Lajme Zone
Të enjten Kuvend/ Zbulohet agjenda, nga projektligji për pagat e gjyqtarëve tek interpelancat me ministrat
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Të enjten Kuvend/ Zbulohet agjenda, nga projektligji për pagat e gjyqtarëve tek interpelancat me ministrat

Kuvendi do të zhvillojë të enjten seancën plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar disa interpelanca urgjente të kërkuara nga deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, si edhe shqyrtimi dhe votimi i disa projektligjeve dhe projektvendimeve.

Kuvendi do të zhvillojë të enjten seancën plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar disa interpelanca urgjente të kërkuara nga deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, si edhe shqyrtimi dhe votimi i disa projektligjeve dhe projektvendimeve. Sipas njoftimit të Kuvendit, seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të seancës plenare të 8 shtatorit dhe më pas do të vijojë me njoftimet. Në fokus të seancës do të jenë katër interpelanca urgjente me ministra të qeverisë, ndërsa një tjetër interpelancë është kërkuar nga deputeti Blendi Himçi. Në vijim, deputetët do të shqyrtojnë marrëveshje dhe projektligje që lidhen me Ukrainën, inteligjencën artificiale, sektorin e ullirit, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, disenjot dhe tregun e shoqërive me ofertë publike. Në fund të seancës janë parashikuar edhe ndryshime në përbërjen dhe drejtimin e komisioneve të përhershme të Kuvendit, si dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. Rendi i plotë i ditës Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 8 shtator 2026.

Njoftime.

Interpelancë urgjente me Ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Interpelancë urgjente me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Interpelancë urgjente me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Blendi Himçi.

Projektligji “Për ratifikimin e Konventës për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën, bërë në Hagë, më 16.12.2025”. Pas pyetjeve do të shprehet nismëtari, ndërsa do të paraqesë qëndrimin Komisioni përgjegjës për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Do të japin mendim edhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Më pas do të zhvillohen diskutimet e grupeve parlamentare dhe do të hidhet në votim. Projektligji “Për ratifikimin e Konventës kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës”. Projektligji do të shqyrtohet pas pyetjeve, me qëndrimin e nismëtarit dhe të Komisionit përgjegjës për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Mendim do të japin Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Pas diskutimeve të grupeve parlamentare do të zhvillohet votimi. Projektligji “Për pranimin e vendimit DEC-I 1/119-VI/2024, të Këshillit të Anëtarëve të Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit, për ndryshimin e nenit 36 të Marrëveshjes Ndërkombëtare për Vajin e Ullirit dhe Ullinjtë e Tavolinës, 2015, aderuar me ligjin nr. 112/2017”. Për këtë projektligj do të shprehet nismëtari dhe Komisioni përgjegjës për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural. Mendim do të japin Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Pas diskutimeve do të zhvillohet votimi. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”. Projektligji do të shqyrtohet me pyetje, qëndrimin e nismëtarit dhe të Komisionit përgjegjës për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Mendim do të japin Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Më pas do të zhvillohen diskutimet dhe votimi. Projektligji “Për disenjot”. Pas pyetjeve dhe qëndrimit të nismëtarit, do të shprehet Komisioni përgjegjës për Ekonominë, Punësimin dhe Financat. Mendim do të japin Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Projektligji do të kalojë më pas për diskutim dhe votim. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10236, datë 18.2.2010, ‘Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike’”. Pas pyetjeve dhe shprehjes së nismëtarit, do të paraqesë qëndrimin Komisioni përgjegjës për Ekonominë, Punësimin dhe Financat. Mendim do të japin Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Në vijim do të zhvillohen diskutimet dhe votimi. Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 85/2026, ‘Për caktimin e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit’”. Projektvendimi do të hidhet në votim. Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 86/2026, ‘Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit’”. Edhe ky projektvendim parashikohet të kalojë për votim. Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 87/2026, ‘Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit’”. Projektvendimi do të hidhet në votim me shumicë të thjeshtë. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. Në këtë pikë, çdo deputet mund të flasë jo më shumë se 5 minuta, ndërsa nëse diskuton në emër të grupit parlamentar, koha maksimale është 8 minuta. Koha totale e diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës nuk mund të jetë më shumë se 60 minuta. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: enjte Kuvendi rendi i dites