Memorie.al /Edhe pse ishte udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste për 40 vite me radhë, duke e qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij nga 1945-sa, deri kur vdiq në 11 prillin e ’85-ës, por edhe pas vdekjes së tij e, deri në shembjen e regjimit komunist në fillimin e vitit 1991, nuk u botua kurrë një biografi zyrtare e plotë për Enver Hoxhën, ndonëse vetë ai la të shkruar një seri veprash me rreth 80 vëllime. Madje as pas viteve ’90-të e deri më sot, nuk është botuar ende një biografi për ish-diktatorin komunist Enver Hoxha, e cila të jetë e bazuar mbi dokumente arkivore që të hedhin dritë mbi origjinën e hershme të familjes, me pemën gjenealogjike të saj, si dhe një jetëshkrim të tij, nga dita që lindi e, deri kur vdiq…! Kjo me sa duket, edhe për faktin se gjatë gjithë jetës së tij, ka pasur shumë dritë hije, madje shumë njolla të errtë, të cilat bënë që ai vetë të mos jepte kurrë miratimin për botimin e një biografie të tij në një libër të veçantë, edhe pse ato biografi kanë ekzistuar në të vërtetë. Madje tre të tilla dhe me autorë të ndryshëm, të cilat gjenden edhe sot në fondin personal të Enver Hoxhës, në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Biografia e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u bë publike në vitin 1946, në kuadrin e “popullarizimit” të figurës së tij, si “udhëheqësi kryesor dhe sekretar i parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-çlirimtare me gradën gjeneral-kolonel, kryetar i kryesisë së Frontit Demokratik të Shqipërisë, kryeministër i qeverisë shqiptare, ministër i Mbrojtjes Popullore dhe ministër i Punëve të Jashtme”. Siç shihet dhe në faksimilet përkatëse bashkangjitur këtij shkrimi, kjo biografi e cila është një libërth i vogël me 58 faqe, botuar në Shtypshkronjën “Rinia” (ish-shtypshkronja “Gutenberg”) në fletën e parë (pas kopertinës ngjyrë vishnje të errët dhe fotos së Enver Hoxhës me uniformën ushtarake të gjeneralit e medaljet në gjoks), ka të shkruar me gërma kapitale: “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”. Ajo biografi e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u përgatit për botim nga punonjësit sektorit të Agjit-Propit (Agjitacion e Propagandës) pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, por në të vërtetë hartuesi dhe autori i saj, ishte kapiteni i parë, Ndreçi Plasari, emri i të cilit nuk figuron në librin në fjalë, por gjendet i shkruar me shkrimin e tij në fletën e parë të materialit të daktilografuar që u dërgua për shtyp. Libri, apo më saktë broshura “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”, fillon me një përshkrim të qytetit të Gjirokastrës ku lindi Enveri më 16 tetor 1908 dhe vazhdon me disa paragrafë mbi historinë e familjes Hoxha, (gjë e cila zë vetëm dy faqet e para), ndërsa e gjithë pjesa tjetër i kushtohet rolit të tij (Enverit) gjatë periudhës së “Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare” me disa nga ngjarjet kryesore të saj, (themelimi i PKSH-së, Konferenca e Pezës, Mbledhja e Labinotit dhe krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare më 10 korrik 1943, Marrëveshja e Mukjes, Kongresi i Përmetit etj.), duke përfunduar me 11 janar 1946, me ngjarjen e shpalljes së Republikës. As sot nuk