Foto ilustruese Prej 16 ditësh, qindra të rinj janë ngritur në protestë kundër qeverisë dhe kastës së vjetër politike. Por sot, Edi Rama dhe Sali Berisha kanë lëshuar një breshëri akuzash ndaj protestuesve dhe Arlind Qorit. Kryeministri i quan të rinjtë “turmë agresive” dhe “mish-mash”, ndërsa kreu i PD-së sulmon organizatorët që kërkojnë largimin e të dyve. Edi Rama dhe Sali Berisha kanë gjetur një armik të përbashkët: revoltën e të rinjve që prej 16 ditësh kanë dalë në rrugë kundër qeverisë dhe klasës politike që ka dominuar vendin për dekada.
Ndonëse në publik vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin, sot të dy kanë sulmuar protestuesit dhe Arlind Qorin, duke treguar se thirrjet kundër Ramës dhe Berishës nuk mirëpriten nga asnjëri prej tyre.
Qindra studentë dhe të rinj kanë dalë në protestë duke kërkuar largimin e kryeministrit, por edhe duke refuzuar që revolta e tyre të përvetësohet nga Partia Demokratike. Pikërisht kjo qasje ka vënë në shënjestër organizatorët e protestës. Rama i akuzon se po pengojnë jetën e qytetarëve dhe po ushtrojnë dhunë, ndërsa Berisha sulmon ata që vendosin në të njëjtën pankartë emrin e tij dhe të kryeministrit.
Sulmet e sotme tregojnë dy qëndrime që, pavarësisht kundërshtive politike, takohen në një pikë: as Rama dhe as Berisha nuk e pranojnë revoltën në formën që ajo po shfaqet, jashtë kontrollit të partive të tyre dhe me kërkesa kundër të dyve.
Kryeministri ka zgjedhur t'i përgjigjet protestës me një gjuhë të ashpër, duke i cilësuar pjesëmarrësit si një përzierje grupesh pa lidhje me njëri-tjetrin, që sipas tij kanë marrë peng Tiranën. Rama pretendon se protestuesit po cenojnë lirinë e qytetarëve të tjerë dhe se nuk kanë mandat të flasin në emër të popullit.
“Kur them të gjithë, nuk kam parasysh veten, qeverinë dhe shumicën parlamentare, por të gjithë. Të gjithë ata që nuk janë pjesë e kësaj turme që përcjell frikë. Kam parasysh edhe ata që nuk më duan mua kryeministër, por duan të lëvizin lirisht në këtë qytet. Të çojnë fëmijët në shkolla, të jetojnë pa qenë të detyruar të ndryshojnë rendin e ditës së tyre, pa u penguar nga një turmë agresive. Një turmë që shpërtheu me një furtunë dhune me gurë e zjarr”, deklaroi Rama.
Ai nuk është ndalur te akuzat për dhunë, por ka vënë në dyshim edhe përfaqësimin e protestuesve, duke pretenduar se kërkesa e tyre për dorëheqjen e qeverisë nuk mund të imponohet në rrugë.
“Kush janë këta? Dhe në emër të kujt duan t’i imponojnë shoqërisë tonë forcën e veprës antiligjore? Një mish-mash kategorish që janë mbledhur bashkë individë, grupe sociale dhe parti politike që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ky mish-mash ka një vizë përbashkuese, që kur protesta e flamengove u kthye në një grumbullim sorrash dhe korbash.
‘Ne nuk e duam më këtë qeveri, jep dorëheqjen, bindju popullit’. Ky mish-mash që ka marrë peng Tiranën, nuk ka asnjë lidhje me popullin dhe s’ka asnjë autorizim të flasë në emër të popullit. As kjo turmë e verbër dhe askush tjetër nuk jep mandate, përveç sovranit popull. Kjo është e vërteta në demokraci”, u shpreh kryeministri.
Në shënjestër të kryeministrit ka përfunduar edhe Arlind Qori, të cilin e ka sulmuar duke rikthyer protestën studentore të vitit 2018. Rama e ka quajtur “qorr neo-komunist”, duke e akuzuar se, ashtu si tetë vite më parë, po pengon dialogun mes studentëve dhe qeverisë.
