1 ORE ME PARE “Rama dhe Berisha kanë nevojë për njëri-tjetrin”, Kulla flet për zgjedhjet e parakohshme: Studentët mund të krijojnë një alternativë të re Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, ka analizuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato vendore, duke theksuar se një skenar i tillë do të kërkonte marrëveshje mes forcave kryesore politike. Sipas tij, protestat studentore kanë ndryshuar dinamikën politike, ndërsa Partia Demokratike rrezikon të humbasë terren përballë alternativave të reja.
Kulla, i ftuar në emisionin “Të Pashoq” në kanalin YouTube të “Pamflet”-it, u shpreh se Partia Demokratike, në gjendjen aktuale, nuk ka interes të përballet me një proces të ri zgjedhor.
“Unë nuk mendoj që Partia Demokratike në kushtet që është të shkojë në zgjedhje”, deklaroi ai, duke shtuar se kjo vlen si për zgjedhjet vendore, ashtu edhe për ato parlamentare.
Megjithatë, Kulla theksoi se një marrëveshje politike për zgjedhje të parakohshme nuk mund të realizohet pa përfshirjen e Partisë Demokratike dhe të kryeministrit Edi Rama.
“Nuk bëhen zgjedhje pa Partinë Demokratike, Rama e ka shumë të qartë këtë gjë”, u shpreh eksperti.
Sipas tij, një proces i tillë do të kërkonte marrëveshje politike dhe ndryshime ligjore që duhet të kalojnë në Kuvend.
“Duhet të ketë një marrëveshje e cila shkon në parlament, sepse zgjedhjet duhet të kenë ndryshimin e ligjit zgjedhor. Ndaj thashë që nuk bëhen pa Ramën, nuk ka zgjidhje pa Ramën, por nuk ka zgjidhje as vetëm me Ramën. E njëjta gjë vlen dhe për Partinë Demokratike”, deklaroi Kulla.
Një pjesë të rëndësishme të analizës së tij Kulla ia kushtoi protestave studentore, të cilat, sipas tij, kanë krijuar një dinamikë të re, duke sfiduar rolin tradicional të partive të mëdha. Ai argumentoi se përfshirja e studentëve në protesta ka nxjerrë në pah vështirësinë e opozitës për të përfaqësuar pakënaqësinë qytetare.
“Sot pra studentët janë futur në mes dhe e kanë shkatërruar. Partitë e mëdha po e humbin dhe ata po anashkalojnë opozitën”, u shpreh Kulla.
Eksperti vlerësoi se partitë që kanë përfaqësim parlamentar nuk kanë interes të ndërmarrin hapa që mund të dobësojnë pozitat e tyre politike, ndaj çdo zgjidhje do të kërkonte negociata.
“Edhe në qoftë se sot do të kishte një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme, kjo do të ishte një marrëveshje në të cilën do të ishte dhe Partia Demokratike”, theksoi ai.
I pyetur nëse studentët shqiptarë duhet të ndjekin modelin e protestave në Serbi dhe të krijojnë një lëvizje të tyre politike, Kulla tha se dy vendet kanë kontekste të ndryshme politike, shoqërore dhe elektorale.
Sipas tij, në Serbi ndikojnë faktorë të veçantë, përfshirë rolin e Kishës Ortodokse Serbe, nacionalizmin dhe marrëdhëniet me Rusinë, të cilët e bëjnë të vështirë krahasimin e drejtpërdrejtë me Shqipërinë.
“Ne nuk kemi ngjashmëri fare me Serbinë. Në Serbi ka dhe faktorë të tjerë elektoralë, siç është kisha serbe, siç është lidhja e nacionalizmit serb me atë rus”, deklaroi ai.
Megjithatë, eksperti theksoi se lëvizja studentore mund të përballet në të ardhmen me nevojën për të krijuar një përfaqësim të strukturuar politik.
“Nëse studentët do të kenë një strategji, do të vijë një moment, ndoshta s'është tani, por do të vijë një moment i dytë apo i tretë, në të cilin ata duhet të prodhojnë një alternativë politike. Ndonëse jo piramidale siç kanë dëshirë ta kenë, po të shtrirë”, u shpreh Kulla.
Në përfundim, ai theksoi se çdo ndryshim i qëndrueshëm politik dhe institucional do të kërkonte ndërhyrje ligjore, të cilat mbeten në duart e forcave parlamentare.
“Nëse do të kemi një reflektim, i bërë me ligje, pra siç e kërkon sheshi, ato ligje kalojnë prapë nga deputetët e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike. Kështu që është shumë e komplikuar si gjë, nuk është aq e thjeshtë sa në Serbi”, përfi Kulla. Pjesë nga intervista:
-Jemi shumë afër janë zgjedhjet vendore, por po flitet që ndoshta pjesë e paketës së negocimit mes dy palëve, marrim meqë janë ndërmjetësit ndërkombëtarë siç e thamë, mund të jenë edhe dy palë zgjedhje së bashku, për shembull vendoret me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Çfarë do të sillte kjo? A do të ndryshonte, do ta rikonfiguronte skenën politike në vend apo do të kishim të njëjtat numra?
Ilir Kulla: Unë nuk mendoj që Partia Demokratike në kushtet që është të shkojë në zgjedhje.
-Të mos futet në asnjë palë zgjedhje?
Ilir Kulla: Në asnjë palë zgjedhje.
-Pse?
Ilir Kulla: Sepse në kushtet që është, siç e gjeni...
- Po flitet për Partinë Demokratike të rritur nga mbështetja.
Ilir Kulla: Po nuk bëhen zgjedhje pa Partinë Demokratike.
-Sido që të jetë faktor në këtë mes janë studentët, në protestë.
Ilir Kulla: Nuk bëhen zgjedhje të pa Partinë Demokratike, Rama e ka shumë të qartë këtë gjë.
-Janë bërë.