dihet me saktësi, se përse ajo broshurë me biografinë e parë zyrtare të Enver Hoxhës (ku mungon pothuajse fare një jetëshkrim i tij për periudhën e Monarkisë së Zogut), e cila e gloriofikon figurën dhe rolin e tij, (apo familjes Hoxha), që nga periudha e fëmijërisë, e deri në atë kohë që u botua, u hoq menjëherë nga qarkullimi, (thuhet pas dy-tre muajsh) dhe nuk u përdor kurrë më as për referenca, në libra, albume, apo dhe vepra të tjera kushtuar figurës së tij. LEXO EDHE:“Në luftën e Vlorës të 1920-ës kundër pushtuesve italianë ishte edhe 12-vjeçari...”- Zbulohet biografia e panjohur e vitit 1969 Sepse që nga ajo kohë e më pas, Enver Hoxha filloi eliminimin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, (anëtarë të Byrosë Politike, ministra, deputetë, etj.), duke i burgosur, internuar apo ekzekutuar dhe libri në fjalë më biografinë e tij, nuk mund të qarkullonte më me emrat e “armiqve të popullit”. Biografia e dytë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1950 (15.VI.1950) dhe ajo ka për autor Misto Treskën, njeri i afërt dhe shumë i besuar i Enver Hoxhës, që nga periudha e Liceut francez të Korçës dhe Grupit Komunist të atij qyteti ku ai ishte anëtar, i cili gjatë periudhës së Luftës ishte komisar politik i Batalionit partizan “Reshit Çollaku” dhe pas vitit 1944, u gradua major, duke u caktuar si prokuror dhe anëtar i trupit gjykues në Gjyqin Special të vitit 1945, i cili dënoi me vdekje ish-kryeministrin Maliq Bushati dhe anëtarët e Regjencës, Lef Nosi e Patër Anton Harapi. Ashtu si dhe biografia e shkruar nga Ndreçi Plasari në vitin 1946, edhe ajo e Misto Treskës, e cila ka 238 faqe me shkrim dore dhe të njëjtin titull (“Enver Hoxha, një biografi e shkurtër”), e glorifikon jashtë mase figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, në të gjitha periudhat kohore që trajtohen aty. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që ajo biografi e shkruar prej Misto Treskës për Enver Hoxhën, jo vetëm që nuk u botua kurrë, por as nuk u daktilografua me makinë shkrimi, si biografia e vitit 1946 e Ndreç Plasarit, apo dhe tjetra që u shkrua më pas. Po kështu, nuk dihet me saktësi nëse ky “shërbim” që i bëri Misto Treska udhëheqësit kryesor të Shqipërisë, Enver Hoxhës (me të cilin kishte njohje edhe nga periudha e studimeve në Francë), ndikoi në karrierën e tij të mëvonshme, ku ai shërbeu si jurist, përkthyes, autor librash, diplomat, ambasador i Shqipërisë në Francë, Belgjikë etj., si dhe kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, ku dhe doli në pension në vitin 1981. Po kështu e njëjta gjë edhe për profesor Ndreçi Plasarin, historian dhe studiues i cili gjatë regjimit komunist mbajti poste të rëndësishme akademike e politike, duke qenë për një kohë të gjatë edhe nëndrejtor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, i drejtuar nga Nexhmije Hoxha. Në ato detyra, profesor Plasari shërbeu deri në vitin 1982, kur u godit nga Partia, i akuzuar si “njeri i Mehmet Shehut, që ishte dërguar prej tij deri në arkivat britanike për të fryrë kultin e tij (Mehmetit) dhe kishte fshehur dokumentet që vërtetonin se Mehmet Shehu kishte qenë agjent i Inteligjent Servisit”! Biografia e tretë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1969 dhe ajo ka për autor Aqif