Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj mënyrës se si qeveria po i paraqet të dhënat e fundit të eksporteve, duke deklaruar se rritja prej 10,6% e regjistruar në korrik nuk dëshmon forcimin e ekonomisë prodhuese. Sipas analizës së Tabakut, pjesa kryesore e kësaj rritjeje ka ardhur nga vetëm dy grupe mallrash. Materialet e ndërtimit dhe metalet kanë kontribuuar me 8,9 pikë përqindjeje, ndërsa mineralet, karburantet dhe energjia me 5,3 pikë. Të marra së bashku, këto kategori kanë dhënë 14,2 pikë përqindjeje, më shumë se rritja përfundimtare prej 10,6%. LEXO edhe...Vrasja e të riut portugez në Ksamil, PD akuza qeverisë: Verë e zezë për Shqipërinë, siguria publike ka dështuar! Në të njëjtën kohë, fasoneria e ka ulur rezultatin me 4,3 pikë përqindjeje, ndërsa kontributi i ushqimeve ka qenë vetëm 0,1 pikë. “Propaganda mbaron aty ku fillon leximi i plotë i shifrave. Nuk është forcuar ekonomia prodhuese. Është rritur përkohësisht vlera e disa kategorive të eksporteve, të përqendruara te ndërtimi”, thekson Tabaku. Deputetja demokrate argumenton se edhe krahasimi afatgjatë tregon një realitet të ndryshëm nga ai që paraqet qeveria. Nga viti 2014 deri në vitin 2025, vlera e eksporteve në lekë është rritur me rreth 36%, ndërsa sasia fizike e mallrave të eksportuara ka rënë me rreth 14%. “Në letër, eksportet e Shqipërisë vlejnë më shumë; në realitet, vendi eksporton më pak mallra”, shprehet ajo. Tabaku ndalet gjithashtu te efektet e zhvlerësimit të euros. Sipas saj, konvertimi i eksporteve në monedhën europiane krijon një “mashtrim optik”, ndërsa bizneset eksportuese që faturojnë në euro marrin më pak lekë për të përballuar pagat, energjinë, taksat dhe kostot e tjera të prodhimit. Goditjen më të fortë, sipas saj, po e pëson fasoneria, një sektor që përbën rreth 30% të eksporteve të mallrave dhe punëson dhjetëra mijëra qytetarë. Pas euros së dobët, paralajmëron Tabaku, qëndrojnë fabrika të mbyllura, kontrata të humbura dhe vende pune që zhduken. Ajo kërkon gjithashtu transparencë mbi burimin dhe qëndrueshmërinë e flukseve të mëdha valutore që, sipas saj, kanë ndikuar në forcimin artificial të lekut. Duke iu referuar të dhënave për rritjen ekonomike gjatë vitit 2025, Tabaku evidenton se industria ra me 3,72% dhe bujqësia me 2,5%, ndërsa administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe taksat neto siguruan së bashku rreth 77% të rritjes ekonomike prej 3,66%. “Kjo do të thotë se sot ekonominë po e mbajnë në këmbë shpenzimet e shtetit dhe jo biznesi”, deklaron Tabaku. Në përfundim, deputetja e PD-së thekson se një rezultat pozitiv mujor nuk mund të përdoret për të mbuluar problemet strukturore të ekonomisë. “Një shifër mujore mund të shërbejë për propagandë. Por nuk mund të zëvendësojë fabrikat që mbyllen, vendet e punës që humbasin dhe familjet që çdo ditë e kanë më të vështirë të përballojnë jetesën”, përfn Tabaku. Xh.K/ReportTv.al PD eksportet Jorida Tabaku Komento Komente Sondazhi i ditës: Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri? Politika 57.1% Shoqëria 26.5% Social media 16.4% Vota total: 3772 Sondazhi i ditës: Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?

