Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Mit’hat Havari, ka folur për marrëdhëniet me kryeministrat që kanë drejtuar Shqipërinë gjatë karrierës së tij, duke treguar se cilët prej tyre kanë ndërhyrë në ushtrimin e detyrës së tij dhe me cilët ka pasur përvoja të ndryshme pune. I ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Tech Talk”, me Kristi Gongon dhe Kushtrim Shalën, Havari ka bërë një koment të drejtpërdrejtë për ish-kryeministrin Ilir Meta, duke deklaruar se ky i fundit ka ndërhyrë në dy raste gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën.
“Ilir Meta ndërhynte. Më ka ndërhyrë në dy raste, njërën e kam shkruar dhe në libër. Shpesh dhe i kam refuzuar sigurisht, por kam pasoja me këta autokratët dhe njerëzit e paditur”, u shpreh Havari.
I pyetur nëse kishte pasur presion dhe çfarë i kërkohej, ish-drejtuesi i policisë tregoi një prej rasteve që kujton nga ajo periudhë.
“I ra në qafë një ndërtuesi, kishte marrë leje nga Bashkia, të gjitha korrekte. U bë një veprim i paligjshëm, i pezulluan punimet. Ai e gjeti të drejtën, po në atë pjesë kam dhe unë një lloj përgjegjësie morale”, deklaroi ai.
Havari foli edhe për ish-kryeministrat e tjerë me të cilët kishte pasur të bënte gjatë karrierës. Për Pandeli Majkon, ai tha se nuk kishte pasur asnjë ndërhyrje në punën e tij.
“Është dhe zoti Pandeli Majko, ai ka qenë djalë paqësor. S’më ka ndërhyrë asnjëherë”, u shpreh ai.
Ndërsa për Fatos Nanon, Havari rezervoi vlerësimin më të lartë, duke e cilësuar si kryeministrin më të kulturuar dhe duke theksuar se nuk kishte ndërhyrë në detyrat e tij shtetërore.
“Kurse Fatos Nano, pavarësisht rezervave që mund të ketë çdo njeri, kam edhe unë, ka qenë kryeministri më i kulturuar, që nuk ndërhynte kurrë. Nuk kam pasur asnjë rast që ai të më ndërhynte në detyrat e mia shtetërore, e veçoj nga të gjithë të tjerët”, tha Havari.
Për ish-kryeministrin Aleksandër Meksi, Havari sqaroi se nuk kishte pasur kontakte gjatë asaj periudhe, pasi, sipas tij, drejtimin e vendit e ushtronte Sali Berisha.
“Me Aleksandër Meksin nuk kam patur asnjë lloj kontakti se në atë kohë drejtonte Sali Berisha, i bënte të dyja, edhe kryeministër dhe president. Kurse më pas u rekrutova nga të majtët sepse rashë ndesh direkt me njerëzit e Sali Berishës, me ministrat e tij. E u ndava me ta. Në ’97 kur ndodhën ngjarjet e mëdha për pushtet dhe ka një emër, Sali Berisha, shkatërroi një vend të terë, Shqipëria u dogj. Neritan Ceka ishte në koalicion me të majtët, ishte ministër i Brendshëm, dhe më emëruan në Berat, në kohë lufte”, tha ish-drejtori i Policisë Tiranë.
Ndërsa duke folur për situatën aktuale të vendin, ku prej disa muajsh Tirana është përfshirë në protesta, Havari u shpreh se nëse do ishte ai drejtues në këtë protestë, nuk do të ishte në këtë situatë.
“Mendoj se nuk do të ndodhte, nuk do të isha në këto situata. Ëndrra ime ka qenë gjithnjë që ky vend të ketë një shtet ligjor, meritokraci. Po këtu ndodhi e kundërta”, tha ish-drejtori i policisë.
Havari u shpreh se është kundër dhunës dhe kundër shkatërrimit që ndodh në infrastrukturë.
“Do të kërkoja që të frenonin dhunën, ndërkohë Policia e Shtetit që kam qenë pjesë e saj dhe kam konflikt interesi, po unë kujtoj me shumë respekt punën që kam bërë me ta në atë kohë, kanë qenë shumë të kujdesshëm në kujdesin tim. Drejtuesit këtu duhej t’u thoshin ‘kujdes me gjimnazistët dhe studentë’”. Sepse studentët janë e ardhmja. Thirrja ime është që Policia e Shtetit të ketë shumë kujdes plumbat e gomës, shkopin e gomës t’a rezervojnë pak. Policia është e mbrojtur me skafandër, studentët jo”, u shpreh Havari.
I pyetur nga Kristi Gongo nëse kryeministri Edi Rama do t’i bënte ftesë që të ishte në krye të drejtorisë së policisë, ai u shpreh “asnjëherë”,
“Asnjëherë ‘mish për top” me të. Me lejoni t’ua them episodin. Isha pa punë dhe një gazetarë i rëndësishëm i tha pse nuk merr Havarin zëvendëskryetar Bashkie, e ke vendin bosh. Se unë prisja detyrën nga qeveria. Nuk foli, unë i shkova pastaj në zyrë të punojmë bashkë. Nuk të duroj dot karizmën më tha”, u shpreh ish-drejtori.
I pyetur nëse këtë ia ka thënë kryeministri Rama, Havari u përgjigj:
“Kryeministri Rama më tha ‘nuk të duroj dot karizmën’ dhe ‘nuk rrimë dy gjela në një tokë plehu, të mbetemi miq’. I thashë se miq nuk jemi se miku ndihmohet në nevojë dhe ika”. Top Channel

