Qeveria po përgatit një sistem të ri taksimi për ekonominë digjitale, që do të përfshijë të ardhurat e gjeneruara nga rrjetet sociale dhe tregtia online. Paralelisht, parashikohen taksa më të larta për apartamentet që mbahen bosh, vilat në bregdet dhe automjetet e luksit, si dhe tarifa të shumëfishuara për konsumin e ujit në pishina. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një tjetër paketë ndërhyrjesh fiskale, e cila synon zgjerimin e bazës së tatimpaguesve dhe vendosjen e një barre më të lartë tatimore mbi individët që sigurojnë të ardhura të konsiderueshme nga aktivitetet digjitale ose zotërojnë pasuri të shtrenjta.
Në deklaratën e tij për ndryshimet fiskale, Rama bëri të ditur se Ministria e Financave po përgatit një projekt të veçantë për taksimin e ekonomisë digjitale, duke nisur nga personat që gjenerojnë të ardhura përmes rrjeteve sociale dhe duke vijuar me aktivitetet e mirëfillta të tregtisë elektronike.
“Ka ardhur koha e një sistemi të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke filluar nga ata që jetojnë goxha mirë, dhe jam shumë i lumtur për këtë, me lajke e followers-a dhe duke vazhduar me tregtinë e mirëfilltë digjitale”, deklaroi Kryeministri.
Kjo nismë pritet të prekë veçanërisht krijuesit e përmbajtjes në rrjetet sociale, të njohur si influencerë, të cilët realizojnë të ardhura nga reklamat, bashkëpunimet tregtare, promovimi i produkteve dhe shërbimeve, si dhe forma të tjera të monetizimit të audiencës së tyre.
Në fokus do të jetë edhe tregtia online, një aktivitet ekonomik që është zgjeruar ndjeshëm me zhvillimin e platformave digjitale dhe përdorimin gjithnjë e më të madh të rrjeteve sociale për shitjen e produkteve dhe shërbimeve.
Megjithatë, Kryeministri nuk dha detaje mbi normat e mundshme të tatimit, pragjet e të ardhurave apo mënyrën se si do të identifikohen dhe deklarohen këto aktivitete. Këto elemente pritet të përcaktohen në projektin që po përgatitet nga Ministria e Financave.
Super-taksë për apartamentet që mbahen bosh
Një tjetër ndërhyrje e paralajmëruar lidhet me tregun e pasurive të paluajtshme, ku qeveria synon të vendosë një taksë më të lartë për pronarët që blejnë apartamente dhe i mbajnë ato të pabanuara, pa i ofruar për qira.
Sipas Ramës, mbajtja e një apartamenti bosh është një e drejtë e pronarit, por kjo zgjedhje duhet të shoqërohet me një detyrim më të lartë fiskal.
“Një super-taksë prone për ata që blejnë e mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t’i japin me qira. Është e drejta e tyre, po duhet të paguajnë”, u shpreh ai.
Kryeministri iu referua praktikave të disa vendeve europiane që kanë vendosur masa të ngjashme për të përballuar rritjen e kostos së banesave.
Një taksë e tillë mund të synojë nxitjen e pronarëve për t’i nxjerrë apartamentet në tregun e qirave, duke rritur ofertën e banesave të disponueshme.
Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura kriteret mbi të cilat një apartament do të konsiderohet bosh, periudha minimale e mosshfrytëzimit apo niveli i taksës që do të aplikohet.
Vilat në bregdet do të taksohen më shumë, shtrenjtohet edhe uji për pishinat
Ndërhyrjet e reja fiskale do të përfshijnë edhe pronat luksoze në zonat bregdetare.
Rama paralajmëroi vendosjen e një super-takse për vilat në bregdet, duke argumentuar se pronarët e këtyre pasurive duhet të kontribuojnë më shumë përmes sistemit fiskal.
Njëkohësisht, qeveria synon të vendosë një çmim të shumëfishuar për ujin që përdoret për pishinat.
Kjo masë do të krijonte një trajtim të diferencuar të konsumit të ujit për nevoja luksi, krahasuar me konsumin e zakonshëm familjar.
Edhe për këto ndryshime nuk janë përcaktuar ende normat konkrete, mënyra e përllogaritjes apo kategoritë e pronave që do t’u nënshtrohen detyrimeve shtesë.
Sipas deklaratës së Kryeministrit, taksimi i apartamenteve bosh dhe i vilave në bregdet do të trajtohet përmes një nisme tjetër ligjore.
Super-taksë edhe për makinat e luksit
Ndryshe nga masat e parashikuara për pronat, një taksë e re për automjetet e luksit pritet të përfshihet drejtpërdrejt në Paketën Fiskale 2027.
Kryeministri konfirmoi se qeveria synon të rrisë barrën tatimore për këtë kategori automjetesh, por pa specifikuar nivelin e taksës apo kriteret që do të përdoren për klasifikimin e një automjeti si luksoz.
Për këtë arsye, mbetet për t’u sqaruar nëse taksa e re do të bazohet në vlerën e automjetit, karakteristikat teknike, vitin e prodhimit apo një kombinim të këtyre treguesve.
Rishpërndarja e barrës fiskale, argumenti i qeverisë
Kryeministri i paraqiti këto masa si pjesë të një politike më të gjerë fiskale që synon rishpërndarjen e barrës tatimore dhe mbështetjen e kategorive që përballen me vështirësi më të mëdha nga rritja e kostos së jetesës.
Sipas tij, zhvillimi i shpejtë ekonomik krijon edhe diferenca në të ardhura dhe pasuri, të cilat qeveria synon t’i ngushtojë përmes instrumenteve fiskale.
Ndërhyrjet e paralajmëruara tregojnë një orientim drejt taksimit më të lartë të pasurive luksoze, pronave të pashfrytëzuara dhe aktiviteteve ekonomike që zhvillohen në hapësirën digjitale.
Megjithatë, një pjesë e këtyre masave janë ende në fazën e përgatitjes dhe nuk janë shoqëruar me projektligje apo vlerësime të publikuara të efekteve fiskale./ekofin.al Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

