjlit mund t'i shfaqin efektet e të nxehtit përmes ndryshimeve në sjellje dhe agresivitetit të shtuar. Psikologia këshillon hidratimin e vazhdueshëm, gjumin cilësor dhe shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut të temperaturave. Sipas saj, këto janë disa nga masat që ndihmojnë në parandalimin e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe psikologjike gjatë ditëve të nxehta. Por temperaturat e larta mund të ndikojnë edhe te qytetarët që nuk vuajnë nga probleme të mëparshme të shëndetit mendor. Për këtë arsye, specialistët rekomandojnë që në rast të shfaqjes së simptomave shqetësuese, qytetarët të kërkojnë këshillën e profesionistëve të shëndetit.