“Si kryeministër, me dialog e koordinova përpjekjen e përbashkët me studentët për Paktin për Universitetin, pas protestës masive të vitit 2018. Edhe atëherë, u deshën disa javë që të niste dialogu, sepse edhe atëherë, po ata tipa të mbrapshtë mes pedagogëve tuaj, nga një qorr neo-komunist tek ca të verbër demokratikas, bashkë me të reja e të rinj që u venin pas si ithtarët idhujve të rremë, bënin po këtë punë që bëjnë sot: ‘S'ka dialog, plotëso pikat tona’”, deklaroi Rama.
Por ndërsa Rama sulmon protestuesit si një turmë të manipuluar dhe të dhunshme, Sali Berisha ka zgjedhur të godasë pikërisht ata që nuk pranojnë ta kthejnë revoltën në një protestë të Partisë Demokratike.
Kreu i PD-së është zemëruar veçanërisht me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, të dëgjuara gjatë protestave. Për Berishën, vendosja e tij në të njëjtën kategori me kryeministrin është një përpjekje për të relativizuar përgjegjësitë e qeverisë.
Në sulmin e tij, Berisha ka përdorur një gjuhë po aq të ashpër sa Rama ndaj Arlind Qorit, duke e akuzuar se vepron në shërbim të kryeministrit.
“Qorri dhe papagalli i Qorrit që përsëritin sloganet e tij thanë se erdhi koha si gjela në pleh të kakarisin. Ta dinë këta horrat, Qorrat e Edi Ramës, të cilët në misionin e Edi Ramës përsëri, për të shpëtuar lëkurën e tij dhe për të siguruar mbështetje, nxori tezën e ANTIFA-s dhe duhej që agjentë të policisë kriminale, bashkë me Qorrin që tret miliona, ta dinë shqiptarët, është një nga Gobsekët e milionave të tyre”, deklaroi Berisha.
Kështu, në të njëjtën ditë, Arlind Qori është sulmuar nga të dy drejtuesit politikë. Rama e quan neokomunist dhe pengesë për dialogun, ndërsa Berisha e akuzon se është në shërbim të qeverisë.
Kreu i opozitës ka sulmuar edhe demokratët e larguar nga partia, duke pretenduar se disa prej tyre përdoren nga Rama për të goditur PD-në përmes protestës.
“Disa skuthër të tjerë, ish-hajdutë që kanë ikur nga Partia Demokratike se nuk mund të kishin të ardhme, dhe i garantoj që për vjedhjet e tyre do të ndiqen edhe pas 30 vitesh, që ua ka amnistuar Edi Rama dhe i përdor si kukulla, përdoren për këto slogane nëpër studio televizive”, vijoi Berisha.
Por sulmi më i drejtpërdrejtë i Berishës ka qenë ndaj organizatorëve që, sipas tij, kontrollonin mikrofonin e protestës dhe u jepnin të drejtën e fjalës vetëm personave që pranonin të sulmonin njëkohësisht Ramën dhe Berishën.
“Kontrolluesit e mikrofonit, horra si ata, u jepnin mikrofonin vetëm atyre të cilët merrnin përsipër sloganin ‘Rama në burg, Berisha në burg’ dhe ishin përjashtim të tjetër që mund ta merrnin. Çdo njeri që paraqitej tek banda e mikrofonit, merrte porosi se ç’do të thoshte.
Flamingot kishin heronj, Por Flamingot patën Jagot që mbushen valixhet me eurot e Edi Ramës dhe të botës së krimit, dhe mendojnë se dhe protestën studentore do mund ta trajtojnë njëlloj. Ta harrojnë Jagot e Flamingove se mund t'i bëjnë kësaj proteste atë që i bënë protestës së parë”, deklaroi Berisha.
Deklaratat e tij nxjerrin në pah edhe një tjetër problem që e ka shoqëruar revoltën gjatë këtyre 16 ditëve: përpjekjen e Partisë Demokratike për t'u bërë pjesë e protestës, pavarësisht kundërshtimit të atyre që nuk duan as Ramën dhe as Berishën.
