Foto Ilustruese Një prej burimeve tha se edhe Qiproja është përfshirë mes objektivave të mundshëm për hakmarrje në rast të një ofensive të re amerikane. Irani po shqyrton mundësinë e sulmeve ndaj objektivave ushtarake amerikane në Evropë nëse presidenti Donald Trump përshkallëzon luftën, ndërsa Teherani po vlerëson mënyrat për të rritur koston e konfliktit, shkruan Financial Times, duke iu referuar personave pranë regjimit iranian.
Dy burime të brendshme i thanë gazetës britanike se forcat iraniane kanë analizuar mundësinë e goditjes së aseteve amerikane në vende të Evropës Juglindore, si Bullgaria. Muajin e kaluar, Sofja miratoi përdorimin e bazës ajrore Bezmer nga avionët amerikanë të furnizimit me karburant.
Një prej burimeve tha se edhe Qiproja është përfshirë mes objektivave të mundshëm për hakmarrje në rast të një ofensive të re amerikane. Në mars, një dron goditi një bazë ajrore britanike në ishull.
Sipas të njëjtave burime, forcat iraniane kanë shqyrtuar veçmas mundësinë e goditjes së kabllove nënujore me fibra optike në Ngushticën e Hormuzit në rast përshkallëzimi.
Këto skenarë pasqyrojnë qëndrimin gjithnjë e më sfidues në Teheran, ku shumë zyrtarë të regjimit e shohin rifillimin e luftimeve si çështje kohe. Negociatat për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit kanë ngecur, ndërsa Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, javën e kaluar emëroi figura të linjës së ashpër në poste të larta të sigurisë dhe ushtrisë.
Trump deklaroi të martën se aktualisht nuk po zhvillohen dhe nuk janë planifikuar bisedime me Teheranin.
Garda Revolucionare Islamike dhe drejtues të tjerë ushtarakë iranianë kanë paralajmëruar se, në rast të një konflikti të ri në shkallë të gjerë, Irani mund të zgjerojë objektivat përtej aseteve ushtarake amerikane, infrastrukturës energjetike dhe objekteve të tjera në Lindjen e Mesme.
Muajin e kaluar, Garda Revolucionare paralajmëroi gjithashtu Mbretërinë e Bashkuar për përdorimin e bazave britanike nga forcat amerikane, duke deklaruar se çdo bazë e përdorur për të nisur një sulm ndaj territorit iranian do të konsiderohej objektiv legjitim.
Sidharth Kaushal, studiues në institutin londinez Royal United Services Institute (RUSI), e cilësoi kërcënimin që raketat iraniane paraqesin për objektivat në Evropë dhe rajone të tjera si “real, por të kufizuar”.
Sipas tij, Irani mund të përdorë raketa balistike me rreze të mesme, përfshirë raketat e serisë Shahab, kundër aseteve amerikane në Evropën Jugore dhe Juglindore. Megjithatë, aftësia e tyre për të shkaktuar dëme zvogëlohet në distanca më të mëdha.
Burimet e Financial Times thanë se shkalla e përgjigjes iraniane do të varej nga veprimet e Uashingtonit. Njëri prej tyre tha se regjimi po përgatit një plan për zgjerimin e konfliktit nëse Trump zbaton kërcënimet e mëparshme për të goditur infrastrukturën iraniane.
Presidenti amerikan deklaroi muajin e kaluar se Uashingtoni do të shkatërronte një urë ose një central elektrik iranian sa herë që Republika Islamike do të sulmonte një anije në Ngushticën e Hormuzit.
Burimi i dytë tha se Irani nuk do të vendoste “kufizime” ndaj përgjigjes së tij në rast të një agresioni amerikan. Sipas tij, nëse SHBA-ja shkon shumë larg, Teherani mund ta zgjerojë konfliktin përtej Lindjes së Mesme dhe të godasë edhe në Evropë.
Irani ka treguar më parë se është i gatshëm të tentojë goditjen e objektivave në distanca të mëdha. Pas nisjes së luftës nga SHBA-ja dhe Izraeli në shkurt, Uashingtoni akuzoi Teheranin se kishte lëshuar disa raketa drejt Diego Garcias, bazë e përbashkët ushtarake amerikano-britanike në Oqeanin Indian, rreth 4,000 kilometra larg. Asnjë prej raketave nuk e arriti objektivin.