Selfon, shok i ngushtë i fëmijërisë dhe rinisë me Enverin dhe fqinj i tij në qytetin e Gjirokastrës e, më pas në Liceun francez të Korçës, ku studiuan së bashku dhe Selfo shërbeu për disa kohë edhe si kujdestar konvikti pranë atij liceu. Në faqen e parë të asaj biografie, shkruhet; “Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj dhe një jetëshkrim i shokut Enver Hoxha, për periudhën 1908-1930 dhe 1931-1939, 6.1.1969, nga Aqif Selfo”. Ajo biografi, apo më saktë një jetëshkrim, siç e ka titulluar vetë autori i saj, (ka 124 faqe me shkrim dore, ndërsa të daktilografuara 82 faqe), ashtu si dhe ato të Ndreçi Plasarit dhe Misto Treskës, nga fillimi në fund, e glorifikon figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, madje me shtrembërime dhe falsifikime të ngjarjeve dhe fakteve historike. (Si p.sh., në fq. 46 të kujtimeve të tij, Aqif Selfo midis të tjerash shkruan se: “Enveri u nis për në Belgjikë, u vendos në Bruksel dhe filloi detyrën e sekretarit të Konsullatës. Ai qëndroi këtu pjesërisht në vitin 1934, tërë vitin 1935 dhe pjesërisht në vitin 1936. Krahas detyrës së sekretarit të Konsullatës shqiptare në Bruksel, Enveri vazhdoi edhe studimet në fakultetin juridik dhe dha provimet e vitit të dytë”. Ndërsa në një dokument tjetër arkivor që ndodhet po në fondin e personal të Enver Hoxhës, diplomati shqiptar Nos Qosja që shërbente në ambasadën tonë në Paris, midis të tjerash shkruan: “Gjatë vizitës time në Belgjikë me shokun Harrilla Kola, ne shkuam në Universitetin e Brukselit (Fakulteti i Drejtësisë) dhe pyetëm e konstatuam: Shoku Enver është regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë për vitin akademik 1934-1935. Në arkivin e atij fakulteti, ekziston kartela me këto të dhëna; HOXHA Enver Viti akademik 1934-1935 Datëlindja; 3 tetor 1908 (Gjirokastër) Numri i regjistrit; 2821 Adresa e tij; “Legation d’Albania 155 Rue de la Loi, Bruksel”. Kartela është e bardhë, nuk figuron që të ketë dhënë ndonjë provim”. Paris, 22 shkurt 1969 Nos Qosja Nga sa thuhet edhe tek dokumenti arkivor në fjalë, (i cili kondicion me periudhën kur është shkruar dhe biografia e Enverit nga Aqif Selfo), rezulton se Enver Hoxha nuk ka dhënë asnjë provim në Fakultetin e Drejtësisë së Brukselit, gjë e cila hedh poshtë atë që shkruan Aqif Selfo, se “Enveri dha provimet e vitit të dytë”! Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore, që ato “Kujtime” nuk u botuan kurrë si libër, pasi në periudhën që u shkruan, jetonin ende shumë nga shokët dhe bashkëmoshatarët e Enverit dhe Selfos, (në burgjet politike apo të lire), si nga periudha e fëmijërisë së tyre në qytetin e Gjirokastrës, ajo e Liceut të Korçës, apo dhe studimeve në Francë. Por edhe pse ato “Kujtime” nuk e panë kurrë dritën e botimit, me shumë gjasa i shërbyen autorit të tyre Aqif Selfo, si një mburojë për një jetë të qetë (ai punoi si mësues në Tiranë në gjimnazin “Qemal Stafa”, deri sa doli në pension), ndryshe nga dy kushërinjtë e tij, Riza dhe Syrja Selfo, të cilët Enveri i arrestoi dhe i pushkatoi, edhe pse ata e gjithë familja Selfo, e kishin ndihmuar me të holla, gjatë periudhës së Luftës, 1939-1944. Mbi bazën e këtyre tre biografive, në vitin 1978, u botua një libër apo më saktë një tip broshurë me titull: “Enver Hoxha, udhëheqës