Me tensione të forta është shoqëruar sot seanca në Kuvendin e Kosovës. Donika Gërvalla, deputete e grupit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministre në detyrë e Drejtësisë ka hyrë në sallën e seancave plenare për të takuar mërgatën në kuadër të aktivitetit të përvitshëm që kuvendi i Kosovës organizon për bashkatdhetarët.
Ajo ka pasur përplasje me deputetet e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliun, Eliza Hoxhën dhe Ganimete Musliun, raporton korrespondentja e Top Channel Leonita Bajrami.
Në vazhdimësi të njëjtat i kanë kërkuar të thërrasë seancën konstituive të kuvendit. “thirre seancën”, “boll me performanca, thirre seancën”.
Gërvalla u është përgjigjur të vijnë në takim për të arritur marrëveshje.
“Ejani në takim, pse s’po vini, pse po tuteni”, ka thënë Gervalla.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së Artan Behrami i ka thënë Gërvallës se ka çuar dosje në Gjykatën Speciale kundër UÇK-së, “mos rrej”, ishte përgjigja e Gërvallës.
Në një moment, Gërvallën e ka lagur me ujë deputetja, Ganimete Musliu, ndërkohë që përplasja është zhvendosur nga Gërvalla, të deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Ardian Gola. Golës i është shtuar kërkesa e njëjtë, thirre seancën nga PDK-ja.
Përplasja ka vazhduar edhe me Arbërie Nagavcin që në legjislaturën e kaluar ishte shefe e grupit parlamentar të Vetëvendosjes.
Për momentin është pezulluar aktiviteti i Kuvendit me mërgatën, pasi përplasjet janë duke vazhduar në sallën e seancave plenare. Top Channel

