Elbasani rikthehet në qendër të skenës teatrore me edicionin e 28-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor “Skampa 2026”. “Të Jesh” është tema e këtij edicioni, që për një javë sjell në qytet artistë, shfaqje dhe kultura të ndryshme. Programi përfshin 14 veprimtari, nga shfaqjet teatrore dhe performancat, te punëtoritë, ekspozitat dhe promovimet e librave. Drejtori artistik i festivalit, Adonis Filipi, thotë se, pavarësisht 28 viteve të organizimit, “Skampa” vijon të ruajë frymën e re përmes produksioneve dhe qasjeve bashkëkohore. Sipas tij, misioni i festivalit nuk është vetëm të përmbushë pritshmëritë e spektatorit, por edhe t’i sfidojë ato. “Çdo vit ndjehemi të rinj, pavarësisht se mosha biologjike bën punën e vet, por festivali, me profilin që ka, me prurjet që ai çdo vit i ka të larmishme, na bën të ndihemi të rinj, na bën të ndihemi në hapin e kohës, gjithmonë për të sjellë qasje e produksione bashkëkohore, të cilat kanë për festivalin një mision jo të lehtë, por të vështirë. Që nga fillimi i festivalit, që para 28 vitesh, misioni ynë nuk ka qenë i lehtë. Cili është misioni thelbësor? Ne nuk kemi një festival që synojmë ta ofrojmë thjesht për të kënaqur zakonet e spektatorit, por është një festival që synon t’i ndryshojë ato. Ky festival është kthyer në aset të kulturës sonë kombëtare”, thotë Adonis Filipi. Për aktorët dhe artistët që marrin pjesë, “Skampa” nuk është vetëm një festival shfaqjesh, por edhe një hapësirë takimi mes artistëve dhe publikut. Aktorja turke Asli Kilian, e cila ka edhe rrënjë shqiptare, shprehet se pjesëmarrja në festival dhe bashkëpunimi me një regjisor shqiptar kanë një domethënie të veçantë për të. “Së pari është kënaqësi e madhe, sepse edhe rrënjët e mia janë nga këtu. Gjyshërit e mi kanë rrënjë shqiptare, gjyshi, në këtë rast, ka prejardhje nga Ohri, ndërsa gjyshja nga Elbasani. Dhe për mua është kënaqësi të punoj me një regjisor shqiptar. Nëse ne kemi pasur sukses, e kemi bërë të gjithë bashkë dhe për këtë jam krenare që jam këtu”, thotë aktorja turke Asli Kilian. Edhe aktori Hysen Mollajonuzi vlerëson ndikimin e festivalit në jetën kulturore të Elbasanit. Ai e përshkruan “Skampën” si një aktivitet profesional dhe të përqendruar te thellësia artistike, që krijon një lidhje të veçantë me publikun e teatrit. “Ky festival i ka sjellë një tjetër dimension qytetit nga ana artistike. Teatri, në vetvete, është një art jo i zhurmshëm, i mbyllur, dhe ky festival ka pikërisht këtë kostum. Është një festival jo i zhurmshëm, profesional, por dhe shumë i thellë, shumë determinues, dhe spektatorët e teatrit janë të tillë”, thotë aktori Hysen Mollajonuzi. Nga produksionet ndërkombëtare te hapësirat për artistët e rinj, edicioni i 28-të i “Skampës” vijon ta mbajë teatrin bashkëkohor në qendër të jetës kulturore të Elbasanit, duke krijuar mundësi për takime mes krijuesve dhe publikut.
