Xi Jinping-Trump Pekini po i kërkon Uashingtonit të kalojë nga qëndrimi se “nuk e mbështet” pavarësinë e Tajvanit në një pozicion të qartë kundër saj. Trump përballet me shqetësimet se Tajvani mund të kthehet në një kartë negociuese në marrëdhëniet me Xi Jinping. Një ndryshim i qëndrimit amerikan mund të ndikojë në ekuilibrat e sigurisë në Azinë Lindore. Gazetat tajvaneze e hapën dje ditën me një lajm sportiv: kombëtarja e Tajvanit në bejsboll do të përballet të shtunën me Japoninë në finalen e Lojërave Aziatike të Nagoyas. Vetëm pak orë më parë, Tajvani kishte mposhtur Kinën 9-1 në gjysmëfinale.
Fitorja u shoqërua me një episod që riktheu në vëmendje tensionet politike mes Tajvanit dhe Kinës. Në aktivitetet ndërkombëtare, Tajvani nuk lejohet të garojë me flamurin dhe emrin e vet. Kur disa tifozë brohoritën “Tajvan” në vend të emërtimit zyrtar “Taipei Kinez”, organizatorët ndërhynë duke kujtuar se ndalohej përdorimi i “sloganeve politike”.
Pekini kundërshton çdo trajtim të Tajvanit si një shtet më vete. Të njëjtin qëndrim Xi Jinping ia bëri të qartë edhe presidentit amerikan Donald Trump gjatë takimit të tyre në Uashington.
Përmbajtja e bisedimeve mes dy udhëheqësve mbetet kryesisht e panjohur. Gazetarët, përveç fotoreporterëve, nuk patën akses në pjesën kryesore të takimeve, ndërsa Shtëpia e Bardhë publikoi informacione për ceremoninë, menunë e darkës shtetërore dhe vizitën në Smithsonian Asian Art Museum, por jo për diskutimet me dyer të mbyllura.
Disa detaje u bënë të njohura përmes ambasadorit amerikan në Pekin, David Perdue. Trump i kërkoi Xi Jinping që Kina të ndalojë mbështetjen ndaj Iranit. Sipas zyrtarëve amerikanë, Teherani ka përdorur imazhe të siguruara nga satelitë komercialë kinezë për të identifikuar dhe goditur baza dhe anije amerikane në Lindjen e Mesme. Nga Uashingtoni kanë ardhur sinjale se Pekini mund ta ketë marrë parasysh këtë kërkesë.
Ndërkohë, armëpushimi në përplasjen tregtare mes dy vendeve, i arritur pas marrëveshjes Trump-Xi të tetorit të kaluar dhe që frenoi një pjesë të madhe të përshkallëzimit të tarifave, është zgjatur deri më 10 janar 2027.
Përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer, deklaroi se Uashingtoni dhe Pekini kanë arritur një marrëveshje për një grup të kufizuar produktesh që do të tregtohen me kushte më të favorshme. Hollësitë pritet të bëhen publike të hënën.
Në mungesë të informacioneve të plota nga Uashingtoni, deklaratat e palës kineze japin më shumë të dhëna për çështjet e diskutuara.
Sipas mediave kineze, Xi Jinping theksoi gjatë takimit qëndrimin e Pekinit për “integritetin territorial” dhe kërkoi që Uashingtoni të shprehet “kundër pavarësisë së Tajvanit”.
Ky formulim ka rëndësi. Deri tani, qëndrimi amerikan ka qenë se Shtetet e Bashkuara “nuk e mbështesin” pavarësinë e Tajvanit. Pekini kërkon një hap më tej: që Uashingtoni të deklarojë se “e kundërshton” atë.
Xi i kërkoi gjithashtu administratës amerikane ta trajtojë çështjen e Tajvanit “me maturi”, për të krijuar baza të qëndrueshme për bashkëpunimin strategjik mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, dhe për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Kështu, Tajvani mbetet një nga çështjet kryesore në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit. Ishulli është vetëqeverisës dhe demokratik, ndërsa Kina e konsideron pjesë të territorit të saj dhe synon bashkimin me të. Republika Popullore e Kinës, megjithatë, nuk e ka qeverisur asnjëherë Tajvanin.
Analistët paralajmërojnë se një ndryshim i qëndrimit amerikan nga “nuk e mbështet” në “e kundërshton” pavarësinë e Tajvanit mund të ketë pasoja të rëndësishme për politikën e “paqartësisë strategjike” që Uashingtoni ndjek prej dekadash. Kjo politikë shmang përcaktimin e qartë të mënyrës se si Shtetet e Bashkuara do të reagonin në rast të një konflikti për Tajvanin.