i dashur i popullit shqiptar”- (Material për biseda, me rastin e 70 vjetorit të lindjes), ku në faqen e parë pas kopertinës, shkruhet: “Përgatitur nga sektori i edukimit marksist-leninist, pranë K.Q. të PPSH. – Në ndihmë të agjitatorëve dhe të propagandistëve”. Libri në fjalë është botuar nga Shtëpia Botuese “8-Nëntori” në Shtypshkronjën “Mihal Duri” në Tiranë. Fakti që këto tre biografitë e Enver Hoxhës ndodhen në fondin e tij personal, madje dhe me ndërhyrje e korrigjime nga persona të tjerë, në mos janë bërë me porosinë e tij, me shumë gjasa janë shkruar me miratimin e Enverit. Gjithsesi këto mbeten në kuadrin e hipotezave ku ka vend për të investiguar më gjatë, por në këtë shkrim po publikojmë fillimisht biografinë e Enver Hoxhës, e cila është shkruar nga Aqif Selfo, e cila publikohet për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse në disa numra, nga Memorie.al. DOKUMENTI ARKIVOR I NXJERRË NGA FONDI PERSONAL I ENVER HOXHËS QË NDODHET NË ARKIVIN QENDROR TË SHTETIT, ME KUJTIMET E SHKRUARA NGA AQIF SELFO, MBI ORIGJINËN E FAMILJES HOXHA DHE NJË JETËSHKRIM TË ENVER HOXHËS Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj, dhe jetëshkrimi i shokut Enver Hoxha për periudhën 1908–1930 dhe 1931 – 1939 Nga Aqif Selfo 6.1.1969 Këto masa u muarën edhe kundër Shoqërisë “Studenti” të Gjirokastrës. Autoritetet e vendit, që e kishin halë në sy aktivitetin dhe ndikimin e madh të shoqërisë në qytetin e Gjirokastrës, kërkuan që kjo vatër kulture të ishte brenda në lice dhe të varej drejt për së drejti nga drejtoria e liceut, se ashtu ata mund ta kontrollonin më mirë. Por anëtarët e shoqërisë si Enver Hoxha, Elmas Konjari e të tjerë, megjithëse ishin nxënës të liceut, me guxim e kundërshtuan këtë mendim, duke thënë se shoqëria nuk ishte vetëm e nxënësve të liceut të Gjirokastrës, por edhe e nxënësve gjirokastritë që mësonin në shkollat e tjera të mesme të vendit. Me gjithë kundërshtimet e bëra shoqëria pothuajse u likuidua: lokali i shoqërisë u lirua, orenditë dhe librat, që formonin bibliotekën, u mbyllën në një nga dhomat e liceut. Mbyllja e selisë së shoqërisë, për rininë shkollore të Gjirokastrës, ishte një dëm shumë i madh: nxënësit e shkollës tani nuk kishin asnjë vend të përshtatshëm për të kaluar orët e lira. Kjo u bë edhe më e madhe në pushimet verore kur ktheheshin edhe nxënësit që ndiqnin mësimet në shkolla të tjera të vendit. Grumbullimi i nxënësve në qytet, në sheshin e “Çerçis Topullit” ose në ndonjë kafe të mënjanuar, hiqte vërejtjen e autoriteteve të vendit dhe nuk shikoheshin me sy të mirë: gjallëria e rinisë i tërbonte. Prandaj, për t’iu shmangur shikimeve të tyre, nxënësit mblidheshin në vende të caktuara dhe togje togje dilnin shëtitje në të dalë të qytetit. Këto shëtitje bëheshin pothuajse çdo mbrëmje. Ata qëndronin në ndonjë bregore pranë rrugës automobilistike, ose shkonin në një kafe verore që gjendej po jashtë qytetit. Në këto shëtitje, rinia shkollore jo vetëm kalonte disa çaste në ajër të pastër jashtë qytetit, por i largohesh edhe vëzhgimeve të “organizatorëve” dhe “qytetëruesve” të Zogut (kështu mbi quheshin prej rinisë mercenarët e Zogut që kishin ardhur, si në të gjithë vendin, edhe në Gjirokastër). Këto shëtitje patën edhe anë të tjera pozitive: në to tregoheshin