Pak orë më parë, redaksia e JOQ Albania publikoi denoncimin e një qytetari, i cili raportonte për një numër të lartë efektivësh policie në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë.
Pas publikimit, Policia Vendore e Tiranës ka reaguar për JOQ Albania për të dhënë sqarimet e saj lidhur me situatën.
Sipas policisë, mbrëmjen e djeshme në sallën operative të DVP Tiranë ka mbërritur një telefonatë ku denoncohej se disa persona ishin përfshirë në një konflikt dhe se disa prej tyre dyshohej se kishin armë.
Për shkak të informacionit të marrë, në zonë është dërguar një numër i konsiderueshëm efektivësh, të cilët kanë kryer kontrollet përkatëse. Sipas policisë, gjatë kontrolleve nuk është gjetur asnjë armë.
Nga verifikimet, personat e përfshirë rezultuan se kishin konsumuar alkool dhe situata mes tyre kishte mbetur në një debat verbal.
