Takimi i sotëm mes Ambasadorit të ri të SHBA-së në Tiranë, Eric Wendt, dhe kreut të SPAK, Klodian Braho, përbën një sinjal të fortë të vazhdimësisë së mbështetjes amerikane ndaj drejtësisë shqiptare në një moment kyç kur institucioni po heton dosje të nxehta. I ftuar në studion e News24, gazetari dhe analisti Mentor Kikia ka analizuar prapaskenat e këtij takimi, si dhe zhvillimet më të fundit rreth skandalit që ka tronditur Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH) dhe Policinë e Shtetit. Sipas Kikias, vizita e diplomati amerikan në zyrat e Prokurorisë së Posaçme ishte e pritshme, por mbart një peshë të madhe politike dhe institudionale. “Takimi i ambasadorit të ri ishte i pritshme pasi SPAK ka qenë në mënyrë sistematike në axhendën e SHBA-së. Është një gjë shumë pozitive. Shtetet e Bashkuara rikonfirmojnë mbështetjen për Prokurorinë e Posaçme në një moment shumë të rëndësishëm, ku për herë të parë ka futur duart në çështje absolutisht shumë të rëndësishme. Kjo vizitë është një lloj oksigjeni që i jepet strukturës për të vijuar hetimet e qetë, pavarësisht akuzave që ngrihen”, u shpreh Kikia. Përgjatë intervistës, analisti ndali theksin te hetimet që SPAK po kryen ndaj ish-drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni, si dhe ish-drejtuesve të Policisë së Shtetit e punonjësve të Laboratorit Shkencor, të cilët dyshohen se kanë nxjerrë informacione të rezervuara në shërbim të krimit të organizuar.
“Së fundmi janë dy çështje që janë të barabarta me një bombë për çdo shtet: ajo e Shërbimit Sekret dhe Policisë së Shtetit për nxjerrjen e informacioneve të rezervuara për llogari të një grupimi kriminal, si dhe hetimi për kompaninë shtetërore të armëve pas publikimit të përgjimeve nga Arben Ahmetaj. SHISH dhe Policia janë dy shtyllat kryesore që mbajnë shtetin në këmbë.”
Kikia nënvizoi se akuza ndaj ish-drejtueses së SHISH për shkelje të kodit etik apo nxjerrje sekretesh është vetëm maja e ajsbergut. Sipas tij, pyetja kryesore që duhet t’i japë përgjigje SPAK lidhet me qëllimin e rrjedhjes së këtyre të dhënave sekrete.
“Këto informacione nuk dolën dhe nuk iu dhanë një personi të tretë për të shuar kuriozitetin. Sfida e madhe e prokurorisë nuk është thjesht të vërë nën akuzë Vlora Hysenin se nxorri informacione, por përse iu dhanë këtij individi dhe për çfarë janë përdorur? A janë përdorur për të lehtësuar barrën penale të grupeve kriminale apo për të goditur njërin grup rival kundrejt tjetrit?”, përfi Kikia. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