Ilir Kulla: Po nuk bëhen dot pa Partinë Demokratike se në zgjedhje të përgjithshme shkojnë vetëm me mocion mosbesimi. Dhe Rama e ka futur veten në atë mocion mosbesimi. Dhe duhet të ketë një marrëveshje e cila shkon në parlament sepse zgjedhjet duhet të kenë ndryshimin e ligjit zgjedhor. Ndaj thashë që nuk bëhen pa Ramën, nuk ka zgjidhje pa Ramën, por nuk ka zgjidhje as vetëm me Ramën. E njëjta gjë vlen dhe për Partinë Demokratike. Partia Demokratike nëse shkon sot...
-Partia Demokratike zgjedhje kërkon çdo ditë.
Ilir Kulla: Partia Demokratike nëse shkon sot në zgjedhje, del forcë e tretë. Sot po të shkojë.
-Po Rama?
Ilir Kulla: Në këto kushte siç është, pavarësisht të gjithë rrëmujës që ka, Rama prapë forcë e parë. A del i vetëm këtë s'e di, por forcë e parë del.
-E pra, pse i druhet... çfarë i duhen zgjedhje të reja atij në rregull që i ka fituar?
Ilir Kulla: Nuk thashë që i druhet... më ndiq, më ndiq. Sepse nuk do të shkojë, nuk do të shkojë në kushte stresi në kërkesë pra. I duhet një marrëveshje. Dhe ka llogjikë kjo gjëja e studentëve. Por sot pra studentët janë futur në mes dhe e kanë shkatërruar. Partitë e mëdha po e humbin dhe ata po anashkalojnë opozitën. Dhe në këto kushte, ata që kanë votat në parlament, se këto janë grupimet e tyre parlamentare, nuk do të bëjnë vetëvrasje. Pavarësisht çdo lloj kushti, çdo lloj problemi, sepse të dyja palët po e shohin edhe ashpërsinë e vendit të tyre. Kjo u pa pak a shumë që nga fillimi i protestave dhe deri në zgjedhje kaluan dy vjet. Pra edhe në qoftë se sot do të kishte një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme, kjo do të ishte një marrëveshje në të cilën do të ishte dhe Partia Demokratike. E cila realisht, sidomos në zgjedhjet vendore, me këtë situatë që kemi ne, rrezikon të përfjë e treta.
- A duhet të ndjekin studentët e Shqipërisë që janë protestues sot, të njëjtën rrugë që ndoqën bashkëmoshatarët e tyre në Serbi për të arritur një rezultat edhe të shtrirë gjatë në kohë, të krijojnë lëvizje të tyre sikurse ndodhi në Serbi?
Ilir Kulla: Së pari njëherë është konteksti në të cilin flitet, ne nuk kemi ngjashmëri fare me Serbinë. Në Serbi ka dhe faktorë të tjerë elektoralë siç është kisha serbe, siç është lidhja e nacionalizmit serb me atë rus, është pjesa rurale e vendit e cila... pra ka shumë elementë që ne nuk na bëjnë të ngjashëm. Por, një gjë u pa e qartë që nëse studentët do të kenë një strategji, do të vijë një moment, ndoshta s'është tani por do të vijë një moment i dytë apo i tretë, në të cilin ata duhet të prodhojnë një alternativë politike. Ndonëse jo piramidale siç kanë dëshirë ta kenë, po të shtrirë. Alternativa politike pastaj rrezikon... ta thashë edhe njëherë, rrezikon që Rama futet në një palë zgjedhje dhe të fitojë zgjedhjet pastaj. Prandaj them që kjo gjëja, është mirë që ka filluar që Rama t'i ndryshojë gjërat. Sa do zgjasë nuk e di, a do jetë e mundshme kjo s'e di. Por nëse do të kemi një reflektim, i bërë me ligje, pra siç e kërkon sheshi, ato ligje kalojnë prapë nga deputetët e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike. Kështu që është shumë e komplikuar si gjë, nuk është aq e thjeshtë sa në Serbi. 1 ORE ME PARE Ilir Kulla: Netanyahu mbetet kyç për qeverinë e re në Izrael, partitë arabe mund të hapin rrugën për shtetin palestinez Ilir Kulla Analisti dhe eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, i ftuar në podkastin “Të Pashoq” të Pamfletit në YouTube, analizoi skenarët për formimin e qeverisë izraelite pas zgjedhjeve parlamentare. Sipas tij, rezultati i partive arabo-izraelite mund të ndryshojë ekuilibrat politikë, duke rikthyer në tryezë zgjidhjen me dy shtete dhe një marrëveshje historike mes Izraelit dhe Arabisë Saudite. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Izrael mund të hapë rrugën për ndryshime të rëndësishme politike në Lindjen e Mesme, por Benjamin Netanyahu do të vazhdojë të ketë një rol vendimtar në çdo formulë të mundshme qeverisëse.
Kështu u shpreh analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla, gjatë intervistës në podkastin “Të Pashoq” të Pamfletit, teksa komentoi rezultatin paraprak të zgjedhjeve izraelite dhe vështirësitë për krijimin e një shumice parlamentare.
Sipas Kullës, Izraeli ka dalë nga zgjedhjet me një elektorat pothuajse të ndarë në dy kampe. Ai veçoi rezultatin e partive arabo-izraelite, të cilat, sipas shifrave që përmendi gjatë intervistës, kanë siguruar 19 mandate dhe mund të marrin një rol përcaktues në negociatat për qeverinë e ardhshme. Megjithatë, Kulla vlerësoi se pavarësisht koalicioneve që mund të krijohen, Likudi dhe Netanyahu mbeten faktorë të rëndësishëm në politikën izraelite.
Ai argumentoi se përfshirja e partive arabo-izraelite në një marrëveshje qeverisëse mund të kushtëzohet me nisjen e një procesi politik për njohjen e shtetit palestinez dhe rikthimin te zgjidhja me dy shtete.
Pyetje: Kalojmë te rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Izrael. Edhe pse nuk ka ende një rezultat përfundimtar zyrtar, shifrat flasin për mungesë të një shumice qeverisëse për Benjamin Netanyahun. Partia e tij ka dalë e para, por surpriza duket se janë partitë arabe, të cilat mund të kenë në dorë çelësin e formimit të qeverisë. Si e shihni situatën dhe rolin e presidentit amerikan?