Prej ditësh, Berisha ka deklaruar mbështetjen për protestën dhe ka pranuar praninë e njerëzve të PD-së në të. Kjo i ka dhënë vazhdimisht Ramës mundësinë ta paraqesë revoltën si një lëvizje të opozitës, duke e zhvendosur debatin nga kërkesat e studentëve te përplasja e zakonshme mes dy partive.
Edhe sot, ndërsa sulmon organizatorët që kundërshtojnë PD-në, Berisha pranoi hapur se strukturat e partisë së tij janë në protestë, por pa simbolet partiake.
“Aty kemi strukturat tona. Ata janë burgosur, janë dëmtuar, njëlloj si të gjithë të tjerët dhe ne nuk bëjmë asnjë dallim. Po, ne nuk shkojmë me simbolet tona përsëri sepse aty janë gjimnazistë me prindër socialistë, janë studentë me prindër socialistë dhe ne kërkojmë një front të bashkuar”, u shpreh Berisha.
Sulmet e sotme ndaj studentëve nxjerrin në pah një të vërtetë të hidhur të politikës shqiptare: Rama dhe Berisha, ndonëse prej vitesh shfaqen si armiq të betuar, vazhdojnë të mbajnë politikisht në këmbë njëri-tjetrin. Për sa kohë Berisha mbetet në krye të opozitës, Rama ka përballë një kundërshtar që e ka mundur vazhdimisht dhe që nuk arrin të frymëzojë një alternativë të besueshme qeverisëse.
Berisha është nën gjykim për korrupsion, ndërsa Partia Demokratike, në vend që të prodhojë një projekt të ri politik, vijon të sillet rreth fatit personal të kryetarit të saj. Nga ana tjetër, Rama e përdor këtë gjendje për të ushqyer idenë se largimi i tij do të thotë rikthim i Berishës. Kështu, njëri mbijeton politikisht falë dobësisë së tjetrit, ndërsa Shqipëria mbetet peng i së njëjtës përplasje prej vitesh. Dhe tani që një brez i ri ka dalë në rrugë duke refuzuar të zgjedhë mes tyre, të dy kanë drejtuar sulmet ndaj tij.
Rama nuk pranon një revoltë që kërkon largimin e tij, ndërsa Berisha nuk duron një revoltë që kërkon të lërë pas edhe atë. Në vend që të përballen me mesazhin e të rinjve, të dy po përpiqen ta delegjitimojnë atë. Dy fosilet politike, që kanë ndërtuar karrierën mbi luftën kundër njëri-tjetrit, sot gjenden në të njëjtën anë të barrikadës përballë brezit që kërkon t'i shporrë të dy. /Pamfleti rama berisha protesta 1 Komente S Sefer Daja 28 Tetor 2026, 18:03 Eshte nje monedhe, nga njera ane me koken e Edi Rames dhe nga ana tjeter me koken e Komunistit Sali Berisha.Kok a pil, ne mos njeri, do te bjeri tjetri.Keni 36 vjet me keta. Mbajini dhe ti gezoni, bashke me ekipet e tyre! Popull qe haron, pra populli pa memorie! Përgjigjjuni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Dosja e zezë “Republika” e Skënder Gjinushit mbi ligjin: 110 studiues peng i dy vendimeve të Akademisë së Shkencave 28 Tetor 2026, 14:0114:01Dosja e zezë Inceneratori që mori miliona, por nuk zhduku dot plehrat: Elbasani mbi një bombë mjedisore 27 Tetor 2026, 16:5716:57Dosja e zezë Korrupsion, protesta dhe eksod: Fatura e pushtetit të Edi Ramës! 27 Tetor 2026, 15:3715:37Dosja e zezë Nuk kanë ç'i bëjnë gomarit dhe i bien samarit! 26 Tetor 2026, 12:5012:50Dosja e zezë Nga Beogradi në Tiranë: protesta fiton vetëm kur shndërrohet në alternativë politike 26 Tetor 2026, 10:4910:49Dosja e zezë “Kali i ngordhur” që kërkon t’ua vjedhë studentëve protestën 25 Tetor 2026, 14:3814:38Dosja e zezë

