Eric Wendt nuk po vjen në Tiranë për të administruar qetësinë diplomatike. Ai ka vendosur në krye të misionit organizatat kriminale shqiptare që bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës Latine, pastrojnë paratë e drogës dhe depërtojnë në institucionet ligjzbatuese. Kjo shpjegon tensionin që ndihet nga zyra e kryeministrit deri brenda vetë ambasadës amerikane... Tirana po pret ambasadorin e ri amerikan siç rrallë pritet një diplomat. Politikanët kërkojnë të kuptojnë se kë do të takojë të parin, cilët emra ka në dosje dhe sa nga politika e deritanishme amerikane do të mbajë. Qeveria mat fjalët. Opozita ushqen shpresa. Brenda ambasadës ka nisur llogaria e një mandati të ri. Mbi të gjitha, Edi Rama pret të mësojë se çfarë sjell me vete gjenerallejtënanti në pension Eric Wendt.
Kureshtjen nuk e ka shkaktuar vetëm mungesa trevjeçare e një ambasadori të konfirmuar nga Senati. Atë e ka shkaktuar profili i njeriut që Donald Trump zgjodhi për Tiranën. Wendt ka shërbyer 34 vjet në ushtrinë amerikane, ka drejtuar forcat e operacioneve speciale të NATO-s dhe ka punuar në mjedise ku diplomacia mbështetet te informacioni, siguria dhe veprimi. Ai nuk vjen nga sallonet e Departamentit të Shtetit. Vjen nga struktura që mësojnë të identifikojnë rrjetin, komandën, financimin dhe mbrojtjen politike të një kërcënimi.
Edhe misionin e tij për Shqipërinë e ka përshkruar me gjuhë të qartë. Para Senatit amerikan, Wendt vendosi në plan të parë korrupsionin, krimin e organizuar ndërkombëtar dhe trafikun e drogës të lidhur me kartelet e Amerikës Latine.
Në përgjigjet me shkrim, ai shkoi më tej. Organizatat kriminale shqiptare, tha Wendt, përbëjnë një shtyllë mbështetëse për kartelet meksikane, përfshirë Sinaloan, dhe për grupet e Amerikës së Jugut. Ato hapin tregje, ndërtojnë rrugë kontrabande, pastrojnë para dhe shtojnë të ardhurat e trafikantëve.
Asnjë ambasador i ardhshëm nuk e kishte përcaktuar kaq drejtpërdrejt krimin shqiptar si kërcënim ndaj sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Ky përcaktim e nxjerr çështjen nga kufijtë e Shqipërisë. Trafikantët nuk përbëjnë më vetëm një problem për policinë shqiptare, prokurorinë apo politikën. Uashingtoni i ka futur në hartën e organizatave që prekin interesat amerikane.
Këtu nis shqetësimi i vërtetë i pushtetit.
Për më shumë se një dekadë, Shqipëria ka parë si paratë e drogës hynë në ndërtim, turizëm, media, tenderë dhe fushata elektorale. Qeveria i ka paraqitur kullat, resortet dhe miliardat e deklaruara si zhvillim ekonomik, pa shpjeguar bindshëm prejardhjen e kapitalit. Në të njëjtën kohë, trafikantë të kërkuar në Evropë dhe Amerikën Latine kanë ruajtur lidhje me zyrtarë, policë, kryebashkiakë dhe njerëz me ndikim politik.
Eric Wendt nuk ka premtuar se do të numërojë parcelat me kanabis. Ai ka premtuar se do të ndihmojë në çmontimin e organizatave kriminale dhe rrjeteve të tyre financiare, se do të rrisë bashkëpunimin hetimor dhe se do të përqendrohet te grupet shqiptare që kërcënojnë sigurinë amerikane. Ky mision kërkon të ndjekë paratë, kontaktet dhe mbrojtjen institucionale. Pikërisht aty krimi takohet me pushtetin.
Gjenerali ka dhënë edhe një përgjigje tjetër që nuk mund të kalojë pa vëmendje. Ai e ka cilësuar SPAK-un partner kyç të agjencive amerikane dhe ka premtuar se do ta mbështesë kundrejt politikanëve, krimit të organizuar dhe forcave të tjera të jashtme. Pra, Wendt nuk e sheh SPAK-un si dekor të reformës në Drejtësi. Ai e sheh si instrument të bashkëpunimit amerikan kundër organizatave kriminale shqiptare.
Kjo e vendos Edi Ramën në një pozitë të vështirë. Kryeministri nuk mund të dalë kundër ambasadorit që emëroi Trumpi. Nuk mund të sulmojë hapur SPAK-un kur ambasadori e quan partner të agjencive amerikane. Nuk mund ta paraqesë trafikun ndërkombëtar si shpikje të opozitës, sepse Wendt ka përmendur Sinaloan dhe rrjetet e Amerikës së Jugut para Senatit. Rama mund të ofrojë bashkëpunim, por ambasadori i ri do ta masë atë me arrestime, hetime financiare dhe depërtimin e drejtësisë te mbrojtja politike e trafikantëve.
Edhe brenda ambasadës pritja nuk ka qetësinë e një ndërrimi rutinë. Wendt do të marrë drejtimin pas një periudhe të gjatë të administruar nga të ngarkuar me punë. Ai ka paralajmëruar se sapo të mbërrijë do të bëjë vlerësimin e tij dhe do të hartojë planin e veprimeve. Një gjeneral që nis mandatin me vlerësim nuk trashëgon automatikisht raportet, aleancat dhe zakonet e zyrës. Ai kërkon të dijë çfarë ka funksionuar, çfarë ka dështuar dhe kush ka fabrikuar një pamje të rreme të realitetit shqiptar.
Prandaj të gjithë presin gjeneralin. Opozita pret një arbitër. SPAK-u pret mbështetje. Trafikantët kërkojnë të kuptojnë sa dinë amerikanët. Brenda ambasadës presin drejtimin e ri. Edi Rama pret përgjigjen e pyetjes që e shqetëson më shumë: A do ta trajtojë Wendt si aleatin e Uashingtonit, apo si drejtuesin e një vendi ku organizatat kriminale u rritën, pastruan miliarda dhe hynë në politikë gjatë qeverisjes së tij?
Gjenerali ende nuk ka mbërritur, por prania e tij ka filluar të ndihet. Në Tiranë nuk po presin ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale. Po presin hapjen e dosjeve./Pamfletitë gjithë në pritje të gjeneralit eric wendt gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Kush po luan në Podgoricë me emrin e Shqipërisë? 30 Gusht 2026, 11:5311:53Editorial Misteri i Shqipërisë në alarmin e Milojko Spajiçit 29 Gusht 2026, 14:0814:08Editorial Çfarë fsheh vizita e beftë e shefit të CIA-s në Moskë? 28 Gusht 2026, 20:4120:41Editorial Gysi, 'fuçia' që Edi ua hodhi peshkaqenëve 27 Gusht 2026, 15:2615:26Editorial Sa na duhet edhe ne një Dolly Parton 26 Gusht 2026, 10:3310:33Editorial Donald Trump, ky humbës i madh 25 Gusht 2026, 15:1015:10Editorial