Ilir Kulla: E para, kjo puna e presidentit amerikan duhet parë pas 4 nëntorit, pas zgjedhjeve të mesmandatit. Të shohim se si shkojnë zgjedhjet në Amerikë.
E dyta, një gjë është e qartë pas këtyre zgjedhjeve: Izraeli del i ndarë. Pra, tortën elektorale e ka të ndarë në dysh.
Për herë të parë, partitë arabo-izraelite, duhet ta sqarojmë që janë arabo-izraelitët, pra popullata e brendshme, që është 25% e popullsisë, kanë korrur një rezultat të jashtëzakonshëm, me 19 deputetë.
Të mos e gënjejmë mendjen që edhe nëse arabo-izraelitët do të futeshin me opozitën e sotme në një qeveri, edhe nëse do të shkonin me Benjamin Netanyahun, apo edhe nëse do të kishim një qeveri të Netanyahut me koalicionet e veta, prapë ka disa gjëra që nuk do të ndryshojnë.
Pyetje: Çfarë do të ndryshonte nëse partitë arabo-izraelite do të përfshiheshin në qeveri?
Ilir Kulla: Nëse arabo-izraelitët do të futeshin në qeveri, kushti që do të kishin palët do të ishte njohja e Bregut Perëndimor, pra fillimi i një procesi politik në Bregun Perëndimor për të çuar drejt krijimit të shtetit të Palestinës.
Me apo pa Netanyahun. Ndonëse unë mendoj që nuk ka zgjidhje pa Netanyahun në këto kushte në Izrael.
Ndoshta Netanyahu nuk është kryeministër, por është sigurisht një nga shtyllat kryesore. Likudi dhe partia e tij do të mbajnë qeverinë.
Sigurisht që këtu dalin nga skena Ben-Gvir dhe Smotrich, dy aleatët e djathtë të Netanyahut, të cilët kanë qenë krahu ekstrem.
Pse e them këtë? Sepse nëse ka një marrëveshje politike edhe me arabët, por edhe me opozitën, kjo do të ishte vetëm në funksion të një marrëveshjeje të Abrahamit mes Izraelit dhe Arabisë Saudite.
Kjo do t'i hapte rrugë Arabisë Saudite për dy gjëra: njohjen e mundësisë së krijimit të shtetit të Palestinës, duke iu rikthyer procesit të Oslos të vitit 1993, dhe garancitë për t'u mbrojtur nga armët atomike të Iranit.
Pra, për t'u kthyer edhe një herë te zgjidhja me dy shtete.
Kjo do të krijonte mundësinë që Izraeli të firmosë marrëveshjet e mbetura peng të Abrahamit me Arabinë Saudite dhe me vendet e tjera arabe.
Kjo do të thotë një vendosje në plan përballjeje të drejtpërdrejtë mes Iranit dhe pjesës tjetër të Lindjes së Mesme. 1 ORE ME PARE “Ka një vijë të kuqe”, Ilir Kulla zbulon përse nuk reagoi SHBA-ja lidhur me protestat në Tiranë Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, ka komentuar mungesën e një reagimi të drejtpërdrejtë nga ambasadori amerikan lidhur me tensionet politike në Shqipëri. I ftuar në emisionin “Të Pashoq” në kanalin YouTube të “Pamflet”-it, Kulla u shpreh se diplomatit të sapoardhur i nevojitet kohë për t'u njohur me realitetin shqiptar.
“Para njëherë, ambasadori amerikan është i sapoardhur. Do t'i duhet dhe atij disa javë kohë të kuptojë çfarë ndodh në këtë vend. E dyta, unë nuk mendoj se ambasadori amerikan ka ndërmend që të marrë në dorë qeverisjen e vendit kur këtë duhet ta bëjnë vetë shqiptarët”, deklaroi Kulla.
Megjithatë, eksperti theksoi se ka disa çështje për të cilat, sipas tij, partnerët amerikanë nuk tolerojnë ndërhyrje apo cenim të funksionimit të institucioneve, duke veçuar SPAK-un.
“Sigurisht që ka disa pika të cilat ata nuk i tolerojnë, siç është çështja e SPAK-ut apo, ku di unë, disa gjëra të tjera që kanë të bëjnë me mënyrën se si funksionojmë ne brenda vetes”, u shpreh ai.
Sipas Kullës, zgjidhja e tensioneve politike nuk mund të vijë vetëm nga ndërkombëtarët, por kërkon përgjegjësi dhe reflektim si nga mazhoranca, ashtu edhe nga protestuesit.
“Kjo është një tango që kërcehet dysh. Pra edhe ata që janë në qeveri, edhe ata që janë në rrugë”, theksoi eksperti.
Gjatë intervistës, Kulla u ndal edhe te kryeministri Edi Rama, duke vlerësuar se ai ka ende mundësi të ndryshojë qasjen ndaj problemeve me të cilat përballet vendi.
“Gjëja që mua më bën të mendoj dhe të shpresoj që, përtej asaj çfarë deklaron, kryeministri e ka kohën për ta marrë ende kthesën dhe të bëjë disa gjëra shumë të rëndësishme për vendin, tek e fundit edhe për veten e vet. Edhe për qeverinë e vet”, deklaroi Kulla.
Ai argumentoi se drejtimi i qeverisë shqiptare është bërë veçanërisht i vështirë për shkak të përqendrimit të vendimmarrjes në zyrën e kryeministrit.
“Puna e kryeministrit të Shqipërisë është punë e vështirë, sepse realisht kështu e kanë krijuar sistemin këta, që të gjitha kalojnë te zyrat e kryeministrit, pavarësisht se si e ka emrin”, tha ai.
Eksperti i sigurisë solli si shembull edhe çmimet e karburanteve, për të argumentuar se qeveria duhet të jetë më pranë realitetit ekonomik të qytetarëve. Sipas tij, mjafton një krahasim i çmimeve me vendet e tjera për të kuptuar nevojën për masa konkrete që lehtësojnë barrën financiare të qytetarëve.
