Katër punëtorë shqiptarë nga Kosova janë sulmuar dhunshëm në Trieste të Italisë nga disa persona të armatosur me thika, çekiç dhe sprej piper. Sipas mediave italiane, të katër shqiptarët e Kosovës mbetën të plagosur, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po merr trajtim në spitalin e Cattinarës.
Ngjarja ka ndodhur pas një ndjekjeje me makina, ku automjeti me katër punëtorët u ndoq nga një tjetër makinë dhe më pas u përplas, duke u detyruar të ndalonte. Pasi punëtorët dolën nga automjeti, ata u sulmuan nga agresorët me thika dhe çekiç, ndërsa u përdor edhe sprej piper. Në vendngjarje mbërritën disa ambulanca dhe ekipe të urgjencës, të shoqëruara nga patrulla të Policisë së Shtetit.
Shkaku i sulmit mbetet ende i paqartë, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që ngjarja të jetë e lidhur me kontrata në sektorin e ndërtimit. Policia italiane ka nisur kërkimet për autorët, të cilët dyshohet se ishin rreth pesë persona dhe ende nuk janë identifikuar.
