Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar një ndërprerje triditore të sulmeve ajrore ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit, për shkak të vizitës së negociatorëve nga SHBA-ja Jared Kushner dhe Steve Witkoff. Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, në Moskë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tass.
Sipas Peskovit, ky vendim lidhet me “përgatitjen dhe fillimin e kontakteve” me delegacionin amerikan që pritet në Kiev. Pushimi i sulmeve do të hyjë në fuqi në fillim të së dielës dhe do të zgjasë tri ditë.
Peskov konfirmoi gjithashtu se presidenti i Rusisë Putin do të presë këtë të shtunë (05.09.2026) të dërguarin special amerikan Steve Witkoff dhe dhëndrin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Jared Kushner. Ukraina kishte deklaruar më parë se, për shkak të kësaj vizite, nuk do të rrezikonte hapësirën ajrore ruse për tri ditë.
Trump: “Dy negociatorë të shkëlqyer”
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi për një nismë të re diplomatike për t’i dhënë fund luftës. Të premten (04.09.2026), ai i quajti Witkoff dhe dhëndrin e tij Kushner “dy negociatorë të shkëlqyer”.
Ai shtoi: “Ne i kemi dërguar atje për të parë nëse mund të arrijmë diçka.” Witkoff dhe Kushner kanë me vete në Moskë një plan amerikan për përfundimin e luftës, të cilin synojnë ta paraqesin gjatë bisedimeve.
Pas një periudhe pauze, SHBA-ja po riaktivizon përpjekjet e saj ndërmjetësuese për t’i dhënë fund luftës sulmuese ruse, e cila ka zgjatur tashmë katër vjet e gjysmë. Witkoff dhe Kushner kanë vizituar Moskën disa herë më parë. Të dielën, ata pritet të vizitojnë për herë të parë edhe kryeqytetin ukrainas, Kievin. Top Channel