“Çështja është që kryeministri duhet të jetojë me realitetin. Dhe nuk është se do ndonjë diferencë të madhe ta kuptosh, shko te pompa e benzinës, te karburanti, ta shohësh që ne e kemi 2 euro e gjysmë, Italia e ka 2.2, 2.1, 2.3. Pse? Se zonja Meloni ka hequr akcizat”, u shpreh Kulla.
Shifrat dhe krahasimi i politikave fiskale të përmendura prej tij nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. Në përfundim, Kulla theksoi rëndësinë e komunikimit të qeverisë me qytetarët dhe ngriti pyetjen nëse përplasjet e fundit kanë shërbyer si një moment reflektimi për drejtuesit politikë.
“Çështja është kush komunikon dhe si komunikon. Pra, a ka shërbyer ky shpërthim dhune për të reflektuar në raport me realitetin dhe disa gjëra? Unë mendoj që po”, deklaroi eksperti i sigurisë. Pjesë nga intervista:
-Të pyeta sepse ne jemi mësuar që të na i zgjidhin gjërat, sidomos ndërkombëtarët e nga Amerika për shembull kemi shumë pritshmëri. Për më tepër ndoshta ka bërë shumë përshtypje mungesa e një reagimi direkt nga ambasadori amerikan [e pakuptueshme] që sapo erdhi dhe u prit me entuziazëm.
Ilir Kulla: Para njëherë, ambasadori amerikan është i sapoardhur. Do t'i duhet dhe atij disa javë kohë të kuptojë çfarë ndodh në këtë vend. E dyta, unë nuk mendoj se ambasadori amerikan ka ndërmend që të marrë në dorë qeverisjen e vendit kur këtë duhet ta bëjnë vetë shqiptarët. Sigurisht që ka disa pika të cilat ata nuk i tolerojnë siç është çështja e SPAK-ut apo ku di unë, disa gjëra të tjera që kanë të bëjnë me mënyrën se si funksionojmë ne brenda vetes. Kështu që, duam s'duam, kjo është një tango që kërcehet dysh. Pra edhe ata që janë në qeveri, edhe ata që janë në rrugë. Gjëja që mua më bën të mendoj dhe të shpresoj që përtej asaj çfarë deklaron, kryeministri e ka kohën për ta marrë ende kthesën dhe të bëjë disa gjëra shumë të rëndësishme për vendin, tek e fundit edhe për veten e vet. Edhe për qeverinë e vet.
-Jo, ndërkombëtarëve apo amerikanëve për shembull në veçanti, mund t'i konvenojë një kryeministër aleat për punët e tyre ndoshta me interesa si Edi Rama. Kështu që bie ndesh me kërkesën e studentëve... [e pakuptueshme].
Ilir Kulla: S'ka lidhje, nuk është se bie ndesh. Çështja është që një kryeministër ka kaq shumë punë për të bërë, ka kaq shumë punë për të bërë, saqë nuk është se ka kohë... Se puna e kryeministrit të Shqipërisë është punë e vështirë, sepse realisht kështu e kanë krijuar sistemin këta që të gjitha kalojnë te zyrat e kryeministrit, pavarësisht se si e ka emrin. Çështja është që kryeministri duhet të jetojë me realitetin. Dhe nuk është se do ndonjë diferencë të madhe ta kuptosh, shko te pompa e benzinës, te karburanti, ta shohësh që ne e kemi 2 euro e gjysmë, Italia e ka 2.2, 2.1, 2.3. Pse? Se zonja Meloni ka hequr akcizat. Pra nuk është se duhet të bëjmë ndonjë shkencë të madhe. Çështja është kush komunikon dhe si komunikon. Pra, a ka shërbyer ky shpërthim dhune për të reflektuar në raport me realitetin dhe disa gjëra? Unë mendoj që po. Unë mendoj që ky shpërthim dhune... 1 ORE ME PARE A u mërzit Rama nga rënia e Vuçiçit? Ilir Kulla tregon prapaskenat, ja si mori fund "vëllazëria" mes tyre Rama-Vuçiç & Ilir Kulla Analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla, i ftuar në podkastin “Të Pashoq” të Pamfletit në YouTube, deklaroi se Edi Rama ka bërë një gabim të rëndë politik duke i besuar Aleksandar Vuçiçit për projektin e Ballkanit të Hapur. Sipas tij, presidenti serb e përdori këtë nismë për interesa të brendshme politike, ndërsa zhvillimet në Serbi nuk duhen interpretuar përmes përplasjeve politike në Shqipëri. Edi Rama është treguar naiv në marrëdhëniet me Aleksandar Vuçiçin dhe ka gabuar rëndë duke besuar se projekti i Ballkanit të Hapur mund të sillte një bashkëpunim të ri rajonal. Kështu u shpreh analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla gjatë intervistës në podkastin “Të Pashoq” të Pamfletit.
Duke komentuar zhvillimet politike në Serbi dhe reagimet që ato kanë shkaktuar në Tiranë, Kulla tha se, sipas vlerësimit të tij, marrëdhënia politike mes Ramës dhe Vuçiçit është ftohur prej disa vitesh.
Ai argumentoi se kryeministri shqiptar ka kuptuar që Vuçiçi i përdorte çështje si Ballkani i Hapur dhe diskutimet për ndryshimin e kufijve për llogari të politikës së brendshme serbe.
Sipas Kullës, presidenti serb kishte krijuar pritshmëri të rreme te Rama dhe Hashim Thaçi, ndërsa projekti i Ballkanit të Hapur përfi në dështim.
“Ballkani i Hapur ishte një çmenduri, sepse nuk mund të ribësh edhe një herë Jugosllavinë e tretë. Koha e tregoi që dështoi”, u shpreh ai.
I pyetur për reagimet e disa figurave socialiste ndaj zhvillimeve në Serbi, Kulla tha se secili prej tyre po e interpreton rezultatin serb në funksion të situatës politike shqiptare. Megjithatë, ai kundërshtoi vendosjen e një paraleleje të drejtpërdrejtë mes dy vendeve.
