Pas kalimit të draftit të reformës territoriale vetëm me votat e socialistëve në Komisionin e Ligjeve, beteja për hartën e re territoriale do të zhvendoset në Kuvend dhe bashkë me të edhe testi politik për mazhorancën: a do t'i sigurojë Edi Rama 84 votat që duhen për ta miratuar? PS ka 83 mandate të dala nga zgjedhjet, por pas tërheqjes së Marjana Koçekut dhe kundërshtive të shfaqura ditën e sotme nga Erion Braçe e Vullnet Sinaj, matematika parlamentare e bën votimin e 8 tetorit më shumë sesa një votë për ndarjen e re të vendit. Për analistin Ylli Pata, mu këtu qëndron pesha politike e Territoriales. I ftuar në "Studio Live" në Report TV së bashku me avokatin Fran Dashi, ai e cilësoi votimin një "provë force" për mazhorancën, pas "Revolucionit të Flamingove", që sipas tij ngriti pikëpyetjen nëse shumica mund të çahet nga brenda. Megjithatë, Pata nuk pret që Braçe dhe Sinaj ta çojnë kundërshtimin e tyre deri te vota kundër në Kuvend. LEXO edhe...‘Fatura e kripës, keni përdhunuar Kushtetuesen’- Manja përplaset me Strazimirin për Territorialen: Ti e di shumë mirë që qyteti ka edhe fshat "Është një provë force e mazhorancës. Braçe dhe Sinaj janë kritikë të hershëm, por në qëndrime janë luajalë. Kjo është një sprovë e Ramës për të kërkuar flamingot brenda grupit të PS-së. Sprova e 84 votave është interesante. Po shikon nëse ka një tradhtar tjetër, mund të jetë. 84 vota është një fuqi shumë e madhe. Në Revolucionin e Flamingove, dyshohej se kjo mazhorancë do bjerë nga brenda në Kuvend, ndërsa mazhoranca po përpiqet të ruajë forcën. Nuk besoj që Braçe dhe Sinaj do votojnë kundër", tha Pata. Fran Dashi ishte edhe më i bindur se matematika do të zgjidhet në favor të mazhorancës. Ai parashikon se më 8 tetor Territorialja do të miratohet dhe madje la të hapur mundësinë që 84 votat të plotësohen edhe me deputetë të opozitës. "Në mazhorancë ka kritikë ndaj qeverisë. Braçe është kritik. Por më 8 tetor të siguroj që do votohet pro propozimit të mazhorancës. Ndoshta mund të ketë më tepër, ndonjë deputet i opozitës që voton pro. Pra më 8 tetor mazhoranca miraton Territorialen dhe përgatitet për zgjedhjet e ardhshme", tha Dashi. Përtej betejës së votave në Kuvend, dy të ftuarit analizuan edhe alternativën e opozitës për reformën territoriale. Pata nuk e konsideron serioze alternativën që e çon vendin drejt rreth 100 bashkive. "Që në 2014, reforma territoriale nuk ka qenë reale konsensuale. Dihej që do kishim përplasje. Ne në zgjedhje nuk shkojmë dot me këtë hartën e re. Kjo është lëvizje politike me të cilën mazhoranca do të tregojë konceptin e saj, koherencën e saj dhe konfigurimin në parlament. Revolucioni i Flamingove sfidoi mazhorancën dhe ajo po i bën hapat e saj në parlament. Opozita ka mundësinë të japë një variant serioz për ndarjen territoriale. Propozimi i tyre nuk është serioz. Ne jemi me 61 bashki, si do kthehemi me 100? Varianti i komunave nuk kthehet mbrapa", tha Pata. Sipas tij, ndryshimet demografike që ka pësuar vendi kërkojnë që edhe organizimi territorial t'i përshtatet realitetit të ri. "Tirana sot nuk është më një qytet. E gjithë Shqipëria jeton këtu. Politika duhet të jetë me kohën dhe të ndjekë zhvillimet", shtoi ai. Edhe Dashi e konsideron të tepërt një hartë me 100 bashki dhe argumenton se 46 njësi vendore janë të mjaftueshme. Sipas tij, shtimi i bashkive do të sillte fryrje të administratës dhe copëzim të fondeve. "Tani janë 61 bashki, që të bëhen 100 bashki është e tepërt. Por edhe 46 bashki do ishte e mjaftueshme. Mendimi i deputetit të opozitës për rikthimin e balotazhit do ishte mirë të rikthehej, jo vetëm për bashkitë por edhe për parlamentin. 46 bashki janë të mjaftueshme për të drejtuar të gjitha njësitë administrative në Shqipëri. Nëse shkojmë në 100 bashki, administrata do jetë e fryrë dhe fondet do të ishin të limituara", tha Dashi. Dashi dhe Pata u dakordësuan që në zgjedhjet e ardhshme lokale, ajo që do të ketë më rëndësi se kufijtë e bashkive është cilësia e kandidatëve në garë. "Në këto zgjedhje është e rëndësishme të ketë kualitet në zgjedhjen e kandidatëve sepse janë mbi 32 kryebashkiakë që kanë kaluar pragun e SPAK. Më rëndësi ka cilësia e kandidatëve se harta territoriale. Dy forcat politike të kenë kujdes me cilësinë e kandidatëve", tha Dashi U.D/ReportTv.al fran dashi ylli pata reforma territoriale Komento Komente Sondazhi i ditës: Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private? Po 71.5% Jo 21.5% Nuk e di 6.9% Vota total: 2251 Sondazhi i ditës: Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private?