përmbajtjet e librave të lexuara, si dhe barcelta e anekdota të ndryshme. Në këto pasdreke Enveri ishte një nga të parët që e merrte fjalën për tregimin e përmbajtjeve të librave. Këtë cilësi ai e kishte fituar nga dëshira e madhe që kishte për lexim: ai shfrytëzonte më së miri librat, në gjuhën shqipe e frëngjishte, që gjendeshin në bibliotekën e shoqërisë dhe më vonë duke i tërhequr nga biblioteka për t’i lexuar në shtëpi. Kështu që Enveri me dëshirën e madhe që kishte për lexim, jo vetëm që përfitonte për vete të tij, por përfitonin edhe shokët e tjerë. Përveç shëtitjeve në qytet shpesh herë organizoheshin edhe ekskursione në fshatrat e afërta, sidomos në fshatrat e Lunxhërisë. Në këto ekskursione çdo pjesëmarrës merrte me vete ushqimin e nevojshëm dhe duke u ngritur herët, që pa gdhirë, mirin rrugën për në fshatin e caktuar që më parë. Me të arritur në fshat, pas një pushimi të shkurtër në burimin ose në çezmën e fshatit, vizitohesh fshati. Fshatrat e Lunxhërisë i tërhiqnin të rinjtë gjirokastritë, se kishin një natyrë të ndryshme nga qyteti i tyre: kishin në radhë të parë ujin dhe gjelbërim të madh, kopshtet, të ndërtuara në formë taracash, ishin plot me perime dhe pemë të ndryshme. Kështu në këto ekskursione u vizituan shumë fshatra të Lunxhërisë si Lloksati, Qestorati, Krina, Tranoshista, Saraqinishta, Stegopuli etj. Por Qestorati, për të rinjtë shkollorë, u bë fshati më i dashur si vendlindja e Koto Hoxhit. Këtu ata shkonin në kishë ku qe varrosur Koto Hoxhi ose në shtëpinë e mbesës së tij, Zogës (kështu më duket se e quanin). Kjo, megjithëse e vogël kur ishte gjallë Koto Hoxhi, fliste për jetën dhe përpjekjet e tij për përhapjen e arsimit, si dhe për luftën që i bëhej nga autoritetet e vendit dhe veçanërisht nga bejlerët, grekomanët dhe nga kleri orthodoks. Këto ekskursione shiheshin me sy të mirë, jo vetëm nga prindërit e të njohurve të pjesëmarrësve në këto ekskursione, por edhe nga fshatarët, të cilët, disa herë, i ftonin të rinjtë në kopshtet dhe në shtëpitë e tyre, duke i gostitur me pemë të stinës, me pije dhe nga ndonjë herë edhe me ëmbëlsira. Në këto ekskursione merrnin pjesë shumë të rinj, por më të rregulltit që nuk u shpëtonte pothuajse asnjë ekskursion, ishin Enver Hoxha, Fejzi Hoxha, Elmas Konjari, Aqif Selfo. Përveç këtyre, në numër më të kufizuar, të rinjtë shkonin edhe në shtëpitë e njeri tjetrit ku takoheshin dhe prej andej dilnin shëtitje nëpër vende të ndryshme si nga ura e lumit, në pazar e në kala etj. Një nga synimet e rinisë të kësaj periudhe ishte edhe shqelmimi i së vjetrës dhe i përqafimit të së resë. Një nga këto ishte edhe zëvendësimi i festes me kapele. Ky hap ishte shumë i guximshëm për atë kohë, po me gjithë këtë të rinjtë e vunë në zbatim. Kjo bëri përshtypje të madhe dhe u kritikua së tepërmi nga fanatikët dhe konservatorët. Këta nuk linin rast pa i kritikuar, duke u veshur të rinjve lloj-lloj mbiemra përbuzës. Këta, këto biseda, i zhvillonin kudo në kafene, në shtëpitë e tyre ku mblidheshin para portave të tyre, por veçanërisht në hajsomeret (hajsomer quhesh vendi ku mblidheshin pleqtë e një lagjeje sidomos pasdreke). Një nga këto hajsomere gjendej edhe në lagjen “Hozmurat” ku banonte, në këtë kohë, edhe Enveri. Kur dilnin nga shtëpia e Enverit, për të shkuar