Analisti argumentoi se Serbia ka një histori dhe një kontekst politik krejt tjetër, duke kujtuar periudhën e qeverisjes së Zoran Gjingjiçit dhe mungesën, sipas tij, të një përballjeje të plotë të shtetit serb me krimet e luftërave në ish-Jugosllavi.
Kulla theksoi gjithashtu se nuk pajtohet me etiketimin e Ramës si tradhtar, por mbetet kritik ndaj zgjedhjes së tij për t'i besuar Vuçiçit.
Sipas tij, dështimi i Ballkanit të Hapur duhet ta ketë shtyrë kryeministrin shqiptar të reflektojë mbi gabimet e bëra në marrëdhëniet me Beogradin.
Pyetje: Është mërzitur kryeministri shqiptar nga rënia e Vuçiçit? Ka pasur edhe socialistë që kanë reaguar për zhvillimet në Serbi.
Ilir Kulla: Unë mendoj që Rama me Vuçiçin janë ndarë para disa vitesh, kur Rama e kuptoi që Vuçiçi çështje të tilla si Ballkani i Hapur apo ndryshimi i kufijve i bënte për llogari të brendshme politike.
Rama besoj e ka të qartë që Vuçiçi ka mashtruar Thaçin dhe Ramën kur tregonte që donte të bënte Ballkanin e Hapur e të tjera. Besoj që ka kohë që Rama ka qenë i distancuar.
Sigurisht, mendoj që është treguar naiv që në atë kohë. E kam thënë shpesh që Ballkani i Hapur është një çmenduri, sepse nuk mund të ribësh edhe një herë Jugosllavinë e tretë. Dhe koha e tregoi që dështoi.
Pyetje: Po reagimet në Tiranë për rezultatin në Serbi? Spiropali, Veliaj dhe të tjerë e përcollën me mesazhe që dukeshin sikur i drejtoheshin indirekt Ramës.
Ilir Kulla: Secili nga këta që përmende e lexon rezultatin e Serbisë me kontekstin e brendshëm të Shqipërisë. Por nuk janë dy gjëra që kanë lidhje.
Rezultati i Serbisë ka lidhje me situatën në Serbi. Mos harrojmë që Serbia ka njohur realisht një ndryshim demokratik vetëm gjatë kohës së Zoran Gjingjiçit, për shumë pak vite, të cilin e vranë. Pastaj gjithë pjesa tjetër është një Serbi që nuk ka dashur të reformohet dhe nuk i ka pranuar kurrë krimet që ka bërë në luftërat e ish-Jugosllavisë.
Pra, konteksti është komplet tjetër. Nuk mund ta shohim situatën e Serbisë me sytë e politikës së brendshme këtu.
Unë nuk mund të them atë që thonë disa, që Rama është tradhtar, sepse është kryeministri i vendit. Është kryeministri i një vendi të NATO-s, i di detyrimet.
Sigurisht, është një politikan i cili, për mendimin tim, bëri një gabim shumë të rëndë që i besoi Vuçiçit në marrëdhëniet e tij, për atë idenë e Ballkanit të Hapur, bashkë me Zoran Zaevin dhe të tjerë.
Ajo gjë dështoi. Dhe fakti që ka dështuar besoj se e çon sot Ramën të reflektojë e të kuptojë se ku qëndronte dështimi. 1 ORE ME PARE Ilir Kulla: Ndërkombëtarët po ndërhyjnë për të shmangur destabilizimin e Shqipërisë Ilir Kulla Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, ka deklaruar se ndërkombëtarët po përpiqen të ulin tensionet politike në Shqipëri, duke përfshirë edhe Presidentin e Republikës si figurë ndërmjetëse. Sipas tij, shqetësimi kryesor lidhet me rrezikun e destabilizimit të një vendi anëtar të NATO-s, ndërsa mungesa e besimit mes palëve politike po e vështirëson dialogun.
I pyetur në emisionin “Të Pashoq” në kanalin YouTube të “Pamflet”-it, mbi informacionet që qarkullojnë për një angazhim të përfaqësuesve diplomatikë të Bashkimit Europian, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara në arritjen e një marrëveshjeje politike, Kulla pohoi se përpjekjet për ndërmjetësim kanë qenë reale.
“Po vazhdojnë të flasin përmes heshtjes. Por përpjekja e tyre, edhe duke futur si figurë ndërmjetëse Presidentin e Republikës, ka qenë reale”, deklaroi Kulla.
Sipas ekspertit të sigurisë, shqetësimi i ndërkombëtarëve nuk lidhet thjesht me protestat apo dëmet materiale që mund të shkaktohen gjatë tyre, por me pasojat që një përshkallëzim i situatës mund të ketë për stabilitetin e përgjithshëm të Shqipërisë.
“Shqetësimi që një vend i NATO-s mund të degradojë tërësisht, nuk ka të bëjë vetëm me rrugët apo xhamat, por me gjithë stabilitetin e vendit. Kur shkon në atë pikë pa kthim, duhen forca dhe instrumente dialogu për të bërë hapa mbrapa”, u shpreh ai.
Kulla theksoi se pengesa kryesore për arritjen e një marrëveshjeje mbetet mungesa e thellë e besimit mes palëve politike, e cila, sipas tij, ka sjellë përshkallëzim të retorikës dhe vështirësi në komunikim.
“Fatkeqësisht, palët nuk i besojnë fare njëra-tjetrës, dhe kjo krijon atë distancë dhe gjuhë agresive. Kemi një problem real komunikimi”, deklaroi eksperti.
Përtej krizës politike, Kulla u ndal edhe te problemet ekonomike dhe sociale me të cilat përballen qytetarët, duke përmendur varfërinë, inflacionin dhe vështirësitë financiare të studentëve. Sipas tij, pakënaqësitë sociale përbëjnë një faktor që nuk mund të anashkalohet dhe kërkojnë reflektim nga institucionet dhe klasa politike.