Pasigurinë e shton edhe mënyra se si Trump e ka trajtuar më parë çështjen e Tajvanit në marrëdhëniet me Pekinin, duke e përshkruar ishullin si një “monedhë shkëmbimi”. Në këtë kuadër hyn edhe mbështetja ushtarake amerikane për Taipein.
Furnizime ushtarake me vlerë 14 miliardë dollarë, shitja e të cilave është miratuar nga Kongresi amerikan, vazhdojnë të jenë të ngrira. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se arsyeja nuk është politike, por se këto pajisje mund t'u nevojiten vetë Shteteve të Bashkuara.
Zhvillimet po ndiqen me shqetësim edhe nga Japonia, e cila ka lidhje të ngushta me Tajvanin dhe ndodhet pranë tij gjeografikisht. Tokio druhet se Shtëpia e Bardhë mund t'i lidhë negociatat tregtare me Kinën me çështjet e sigurisë në Azinë Lindore.
Ministria e Jashtme e Tajvanit reagoi ndaj deklaratave të Xi Jinping, duke i cilësuar ato si pjesë të “qasjes së zakonshme kineze për shtrembërimin e fakteve dhe paraqitjen e njëanshme të qëndrimeve dhe pretendimeve të saj”.
Taipei kundërshtoi edhe interpretimin historik të paraqitur nga Xi. Udhëheqësi kinez tha para Trumpit se Kina dhe Shtetet e Bashkuara kishin “luftuar krah për krah” gjatë Luftës së Dytë Botërore. Republika Popullore e Kinës u themelua në vitin 1949 dhe nuk ekzistonte gjatë luftës. Në atë periudhë, Kina përfaqësohej nga Republika e Kinës, qeveria e së cilës më vonë u zhvendos në Tajvan.
Një tjetër skenar që shqetëson qarqet me qëndrimet më të ashpra ndaj Pekinit brenda administratës Trump, lidhet me mundësinë që Shtëpia e Bardhë të afrohet me forcat politike tajvaneze që mbështesin marrëdhënie më të ngushta me Kinën.
Në qendër të këtij skenari është Kuomintangu. Kryetarja e partisë, Cheng Li-wun, vizitoi Pekinin në prill dhe u takua me Xi Jinping. Sipas disa analizave, ajo mund të kërkojë mbështetje te rrymat izolacioniste brenda administratës Trump, të cilat do të preferonin që çështja e Tajvanit të mos përbënte pengesë në negociatat me Kinën.
Në këtë këndvështrim, një fitore e Kuomintangut mund të shihej nga këto qarqe si një mënyrë për të zbutur një nga pikat kryesore të përplasjes me Pekinin. Ndërsa në anën tjetër qëndron Partia Demokratike Progresiste e presidentit tajvanez Lai Ching-te.
Një zgjidhje e tillë politike sjell në vëmendje edhe precedentin e vitit 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë. Krahasimi mbështetet në argumentin se tolerimi i një ndryshimi territorial me forcë ose nën presion, nuk garanton domosdoshmërisht ndalimin e kërkesave të mëtejshme.
Në rastin e Tajvanit, pikërisht këtu qëndron shqetësimi: kalimi i ishullit nën kontrollin e Republikës Popullore të Kinës nuk do të garantonte në vetvete se Pekini do t'i kufizonte aty synimet e tij strategjik. /Përshtati “Pamfleti” nga “Il Foglio”.trump xi kina tajvani pekini Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota “Kurthi Raiffeisen”, si Moska mban hapur një nga kanalet e fundit financiare me Perëndimin 26 Shtator 2026, 21:4221:42Rajoni dhe Bota Përjetësoi eksodin e shqiptarëve me anijen “Vlora”, ndahet nga jeta fotoreporteri italian 26 Shtator 2026, 21:2221:22Rajoni dhe Bota Rusia hyn sërish në lojë për Kosovën, Lavrov: BE po e vë Serbinë përballë dy kërkesave 26 Shtator 2026, 20:1720:17Rajoni dhe Bota Përplasja për Gazën, kryeministri i Katarit: Netanyahu po pengon avancimin e planit të paqes 26 Shtator 2026, 18:2118:21Rajoni dhe Bota Një Zelensky në familjen e Putinit: Zbulohet Elsa, mbesa sekrete e presidentit rus 26 Shtator 2026, 18:2118:21Rajoni dhe Bota Trump pranon se refuzoi propozimin e Iranit për Hormuzin: Marrëveshja ishte e papranueshme 26 Shtator 2026, 17:3617:36Rajoni dhe Bota