në Pazar, ditët që kishin takimin në shtëpinë e tij – dhe i afroheshin hajsomerit të lagjes, Enveri ndalesh dhe na thosh: “Më mirë mos shkojmë përpjetë për në Pazar, se hajsomeri do të jetë plot me burra dhe ç’i dëgjon fjalët e tyre, ata do të thonë, për ne, ja po shkojnë djemtë e filanëve, që janë bërë si ata të Dropullit (d.m.th. me kapelë në kokë), po të shkojmë nga ‘Meçitja’ (një lagje tjetër e Gjirokastrës) dhe kështu do të jemi në Pazar”. Të tilla raste kishte shumë, por këto u përballuan dhe u vunë në jetë me guxim nga të rinjtë. Krahas këtyre rëndësi të madhe dhe të vazhdueshme, me gjithë gjendjen e rëndë politike të regjimit të Zogut, kishin edhe shfaqjet teatrale. Këto kishin qëllimin e tyre: për zhvillimin e jetës kulturale të qytetit dhe për të grumbulluar të holla për ngritjen e statujës së Çerçis Topullit. Një nga këto shfaqje, më me rëndësi dhe më e pregatitur mirë, ishte drama, “Fe e kombësi”. Kjo pjesë teatrale pati sukses të madh. Në këtë dramë personazhi kryesor ishte Zylyftar Poda, një nga krerët e kryengritjes së vitit 1831. Zylyftar Poda e kishte fejuar të birin, që në vegjëli, me të bijën e një nga trimave – bashkëluftëtarë të tij. Por djali i Zylyftarit kur u rrit, dashurohet me vajzën e shërbëtores së shtëpisë, që ishte e krishtere. Zgjidhja e këtij aksioni zhvillohet me sëmundjen e rëndë të shkaktuar nga dëshpërimi i së fejuarës së djalit të Zylyftarit, me vdekjen e saj, me zemërimin e madh të Zylyftarit dhe rrethit të tij dhe përfn me këmbënguljen e djalit të Zylyftarit në dashuri, me martesën e tij me të krishterën pasi mori edhe aprovimin e prindërve dhe të afërmve të tij. Kjo dramë u pregatit nga nxënësit e liceut të Gjirokastrës dhe të Korçës dhe u shfaq në sallën e liceut më 27 korrik 1928. Në këtë dramë një kontribut të madh dha Enveri. Enveri lojti rolin e personazhit kryesor Zylyftar Podës. Enveri me trupin e tij të derdhur dhe të hijshëm, me rrobat shqiptare që i shkonin për bukuri, me tonin burrëror dhe me ambientin që e rrethon (oda, skena e shtëpisë së Zylyftarit, ishte e shtruar me qylyma e orendi të kohës) i dha shfaqjes një gjallëri të madhe. Që në hapjen e perdes Zylyftar Poda (Enveri) ulur në minder, me çibukun e gjatë, rri i menduar, por me një herë ngrihet në këmbë dhe prologun e tij e fillon kështu: “O kalat’ e Melesinit, o fortesa të dëgjuara, Ju, o gjerxhe, o moçale o shkëmbinj keq të tmerruar, Ti moj Podë, Poda plakë, moj fole e trimërisë, Fshat i lart’ e i bukur q’i dha famë Shqipërisë…”! Spektatorët, që kishin mbushur sallën plot e për plot, nga entuziazmi shpërthyen në duartrokitje, këto u përsëritën shumë herë gjer në mbarim të pjesës. Pra kjo pjesë korri sukses të madh. Pas disa dite kjo dramë u shfaq edhe në Sarandë edhe këtu suksesi ishte i plotë. Të ardhurat e të dy shfaqeve, në Gjirokastër dhe në Sarandë, shkuan, si dhe të shfaqeve të tjera të viteve të mëparshme, për të rritur fondin e ngritjes së statujës së Çerçizit. Ky qëllim i të rinjve lavdërohej prej të gjithë patriotëve të ndershëm dhe prej dashamirësve përparimtarë bile edhe shtypi i kohës, i lidhur me mish e me shpirt me regjimin e Zogut, nuk mundi të heshte. Shtypi i vlerësoi shumë qëllimin e të rinjve dhe e përfn kronikën e saj, një shfaqje teatrale, duke shkruar: “U lumtë studentëve