“Vendi ka probleme reale, varfëri, krizë sociale, rritje të inflacionit, të cilat po shpërthejnë me studentët që kanë probleme të vërteta me qiratë e dhomave. Realisht gjendja sociale ka nevojë për reflektim të thellë”, tha Kulla.
Eksperti i sigurisë vlerësoi se përpjekjet për ndërmjetësim synojnë krijimin e një periudhe qetësimi mes palëve, për të shmangur përplasjet dhe përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
“Kështu që, ka një përpjekje për një ‘detantë’ mes palëve, për të mos përdorur më zjarr. Të dyja palët e panë që e kanë aq forcë destruktive sa ta bëjnë çorap gjithë gjënë, brenda dy javësh u pa që ky vend mund të destabilizohet shumë thjesht”, përfi Kulla. Pjesë nga intervista:
-Ndërkohë, po flitet në underground që situatën në Shqipëri duket se e kanë marrë përsipër si arbitër, si ndërmjetës ndërkombëtarët. Me një përbërje të tillë: Ambasadorja e BE-së, Ambasadori Gjerman dhe Ambasadori Amerikan, për të arritur një marrëveshje politike mes palëve. A është e vërtetë kjo, mund të arrihet diçka dhe çfarë kuptojmë me heshtjen e tyre, se më ke thënë "po flasin përmes heshtjes"?
Ilir Kulla: Po vazhdojnë të flasin përmes heshtjes. Por përpjekja e tyre, edhe duke futur si figurë ndërmjetëse Presidentin e Republikës, ka qenë reale. Shqetësimi që një vend i NATO-s mund të degradojë tërësisht, nuk ka të bëjë vetëm me rrugët apo xhamat, por me gjithë stabilitetin e vendit. Kur shkon në atë pikë pa kthim, duhen forca dhe instrumente dialogu për të bërë hapa mbrapa. Fatkeqësisht, palët nuk i besojnë fare njëra-tjetrës, dhe kjo krijon atë distancë dhe gjuhë agresive. Kemi një problem real komunikimi. Vendi ka probleme reale, varfëri, krizë sociale, rritje të inflacionit, të cilat po shpërthejnë me studentët që kanë probleme të vërteta me qiratë e dhomave. Realisht gjendja sociale ka nevojë për reflektim të thellë. Kështu që, ka një përpjekje për një 'detantë' mes palëve, për të mos përdorur më zjarr. Të dyja palët e panë që e kanë aq forcë destruktive sa ta bëjnë çorap gjithë gjënë, brenda dy javësh u pa që ky vend mund të destabilizohet shumë thjesht. 2 ORE ME PARE “Protestat mund të dilnin jashtë kontrollit”, Ilir Kulla zbulon çfarë ndryshoi pas plagosjes së 28-vjeçarit Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla i ftuar në emisionin “Të Pashoq” në kanalin në “Youtubet” të “Pamflet”-it, ka komentuar dinamikën e protestave të fundit, duke u ndalur te përplasjet me policinë, ndryshimi i strategjisë së forcave të rendit dhe pasojat politike për mazhorancën dhe opozitën.
Sipas Kullës, plagosja e Erjon Vishkullit ka qenë një moment që mund të ketë ndikuar në reflektimin e palëve, për shkak të rrezikut që situata të përshkallëzohej më tej.
“Unë mendoj që edhe drejtuesit e forcave të rendit, por edhe nga ana e qeverisë, ka pasur një reflektim që nuk mund ta shtyjnë më shumë këtë gjë, se do na dalë tërësisht jashtë kontrollit”, u shpreh Kulla.
Ai vlerësoi se në ditët e fundit është vënë re një ndryshim në mënyrën se si policia i përgjigjet protestës, duke shmangur ndërhyrjet e forta për sa kohë situata mbetet nën kontroll. Kulla solli në vëmendje protestën e 13 tetorit, duke argumentuar se përdorimi i forcave speciale dhe përplasjet me protestuesit kishin ndikuar në rritjen e pjesëmarrjes.
“Nëse kujtohet, dita e parë e protestës, 13 tetori, nuk ishte aq e madhe sa të përdoreshin forcat speciale dhe të goditeshin njerëzit. Protesta vetëm sa u zmadhua”, deklaroi ai.
Sipas tij, pavarësisht ndryshimit të qasjes, tensionet politike nuk janë shuar dhe protestat pritet të vijojnë.
“Protestat do vazhdojnë, nuk janë zgjidhur, gjuha me të cilën vazhdon është e rënduar si nga protestuesit ashtu edhe nga mazhoranca, por ka fillimin e një reflektimi”, theksoi Kulla.
Një pjesë të rëndësishme të analizës së tij Kulla ia kushtoi Partisë Demokratike dhe aftësisë së saj për të mobilizuar qytetarët në një situatë protestash dhe pakënaqësie ndaj mazhorancës. Ai argumentoi se protestat kanë ndikuar negativisht në imazhin e qeverisë, por njëkohësisht kanë nxjerrë në pah, sipas tij, dobësinë organizative dhe politike të opozitës.
“Kjo protestë ka shkatërruar imazhin e Partisë Socialiste dhe të mazhorancës qeverisëse. Por, ka asgjësuar PD-në”, deklaroi Kulla.
Duke iu referuar pjesëmarrjes në protestën e fundit të organizuar nga demokratët, ai pretendoi se PD-ja kishte arritur të mblidhte vetëm 600 deri në 800 persona, shifër që, sipas tij, tregon vështirësinë e kësaj force politike për të përfituar nga pakënaqësia qytetare.
“Fakti që PD nuk mblodhi më shumë se 600-800 veta ditën e fundit, tregon që ka një problem real të asgjësimit të PD-së si parti alternative për të përfituar nga kjo pakënaqësi”, u shpreh ai.