Në mars, Turqia njoftoi se mbrojtja ajrore e NATO-s kishte interceptuar disa raketa balistike të lëshuara nga Irani. Po atë muaj, një dron goditi bazën ajrore britanike në Akrotiri të Qipros. Zyrtarë perëndimorë dyshuan në atë kohë se droni ishte iranian, por ishte lëshuar nga forca aleate të Teheranit në rajon dhe jo drejtpërdrejt nga Irani.
Burimet thanë gjithashtu se sulmi iranian të muajit të kaluar ndaj një baze amerikane në Jordani, ku u vranë tre ushtarakë amerikanë, përbënte goditjen më të saktë iraniane në distancë të madhe dhe tregoi aftësinë e Teheranit për të goditur objektiva më të largët.
Njëri prej tyre e përshkroi sulmin edhe si një mesazh për Evropën, duke paralajmëruar se një goditje amerikane ndaj infrastrukturës iraniane mund ta zgjeronte luftën përtej rajonit.
Një memorandum mirëkuptimi i arritur në qershor mes SHBA-së dhe Iranit dështoi muajin e kaluar, pasi Teherani sulmoi anije në Ngushticën e Hormuzit dhe të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkeljen e marrëveshjes së përkohshme. Pasuan goditje të ndërsjella dhe një bllokadë e re amerikane ndaj porteve iraniane.
Përpjekjet diplomatike të javëve të fundit nuk kanë sjellë një marrëveshje për rihapjen e rrugës detare dhe rifillimin e negociatave për një marrëveshje më të gjerë që do t'i jepte fund luftës.
Kaushal vlerësoi se Irani mund të përdorë edhe raketa më të fuqishme, por për të arritur distanca më të mëdha ato do të duhej të mbanin ngarkesë më të lehtë, duke kufizuar dëmet. Sipas tij, Teherani mund ta konsiderojë më efektiv përdorimin e forcave aleate në rajon, mes tyre milicitë shiite në Irak, Hezbollahu në Liban dhe Houthit në Jemen.
Douglas Barrie, nga International Institute for Strategic Studies (IISS), tha se tentativat për të goditur Diego Garcian tregojnë se Irani disponon armë me rreze më të madhe se 2,000 kilometra. Megjithatë, sipas tij, mbetet e paqartë sa armë të tilla zotëron Teherani dhe nëse do të ishte i gatshëm t'i përdorte. Ai theksoi gjithashtu se goditjet në distanca më të mëdha janë më të vështira për t'u kryer me saktësi dhe rrisin rrezikun që raketat të interceptohen ose të mos arrijnë objektivin.
Sipas Financial Times, brenda regjimit iranian ka edhe shqetësime se Teherani mund të jetë duke e shtyrë shumë larg përballjen. Megjithatë, shumë përfaqësues të linjës së ashpër besojnë se SHBA-së nuk mund t'i besohet për zbatimin e një marrëveshjeje dhe se Irani duhet t'i imponojë Uashingtonit një kosto më të lartë për ta detyruar të respektojë çdo marrëveshje përfundimtare.
Në këtë grup përfshihet Mohsen Rezaei, ish-komandant i Gardës Revolucionare, të cilin Khamenei e emëroi javën e kaluar në postin më të lartë të sigurisë në vend.
Analistët iranianë e interpretuan emërimin si një sinjal se figura si Mohammad Bagher Ghalibaf, negociatori kryesor i Iranit, janë lënë për momentin në plan të dytë, ndërsa perspektivat për një marrëveshje afatgjatë duken gjithnjë e më të zbehta./ Financial Timesirani kercenon trumpin Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Trump 'bie gropë' në sondazhe, amerikanët humbin besimin te presidenti i tyre 19 Gusht 2026, 08:5808:58Rajoni dhe Bota Rusia nën valën e dronëve ukrainas, Moska raporton sulme në shumë rajone 19 Gusht 2026, 08:4008:40Rajoni dhe Bota Shtegu i ri drejt Europës, ‘Rruga e Mëndafshit të Akullt’ ndryshon lojën! 18 Gusht 2026, 22:4522:45Rajoni dhe Bota Alarm në Moskë/ Qindra dronë ukrainas drejt kryeqytetit, Rusia aktivizon mbrojtjen ajrore 18 Gusht 2026, 21:5021:50Rajoni dhe Bota Tensione në Egje/ Athina akuzon Ankaranë për 25 shkelje të hapësirës ajrore, në aksion edhe F-16 18 Gusht 2026, 19:3019:30Rajoni dhe Bota Armët bërthamore, skenari ogurzi që po trondit Lindjen e Mesme! 18 Gusht 2026, 19:1519:15Rajoni dhe Bota