t’onë, të cilët dinë t’a çmojnë më mirë rëndësinë e ngritjes së statujës së Çerçisit se sa disa të tjerë të ashtuquajtur intelektualë dhe patriotë. Koha provon shumë gjëra”. Pra në këtë mënyrë i kalonin pushimet verore nxënësit e liceut të Gjirokastrës (liceu i Gjirokastrës në këtë periudhë, verë 1928, u mbyll krejt), të Korçës dhe të shkollave të tjera të mesme të vendit. Në këto shëtitje, ekskursione, në pregatitjet e pjesëve teatrale dhe në çdo aktivitet tjetër Enveri ishte një nga të parët. Shokët e tij e rrethonin me dashuri të madhe se tek ai shikonin një shok të edukuar mirë, të dashur, të sinqertë dhe simpatik. Viti 1927, për Gjirokastrën, nuk ishte i mbarë. Liceu i hapur më 1923, pas përpjekjesh të mëdha të popullit arsimdashës të Gjirokastrës, mbahej me vështirësi: çdo vit shtohej nga një klasë dhe në vitin shkollor 1926-1927 u shtua klasa e tretë (troisieme), d.m.th. liceu arriti të jetë gjysmë shkollë e mesme. Në verën e vitit 1927, Ministria e Arsimit mori vendim që këtë lice ta lerë një shkollë të paplotësuar, d.m.th. gjysmë shkollë të mesme. Kjo tregon më së miri politikën arsimore të regjimit të Zogut, politikë që kërkonte mbetjen e popullit në një gjendje të prapambetur. Zhvillimi i arsimit ishte tmerri i këtij regjimi. Deputetët thërrisnin kudo me të madhe, se në Shqipëri kishte superprodhim intelektualësh, qëllimi i vetëm i tyre ishte kufizimi sa më i madh i hapjeve të shkollave të reja dhe atje ku këto ishin ngritur me mundime, përpjekje dhe sakrifica të mëdha të kufizoheshin së tepërmi ose të arrinin gjer në mbylljen e tyre. Pra si rrjedhim i kësaj politike ishte edhe vendimi i Ministrisë së Arsimit. Ky vendim ishte hapi i parë për cungimin e liceut, por qëllimi i fundit dhe kryesor ishte mbyllja krejt e këtij institucioni arsimor. Këtë e vërteton më së miri polemika që u zhvillua ndërmjet dy gazetave që dilnin, në atë vit, 1927, në Gjirokastër: gazetës “Demokratia” dhe gazetës Viroj. Gazeta Demokrata, me të mësuar lajmin që Ministria e Arsimit kishte marrë vendim për lënien e liceut të Gjirokastrës si gjysmë shkollë të mesme, shkroi një artikull që kishte më shumë një frymë demagogjike se sa për plotësimin e liceut. Në këtë artikull, flitesh për interesimin e pakët që tregonin autoritetet gjirokastritë të vendit dhe të tjerë gjirokastritë që gjendeshin jashtë, d.m.th. në qytete të tjera të Shqipërisë dhe veçanërisht në Tiranë. Gazeta “Demokratia” shkruante ndërmjet të tjerave: “Fajin e kemi vetë, që s’e kemi kuptuar akoma që këtu në Shqipërinë tonë, duhet të jemi reklamaxhinj, të flasim e të bërtasim, boll që të mbushen nevojat tona. Fajin e ka bashkia jonë (në këtë periudhë kryetar i bashkisë ishte Bajo Topulli) e cila fle natë e ditë jeton vetëm për rrogat. Fajin e kanë deputetët tanë, të cilët besojnë se janë zgjedhur vetëm që të marrin të 27 napolonat. Nuk i kuptojmë gjirokastritët e tjerë që kanë pasur dhe kanë pozita të larta dhe një farë influencë në Tiranë. Ata zotërinj e kanë tradhtuar detyrën e vet karshi vendit të tyre vetjak. Dhe renegatët nuk meritojnë të zihen në gojë”. Gazeta “Viroj” drejtohej nga deputeti i Gjirokastrës Javer Hurshiti. Drejtori përgjegjës – deputet i prekur më shumë nga kritika që i bëhej atij si deputet dhe deputetëve të tjerë të Gjirokastrës, se