Lajme Zone
“Të shohin sikur ke dështuar”, qytetarja nxjerr në pah anën e errët të shoqërisë shqiptare
PolitikëJOQ Albania

“Të shohin sikur ke dështuar”, qytetarja nxjerr në pah anën e errët të shoqërisë shqiptare

Një video virale në rrjetet sociale ka rikthyer në vëmendje një realitet të hidhur të shoqërisë shqiptare: pse të jetosh me qira ende shihet si shenjë dështimi, ndërsa një shtëpi në pronësi si dëshmi suksesi?

Një video virale në rrjetet sociale ka rikthyer në vëmendje një realitet të hidhur të shoqërisë shqiptare: pse të jetosh me qira ende shihet si shenjë dështimi, ndërsa një shtëpi në pronësi si dëshmi suksesi?

Një qytetare nga Korça ka treguar me ironi reagimet që ka marrë pasi ajo dhe familja e saj kanë ndërruar banesë. Shumë prej atyre që e takonin supozonin menjëherë se shtëpia e re ishte blerë.

“Ndërruam shtëpi kohët e fundit. Uee, ba-ba-bam, mesazhet nga njerëzit që takonim. ‘He, bletë shtëpi, ë?’”, tregon ajo.

Por reagimi ndryshonte sapo mësonin se banesa ishte marrë me qira. Dhe pikërisht këtu qëndron shqetësimi që ajo ngre: pse një shtëpi e re duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht një pronë të blerë?

Ajo tregon se ka punuar që në moshën 14-vjeçare dhe se në periudha të ndryshme ka pasur edhe dy punë njëkohësisht, por sërish nuk ka mundur të blejë një banesë.

“Edhe më e keqja nuk është që, si thua, s’kam blerë, por jam me qira. Më i keq është ai shikimi si të zhgënjyer, sikur ke dështuar”, thotë ajo.

Në pak sekonda, një status ekonomik shndërrohet në një gjykim për një njeri. Sikur puna, sakrificat, familja, përgjegjësitë dhe gjithçka që ke ndërtuar të kenë më pak vlerë nëse emri yt nuk figuron në certifikatën e pronësisë.

Kjo është edhe ana më e errët e këtij mentaliteti: shtëpia nuk shihet më vetëm si strehë, por si dëshmi e suksesit. Dhe kur nuk e ke, shoqëria shpesh kërkon një shpjegim, sikur mungesa e pronës të jetë pasojë e mungesës së përpjekjes.

Por realiteti nuk është kaq i thjeshtë. Jo të gjithë nisen nga e njëjta pikë. Jo të gjithë kanë të njëjtat të ardhura, mbështetje familjare apo mundësi për të marrë një kredi dhe për të blerë një shtëpi.

Të jetosh me qira nuk është dështim. Është thjesht një mënyrë jetese dhe, për shumë njerëz, një zgjedhje ose nevojë ekonomike.

Ndoshta pyetja që duhet t’i bëjmë vetes nuk është “A e bleve shtëpinë?”, por: Pse kemi filluar ta masim vlerën e një njeriu me katër mure? View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)