SYRI TV Valbona vijon të tërheqë mijëra turistë të huaj, me sezonin që këtë vit nisi që në muajin prill. Vizitorët nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë dominuar gjatë këtij sezoni, ndërsa rreth 100 bujtina në luginë janë të rezervuara deri në nëntor. Por, krahas natyrës dhe mikpritjes, turistët ngrenë shqetësime për pastërtinë dhe mirëmbajtjen e zonës, si dhe mungesën e aktiviteteve kulturore e sportive.Lexo edhe:Pa ujë për vaditje, fermerët e Kukësit detyrohen të presin misrin e tharë: 820 hektarë tokë mbeten të papunuar Valbona vijon të mbetet një ndër destinacionet më të preferuara për turistët e huaj, edhe për shkak të nisjes së hershme të sezonit turistik, që këtë vit ka filluar që në muajin prill. Sipas sipërmarrësit turistik Klement Selimaj, gjatë këtij sezoni në Valbonë kanë dominuar turistët nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Interesi i turistëve nuk kufizohet vetëm te Alpet Shqiptare, por përfshin edhe destinacionet turistike në jug të vendit. Edhe pse shtigjet malore, mikpritja e banorëve, ushqimet tradicionale dhe peizazhet alpine e bëjnë Valbonën një destinacion të preferuar në çdo stinë, turistët shprehin ankesa për mirëmbajtjen dhe pastërtinë e ambientit. Një tjetër problematikë mbetet mungesa e aktiviteteve kulturore dhe sportive, të cilat, sipas Selimajt, do të ndikonin në zgjatjen e qëndrimit të turistëve në luginën e Valbonës. Valbona karakterizohet nga majat e larta, pyjet e dendura, livadhet alpine dhe lumi Valbona. Në luginën e Valbonës ndodhen rreth 100 bujtina, të cilat sipas operatorëve turistikë janë të rezervuara plotësisht deri në muajin nëntor. Parku Kombëtar ‘Alpet e Shqipërisë’ në qershor e korrik u vizitua nga 24.055 turistë, nga të cilët 11.860 ishin vendas dhe 12.195 të huaj.