sa për cungimin e liceut i drejtohet gazetës “Demokrata” me një letër të hapur, të firmuar prej tij. Në këtë letër, Javer Hurshiti mhet të mbrojë interesin e tij si deputet, të tregohet si njeri dhe si deputet që i shikon çështjet jo në prizmin lokal, por në pri-min e përgjithshëm dhe duket sikur është i mendimit për plotësimin e liceut të Gjirokastrës, kurse në të vërtetë është për mbylljen e liceut. Ai në gazetën “Viroj”, shkruan ndërmjet të tjerave: “Thoni për neve deputetët e Gjirokastrës, që vështrojmë vetëm 27 napolonat. Kurkush nuk punon as që i pranohet punimi pa rrogë. Por deputetët nuk janë vetëm të prefekturës që i zgjedh, përfaqësojnë gjithë Shqipërinë, e kanë detyrë të vështrojnë interesin e përgjithshëm jo lokal, është se Gjirokastrës i ka mbetur lycea e paplotësuarë, në të tjerat prefektura mungojnë shkollat fillore. Arsimi duhet të përhapet në gjithë Shqipërinë”. Më poshtë deputeti në fjalë vazhdon: “Detyra e një deputetit është që çdo çështje t’a studiojë në pikëpamje të përgjithshme dhe jo lokale. Preferoj një internat në Dibër nga një e tillë në Gjirokastër…! Me pak fjalë një person që mburremi me të, e ka zënë gjumi, deputetët vështrojnë rrogën, gjirokastritët e shquar që kemi në Tiranë janë renegatë, por ahere ç’na mbeti mbi shoshë? Kush na siguron që dhe ata që do të dalin nga ajo lyce e plotësuar, nuk do të bëhen renegatë, nuk do t’i zërë gjumi dhe nuk do të kenë mendjen në ylefera”? Ai e përfn artikullin e tij në këtë mënyrë: “…dhe deputetët e dinë detyrën e tyre, por nevojat e Shqipërisë janë të shumta. Duhet të kemi durim sa t’i vijë radha që të plotësohet dhe nevoja e lycesë”. Kjo polemikë, e shpërthyer ndërmjet dy gazetave të Gjirokastrës, nuk ishte gjë tjetër, veçse për t’i hedhur hi syve popullit: se liceu, sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, për vitin shkollor 1927-1928, mbeti i cunguar; kurse në vitin shkollor 1928-1929 u mbyll krejt. Mendimi i shprehur, në gazetën “Viroj” në verën e vitit 1927, nga Javer Hurshiti: “Duhet të kemi durim sa t’i vijë radha që të plotësohet dhe nevoja e lycesë”, u bë realitet në vitin 1928: Radha i erdhi Gjirokastrës, por jo për plotësimin e liceut, por për mbylljen krejt të këtij institucioni arsimor. Pra Gjirokastra mbeti pa një shkollë të mesme. Nxënësit që mbaruan klasën e tretë në qershor 1927 dhe të gjithë nxënësit e klasave të tjera në qershor 1928, ishin në pjesën më të madhe, në gjendje të vështirë ekonomike. Prandaj vetëm një pakicë e tyre mundi të vazhdonte në liceun e Korçës, në “Normalen” e Elbasanit ose, në ndonjë shkollë tjetër të mesme të vendit, pjesa tjetër mbeti rrugëve. Problemi i vazhdimit të mëtejshëm të shkollës së mesme u shtrua edhe për Enverin. Familja e Enverit ishte nga një familje e mesme qytetare. Gjendja e saj ekonomike nuk e lejonte të vazhdonte mësimet në shkollat e tjera të mesme të vendit, jashtë Gjirokastrës. / Memorie.al R.Xh/Shqiptarja.com TAG: enver hoxha Cerciz Topulli komunizmi Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
26 Tetor, 10:21
Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat? Po 77.6% Jo 19.3% Nuk e di 3.2% Vota total: 1681 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 26 Tetor, 10:21 Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat?
