Edison Korra, 24 vjeç, dhe Orest Balla, 23 vjeç, janë dy të rinjtë foto, protagonistët e një tentative mashtrimi me vlerë 100 mijë euro ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka.
Çdo gjë ka nisur në platformën e enkriptuar “Signal”. Dy të rinjtë janë prezantuar me emrin e Taulant Ballës dhe kanë kërkuar që shuma e konsiderueshme prej 100 mijë eurosh t'u kalohej në formë kriptomonedhash, një taktike e njohur kjo për të shmangur gjurmimin e parave.
Por skema nuk funksionoi sipas planit. Duka, duke dyshuar te mesazhet e marra, i është drejtuar Policisë së Shtetit. Kjo e fundit ka ngritur menjëherë një operacion të kontrolluar për të dokumentuar ngjarjen me prova.
Për të vijuar komunikimin pa ngritur dyshime, u pretendua se me procedurat e kriptovalutave do të merrej djali i Dukës, rol i cili në të vërtetë u mor përsipër nga një agjent i infiltruar i policisë. Agjenti ndryshoi rrjedhën e bisedimeve, duke u komunikuar të dyshuarve se shuma prej 100 mijë eurosh nuk do të jepej në kripto, por vetëm në para cash.
Të rinjtë kanë pranuar kushtin dhe kanë caktuar si pikë takimi për dorëzimin fizik të parave qytetin e Elbasanit, ku edhe banonin. Në momentin e dorëzimit, ndërhyrja e forcave të rendit ka çuar në arrestimin e tyre në flagrancë.
Pas prangosjes, as Korra dhe as Balla nuk kanë dhënë deklarata të hollësishme lidhur me organizatorë të tjerë të mundshëm. Sidoqoftë, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pistat e hetimit janë përqendruar te Florian Gjergji, ndonëse ky mbetet vetëm një dyshim në verifikim e sipër dhe jo një fakt i provuar ligjërisht. Hetimet për rastin vazhdojnë.

