Një shqiptar që jeton prej vitesh në Romë i është bashkuar protestës në Tiranë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke rrëfyer para protestuesve historitë e tij personale dhe përvojat e dhimbshme me sistemin shëndetësor në Shqipëri. Ai tha se prej 84 ditësh ka ndjekur protestat edhe nga Italia, ndërsa sot ka ardhur në Shqipëri për të shprehur revoltën dhe dhimbjen për gjendjen në vend. “Jetoj në Romë. Mamaja ime ndërroi jetë para tre vitesh tek Onkologjiku dhe kam parë tmerr me sytë e mi. Njerëzit kemioterapi nër koridore”, u shpreh ai. Shqiptari tregoi gjithashtu një eksperiencë të rëndë me shëndetin e fëmijës së tij, duke pretenduar se trajtimi i marrë në spitalet shqiptare i kishte shkaktuar pasoja të rënda. “Kam pasur fëmijën që i ra sëmundja e tokës dhe e dërgova te spitalet shqiptare, ku këta thonë se është falas. Nuk është falas. Nëse nuk ke para, nuk të kap njeri me dorë”, tha ai.
Sipas tij, edhe në spitalet shqiptare mungojnë elementë bazë mjekësorë.
“Akoma në spitalet shqiptare mungojnë vigonat. Është turp që në 2026 të ndodhin këto gjëra”, deklaroi ai.
Duke rrëfyer më tej historinë e fëmijës së tij, shqiptari tha se pasi e kishte dërguar për trajtim në Romë, mjekët italianë ishin habitur me medikamentet që i ishin dhënë në Shqipëri.
“Kur e çova fëmijën në Romë, u habit mjeku. Tha: ‘Si ka mundësi mjekësia shqiptare i ka dhënë këto ilaçe fëmijës?’. Të ishte për këtë shëndetësi këtu, fëmija im do të ishte i paralizuar”, rrëfeu ai.
Ai foli edhe për situatën ekonomike të babait të tij, duke thënë se pensioni që merr nuk mjafton për të përballuar shpenzimet për ilaçe.
“Babai im merr 140 mijë lekë pension, nuk i dalin për ilaçe. Është një turp i vërtetë”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: edi rama protesta