Kulla ngriti gjithashtu pikëpyetje për kapacitetin mobilizues të Partisë Demokratike, duke përmendur edhe bashkitë që kjo forcë politike drejton. Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë se pakënaqësia ndaj qeverisë nuk përkthehet automatikisht në mbështetje për opozitën tradicionale. Pjesë nga intervista:
-Ka ndryshuar, po themi, dukjen e saj. Nuk kemi më skena të forta përplasje si në ditët e para. Patëm të shtunën një protestë masive që...
Ilir Kulla: E shtuna ishte vetëm katër ditë përpara, ishte shumë e zhurmshme.
-Ju rikthyet si një tip skenari. Mirëpo flas për përditshmërinë, ka ndryshuar diçka?
Ilir Kulla: Sigurisht pra, të thashë që në mendimin tim, pas plagosjes së Erjon Vishkullit dhe rrezikimit të jetës nga ana e tij, sepse ka qenë shumë afër vdekjes në momentet e para. Unë mendoj që edhe drejtuesit e forcave të rendit por edhe nga ana e qeverisë, ka pasur një reflektim që nuk mund ta shtyjnë më shumë këtë gjë se do na dalë tërësisht jashtë kontrollit.
-Nga kjo ka ndryshuar?
Ilir Kulla: Mendoj që kjo është arsyeja kryesore.
-Jo, do të pyesja që çfarë ka ndryshuar tek protesta, sepse ka një perceptim të ditëve të fundit sikur po pëson një lloj rënie, ndryshimi, qasje tjetër.
Ilir Kulla: Unë ta përsëris edhe një herë atë që kam thënë...
-Ti thua që është kontributore vetëm ana e qeverisë në këtë drejtim?
Ilir Kulla: Jo, të dyja palët. Po ka një arsye pse. Nëse kujtohet, dita e parë e protestës 13 tetori, nuk ishte aq e madhe sa të përdoreshin forcat speciale dhe të goditeshin njerëzit, protesta vetëm sa u zmadhua. Pra, duket qartë që ka një ndryshim strategjie që nuk përdoret policia, për sa kohë protesta nuk del jashtë kontrollit. E shtuna ishte maksimumi i përplasjes, ndodhi ajo ngjarje që për fat të mirë u shpëtua jeta e atij djalit në Itali, u dërgua në spitalin Xhemeli. Unë i uroj sukses se është një djalë i ri, por duket që ai ishte momenti që i ka bërë palët të reflektojnë, që kjo gjë mund të dalë tërësisht jashtë kontrollit nëse vazhdon kështu. Protestat do vazhdojnë, nuk janë zgjidhur, gjuha me të cilën vazhdon është e rënduar si nga protestuesit ashtu edhe nga mazhoranca, por ka fillimin e një reflektimi.
-Tani, protesta e së shtunës, a mendon se u dëmtua nga strategjia që përdori kryedemokrati, ose lidershipi, për të futur të vetët në një intermexo të orareve e për të protestuar vetë?
Ilir Kulla: E kam thënë dhe disa herë e konfirmoj. Kjo protestë ka shkatërruar imazhin e Partisë Socialiste dhe të mazhorancës qeverisëse. Por, ka asgjësuar PD-në. Fakti që PD nuk mblodhi më shumë se 600-800 veta ditën e fundit, tregon që ka një problem real të asgjësimit të PD-së si parti alternative për të përfituar nga kjo pakënaqësi. Kemi një parti që nga gjashtë bashki që qeveris sot nuk mund të nxirrte njerëz. Kjo tregon një asgjësim total të PD-së si alternativë politike.
-Në Serbi e të tjera me radhë, po...
Ilir Kulla: Po të shohim atë që ndodhi në Serbi, dhe ta vëmë në kontekstin e së sotmes, nëse sot do të bëheshin zgjedhje, PD-ja do ishte padyshim forca e tretë politike. 2 ORE ME PARE Rama refuzon dorëheqjen, Ilir Kulla: Po të kishte reaguar në verë, nuk do të kishim këto tensione Ilir Kulla Analisti dhe eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, i ftuar në podkastin “Të Pashoq” të Pamfletit në YouTube, komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama se nuk do të japë dorëheqjen. Sipas Kullës, qeveria duhet të kalojë nga premtimet te veprimet konkrete, pasi pakënaqësia ekonomike që ka nxitur protestat nuk mund të zgjidhet me deklarata politike. Kryeministri Edi Rama mund të këmbëngulë se do ta çojë mandatin deri në fund, por qetësimi i protestave kërkon më shumë sesa deklarata dhe paralajmërime ndaj demonstruesve.
Kështu u shpreh analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla, gjatë intervistës në podkastin “Të Pashoq” të Pamfletit, ku komentoi qëndrimin e kryeministrit për të mos dhënë dorëheqjen dhe tensionet që kanë shoqëruar protestat studentore.
Kulla tha se e kupton nervozizmin e Ramës në kontekstin politik, por theksoi se realiteti ekonomik, veçanërisht në periferi të Tiranës, kërkon ndërhyrje konkrete. Sipas tij, paketa e re fiskale e prezantuar nga qeveria përmban masa që duheshin ndërmarrë shumë më herët. Ai vlerësoi se, nëse kryeministri do të kishte reaguar ndaj shqetësimeve ekonomike gjatë muajve të verës, tensionet mund të mos kishin arritur në nivelin aktual.
Eksperti i sigurisë nënvizoi se jo të gjitha masat e paralajmëruara mund të zbatohen menjëherë dhe se mbetet për t'u parë nëse paketa fiskale do të japë rezultat.
Megjithatë, ai përsëriti bindjen se pa presionin e protestave, ndryshimet e shpallura nga Rama nuk do të ishin përfshirë fare në planet e qeverisë.
Pyetje: Sot kryeministri ishte shumë i qartë kur tha se deri në ditën e fundit të mandatit do të qëndrojë në detyrë, nuk do të japë dorëheqjen dhe, nga ana tjetër, nuk i kurseu sërish kërcënimet në drejtim të protestuesve.
Ilir Kulla: Shiko, unë i kam dëgjuar edhe kërcënimet, i kam dëgjuar edhe ditët e shkuara. E kuptoj kontekstin politik dhe nervozizmin e tij në kontekstin politik.
De facto, mjafton të shkosh në periferi të Tiranës. Isha edhe sot me një mik tuajin, pikërisht për të parë se si është realiteti në periferi të Tiranës.
Pra, nëse kjo protestë do të ulet, nëse ky tension do të ulet, përtej fjalëve ka nevojë për disa fakte, për disa vepra.
Jo të gjitha gjërat që ka thënë Rama janë të realizueshme shpejt e shpejt, pasi duan kohën e vet. Jo të gjitha gjërat do të kenë efekt imediat, por disa gjëra janë të domosdoshme dhe duheshin bërë shumë kohë më parë.
Pra, nëse zoti Rama do të kishte filluar të reflektonte për këto gjëra, them në qershor, korrik, gusht, ndoshta nuk do të kishim pasur atë tension që kemi këtu.
Sigurisht, nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë.
Por unë mendoj, edhe një herë po ta them, që po të mos kishte qenë për protestat, ato gjëra që ai deklaroi sot, paketën e re fiskale, as nuk do të kishin qenë fare në listën e gjërave që programohen.
Tani, a do të funksionojë paketa e re fiskale apo jo... 2 ORE ME PARE Ilir Kulla: Rama ka nisur të tërhiqet përballë studentëve, pa protestat nuk do të ndryshonte politikën ekonomike Ilir Kulla Analisti dhe eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, i ftuar në podkastin “Të Pashoq” të Pamfletit në YouTube, deklaroi se protesta studentore ka nisur të japë rezultatet e para. Sipas tij, paketa fiskale e prezantuar nga kryeministri Edi Rama tregon një ndryshim të kursit ekonomik, ndërsa plagosja e rëndë e një protestuesi ka ndikuar edhe në sjelljen e policisë. Në ditën e 16-të të protestave studentore, analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla vlerëson se kryeministri Edi Rama ka nisur të reflektojë përballë presionit të të rinjve, edhe pse nuk ka pranuar kërkesat e tyre për largimin e tij.
I ftuar në podkastin “Të Pashoq”, Kulla u ndal te paketa fiskale e prezantuar nga Rama, duke e cilësuar si një përpjekje për të adresuar shqetësimet ekonomike të qytetarëve, veçanërisht inflacionin.
Sipas tij, edhe pse mbetet për t'u parë nëse masat e propozuara do të japin rezultat, një gjë është e sigurt: pa protestat, kryeministri nuk do të kishte ndërmarrë këtë ndryshim në politikën ekonomike dhe fiskale.
Kulla u ndal edhe te reagimi i policisë gjatë demonstratave, duke përmendur plagosjen e rëndë të Erjon Vishkullit, i cili u dërgua për trajtim në Itali. Ai tha se, sipas informacionit të marrë gjatë ditës, ndërhyrja kirurgjikale kishte përfunduar me sukses.
Eksperti i sigurisë ngriti shqetësimin për përdorimin e plumbave të gomës nga policia, duke paralajmëruar se edhe këto municione mund të shkaktojnë dëmtime fatale nëse godasin pjesë jetike të trupit.
Pyetje: Kemi 16 ditë proteste. Nuk ka tërheqje nga ana e studentëve, por as nga ana e kryeministrit Rama. Ku jemi?
Ilir Kulla: Sot Rama ka prezantuar një paketë fiskale. Derisa të bëhet ligj ka kohë, domethënë besoj që rrugës edhe do të mund të mendohen disa gjëra. Në të cilën Rama ka reflektuar tërësisht politikën e tij ekonomike aktuale.
Pra, ka filluar të adresojë, nuk e di pse apo nga, por ka filluar të adresojë një pjesë të shqetësimeve reale që ka vendi, ku kryefjala është inflacioni.
Tani, a do t'i funksionojë apo nuk do t'i funksionojë, këtë nuk e di. Por një gjë e kam të qartë: po të mos kishte qenë për protestat, ai nuk do të kishte mbajtur atë fjalë që mbajti sot dhe nuk do të kishte reflektuar atë kthesë në politikën ekonomike dhe fiskale të vendit.
Së dyti, një pjesë e gjërave që ndodhën, përfshirë edhe plagosjen e Erjon Vishkullit dhe dërgimin e tij në Itali, ku sot erdhi lajmi që e ka kryer operacionin me sukses, sepse i rrezikohej jeta, ka bërë që policia e tij të qetësohet.
Sidomos në çështjen e përdorimit të armëve me fishekë gome, të cilët çdo njeri që ka një njohuri minimale të balistikës e di që janë po aq të rrezikshëm sa fishekët e vërtetë, nëse godasin pjesë të trupit që rrezikojnë jetën.
Kështu që, nëse në njërën anë kemi protestën që vazhdon, sigurisht jo me numrat e së shtunës apo të ditëve të mëparshme, në anën tjetër kemi fillimin e një kthese.
Pra, kur them kthesë reale, e kam fjalën për adresimin e një pjese të shqetësimeve që janë thelbësore, që de facto është ekonomia. Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen LIVE UPDATES Minutë pas minute/ 3 orë protestë, nisin tensionet para Kryeministrisë 25 Tetor 2026, 17:0917:09LIVE UPDATES Protestuesit nuk dorëzohen, gaz, flakë dhe tensione në rrugët e kryeqytetit; Tirana në kolaps 24 Tetor 2026, 19:1919:19LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Tirana sërish mes gazit, ujit dhe tensioneve; përplasje të forta mes policisë dhe protestuesve 24 Tetor 2026, 15:5315:53LIVE UPDATES Nis protesta, iu vihet flaka koshave të mbeturinave; studentët qëllojnë me gurë policinë 24 Tetor 2026, 14:3014:30LIVE UPDATES "Të Pashoq"/ Edi Rama, dorëhiqet apo arratiset? 21 Tetor 2026, 19:5719:57LIVE UPDATES Tirana sërish mes kaosit dhe tensioneve, mijëra të rinj në këmbë kundër Ramës 20 Tetor 2026, 18:5018:50LIVE UPDATES

